E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibër, pranga 3 personave në kërkim

 

PESHKOPI- Policia e Dibrës ka vënë në pranga tre persona nga kjo krahinë, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale. Sipas burimeve zyrtare mësohet se është prangosur nga uniformat blu, Gjuri Mani, për të cilin kishte një urdhër arresti në zbatim të vendimit të gjykatës së këtij rrethi gjyqësor, pasi ai figuronte i dënuar me 8 muaj heqje lirie për “mbajtjen e lokaleve për qëllime prostitucioni”. Agjentë të policisë kriminale të Peshkopisë e survejonin prej disa kohësh vendndodhjen e tij, pasi ishte bërë e njohur se në lokalet që ai i kishte me qira në qytetin e Peshkopisë, ushtrohej prostitucion. Policia ka mundur të kapë në flagrancë klientët e këtyre lokaleve që posedonte me qira Mani, por vetë pronari i lokaleve Gjuri Mani ka mundur të largohet nga qyteti dhe t’i fshihej policisë për më së 1 vit e gjysmë. Në gjykimin që iu bë kësaj çështje trupi gjykues dha vendimin për favorizuesin e prostitucionit në këto mjedise Gjuri Mani i cili u dënua me 8 muaj heqje të lirisë, ndaj dhe organi i akuzës i kërkoj policisë arrestimin e tij. Por për një vit e gjysmë nuk u bë asgjë dhe vetë Mani shëtiste i lirë, madje me sa duket, ai e ka kuptuar si çështje të harruar, por pikërisht dje forcat e policisë e kanë rrethuar në banesën e tij për t’i vënë prangat pa bërë rezistencë. Po ditën e djeshme, policia e Dibrës ka arrestuar shtetasin Bledar Suti, 25-vjeç, banues në fshatin Zogjaj të këtij rrethi, dënuar nga gjykata me 4 muaj heqje lirie pasi ka braktisur vendin e kryerjes së shërbimit ushtarak. Gjithashtu në Bulqizë nga policia vendore është vënë nën pranga Miklovan Ndreka, 20-vjeç, i dënuar me 6 muaj heqje lirie për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me persona të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›