Një dramë për 57-vjetorin e Aleksandër Moisiut
Drama
Për herë të parë në Shqipëri "Ana Kristi" e nobelistit amerikan O'Neil
Trupa e teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu” është ngjitur në skenë me një premierë artistike në 57-vjetorin e krijimit të teatrit, që mblodhi në Durrës emra të njohur të skenës dhe ekranit. Për të festuar këtë ditë, teatri profesionist vuri në skenë shfaqjen “Ana Kristi”, që vjen për herë të parë në Shqipëri. Drama është pjesë e krijimtarisë së dramaturgut dhe nobelistit amerikan Eugene O’Neill, i cili në vitet ‘20 fitoi me këtë vepër çmimin “Pulitzer”. Shfaqja ka përcjellë emocione përmes realiteteve dhe mesazhit të saj se dashuria triumfon përtej dramave që kalon në jetë njeriu. Ky përvjetor i teatrit durrsak u çel me shumë emocione, jo vetëm nga artistët, por edhe nga artdashësit. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, premtoi mbështetje për projektet e ardhshme të këtij teatri që ka probleme financiare për vënien në skenë të shfaqjeve të reja, mbështetje që u kërkua për teatrin e kulturën edhe nga kryebashkiaku Vangjush Dako. “Ana Kristi” është një nga dramat më të mëdha të kohës dhe një nga pjesët më të njohura të nobelistit O’Neill. Nën regjinë e regjisores Driada Dervishi, aktorët Klodjana Keco dhe Hysen Bashhysa në rolet kryesore spikatën për forcën e fjalës që mbajti të lartë vëmendjen e spektatorëve. Mbresëlënës ishte edhe interpretimi i aktorit të ri Marvin Tafaj, që i dha një ritëm tjetër shfaqjes përmes karakterit të mashkullit që dashuron, mbart mentalitete patriarkale, po që di dhe të falë. Përmes situatave dhe batutave komike të aktorëve, realiteti që mbartet deri në ditët e sotme vjen me dramacitet të fortë. Në role të tjera luajnë Sanie Hoti, Xhelal Tafaj dhe Mimoza Marjanaku. Në qendër të shfaqjes është një pjesë e historisë së jetës së Anës, vajzës së marinarit Kris Kristoferson, i cili e ka braktisur bijën që në moshë të re dhe rrethanat bëjnë që ta takojë pas 20 vjetësh. Kris merr përsipër të bëjë rolin e babait që kishte humbur në det, mes një dashuri-urrejtjeje të vazhdueshme për detin dhe profesionin e tij. E bija është tashmë një grua e re në moshë, por jo në ato që ka kaluar në jetë. “Ana Kristi” është historia e një prostitute që di të dashurojë. Ajo ka kaluar një jetë të sajën të ndyrë, e detyruar të prostituojë që në moshë të re. Rastësisht në një stuhi detare takon dashurinë e saj të parë, që e bën të deklarojë të kaluarën e hidhur e të presë ndryshimin e kursit të jetës së vet të mjerë. Tepër dramatike është edhe jeta e nostromit, Krisit, babait të Anës, i interpretuar me mjeshtëri nga aktori Hysen Bashhysa. Një dramë e vërtetë që u reziston kohërave dhe vjen e përplaset në fatin e një babai që sheh edhe të bijën e dashuruar me një marinar. Një baba që parandien se historia e jetës së tij po përsëritet dhe e bija do të vuajë të njëjtin fat si nëna e saj, me një burrë që jeton deteve, larg familjes, njerëzve të dashur. Një dramë që përtej forcës triumfuese dhe ngjyrave romantike që sjell dashuria mbyllet me egërsinë e detit-jetë dhe mjegullën që nuk lejon të depërtosh përmes saj.
#