E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Priftit, kompanitë private nisi drejt Shkodrës ndihmat e para

Tiranë, 12 Janar NOA - Kompanitë private shqiptare
kanë nisur sot drejt Shkodrës ndihmat e para konkrete në nevojat më emergjente
që vetë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti kërkoi
në takimin e djeshëm me biznesin, që kishin të bënin kryesisht me ujë të
pijshëm, me bukë dhe karburant.Në drejtim të Shkodrës sot është nisur kamioni
i parë me karburant nga Kastrati. Kompania Miell SHPK me përfaqësues Roland
Hysa ka nisur një kamion me miell. Agna Group me përfaqësues Vasil Naci ka vënë
në dispozicion shumën 2.5 milion lekë të reja që do të shkojnë në vlerën e
produkteve të kësaj kompania, kryesisht në ujë të pijshëm.

Po kështu Ferlut me
përfaqësues Ferdinand Ibrahimi ka dërguar për zonat e përmbytura kamionë me
qumësht. Ndihma këto që po shtohen në çdo moment dhe nga biznese të tjera.

Po kështu për tu njohur më nga afër më
situatën dhe për të shprehur solidaritetin e biznesit të Tiranës, kryetari i
Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ishte sot në Shkodër ku pati
takim me zv/kryeministrin, Ilir Meta, me Prefektin e Shkodrës, Maxhit Cungu, si
dhe me shefin emergjencave civile, Alfred Olli.

Në këtë takim Jaka shprehu solidaritetin e
biznesit për banorët e zonave të përmbytura, duke bërë të qartë se në këtë
jemi të gjithë bashkë dhe do të japim ndihmën tonë me të gjithë mundësitë që
kemi.

Gjithashtu ai vuri në dijeni se Dhoma po
kontakton dhe me homologet e saj në Europë duke saktësuar se përgjigja e parë
pozitive ka ardhur nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit, të cilët do të nisin
ndihma për banorët e zonave të përmbytura.

Pjesë e rëndësishme e takimit me shtabin e
emergjencave civile ishin përfaqësuesit e biznesit të Kosovës të cilët kanë
ardhur sot në Shqipëri për tu solidarizuar dhe për të dhënë ndihmën e tyre
konkrete.

e.r/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›