E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali te "Fëmijët e tij", nis gjyqi ndaj mjekut anglez

 

TIRANE-Nisi dje në Gjykatën e Tiranës procesi penal ndaj mjekut anglez, Guy Eshelman, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Por për shkak të mungesës së avokatit, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën. Shefi i klinikës "ABC" Eshelman, dyshohet se ka pasur dijeni për abuzimin ndaj fëmijëve të strehuar në qendrën "Fëmijët e tij" në Tiranë, që administrohej nga David Braun. Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 20 vjet burg. Por, pavarësisht se Eshelman u kryente vizita fëmijëve dhe kishte dijeni se abuzoheshin seksualisht, e ka fshehur skandalin dhe nuk ka kallëzuar asgjë në lidhje me krimin e rëndë. Madje, ai ka tentuar ta fshehë krimin duke firmosur një raport mjekësor, ku vërtetohej se David Braun ishte impotent dhe si rezultat nuk mund të dhunonte seksualisht fëmijët, që në fakt rezulton e kundërta. Pas dëshmive të fëmijëve, është bërë i mundur identifikimi i mjekut dhe dërgimi i tij përpara drejtësisë për moskallëzim krimi. Në të njëjtën kohë, po në Gjykatën e Tiranës po gjykohen dy miqtë e Braun, Robin Arnold dhe Dino Kristodulos, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me fëmijët e qendrës, së cilës iu vu kyçi pas zbulimit të skandalit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›