Skandali te Bujqësori, diplomat pa fotografi
TIRANE-Skandal me studentët e Universitetit Bujqësor. Universiteti u shpërndan studentëve certifikata për përfundimin e studimeve, edhe pse ata kanë mbaruar me sistemin e mëparshëm. Për këtë arsye, të rinjtë që ndjekin studimet në Universitetin Bujqësor kanë protestuar ditën e premte, si dhe janë larguar nga ceremonia e shpërndarjes së diplomave. Pasi ata kanë vendosur që të mos i marrin ato deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Janë më shumë se 150 studentë që kanë refuzuar të marrin certifikatat që u ka shpërndarë Universiteti Bujqësor për përfundimin e pesë vjetëve studimi. Po jo vetëm që këtyre studentëve u janë dhënë certifikata, por ato nuk janë të pajisura as me fotografi, duke i kthyer në disa letra pa vlerë. Ndërkohë që ata sqarojnë se diplomat e vjetra që u takon atyre të marrin, njihen jashtë shtetit, ndërkohë që certifikatat që janë lëshuar me sistemin e ri nuk njihen. "Ne kemi firmosur një peticion, dhe ditën e hënë kemi kërkuar takim me rektorin dhe ministrin e Arsimit, pasi brezit tonë nuk i takon të marrë një certifikatë të lodhur, sepse dhe një certifikatë parukerie është më e vlefshme se kjo që kërkojnë të na japin. Çfarë thuhet në këtë ligj të ri, të jepen diploma pa fotografi, kjo është absurde!", - kanë sqaruar studentët e vitit të pestë në UBT.
(d/b/GSH/BalkanWeb)