E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joshua Marston

Gjakmarrja dhe drama e saj shoqërore në kohët moderne e ka nxitur regjisorin amerikan të punojë mbi një histori shqiptare. Pas audicioneve në Shqipëri, në datat 22 dhe 23 janar do të udhëtojë në Kosovë e më tej në Shkup në kërkim të aktorëve të filmit

Në kërkim të personazheve shqiptare
Zonat veriore të Shqipërisë, vitet e fundit kanë “parë” shumë grupe xhirimi të ndalen në to. Regjisorë e skenaristë (shqiptarë e të huaj) janë vënë në kërkim të një zakoni kanunor që duhet më së pari t’i bëhet e ditur botës jashtë përmes ekranit të madh. Rasti më i fundit është ai i regjisorit amerikan Joshua Marston. I pranishëm pak kohë më parë si anëtar i jurisë në ditët e TIFF (Tirana International Film Festival), regjisori amerikan është vënë në kërkim të personazheve shqiptarë. Atyre që duhet të tipizojnë atë pjesë të popullsisë, që edhe në kohët moderne e kanë fare të prekshëm fenomenin e gjakmarrjes. Pas audicioneve në Shqipëri, regjisori i “Maria full of grace” (2004), sipas gazetës kosovare “Express”, në datat 22 dhe 23 janar do të mbajë audicione në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Më tej do të udhëtojë drejt Shkupit para se të përzgjedhë kastin e aktorëve për filmin më të ri, skenarin e të cilit e ka shkruar në bashkëpunim me regjisorin shqiptar Andamion Murataj. Pas disa udhëtimeve në Veri të Shqipërisë, të dy regjisorët kanë njohur nga afër histori të vërteta gjakmarrjesh të banorëve të kësaj zone, kanë folur me ta për të kuptuar jo vetëm zbatimin e Kanunit, por edhe kontrastet mes botëkuptimit të sotëm dhe imponimit të një norme të vjetër. “Filmi që synoj të bëj në Shqipëri nuk flet vetëm për gjakmarrjen, pasi gjakmarrja është vetëm njëri nga nivelet, niveli më i thellë është konflikti mes botës moderne dhe asaj tradicionale. Duhet të shohim përpara, duhet të jemi modernë, pasi konflikti qëndron te fakti se ka shumë gjëra nga tradita, nga mënyra e vjetër që influencojnë mentalitetin dhe kjo ndonjëherë nuk është e keqe. Por pyetja e vështirë është si do ta zgjidhim këtë konflikt”, u shpreh regjisori Joshua Marston gjatë ditëve të TIFF në Tiranë. Sipas tij, historia do të jetë tërësisht shqiptare. Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe zbatimi i tij në shoqërinë shqiptare u pa me mjaft kuriozitet prej të huajve që e njihnin pak apo aspak Shqipërinë e izoluar. Disa ndoshta kishin krijuar një ide për shënimeve të udhëtarëve perëndimorë nëpër Shqipëri dhe ky fenomen nuk u shpëtoi as vëmendjes së regjisorëve. Së pari, vetë kineastët shqiptarë, që pas një periudhe ku filmi prodhohej posaçërisht për publikun shqiptar, pas viteve ’90 filluan të prezantojnë për publikun e gjerë disa fenomene shoqërore që “godisnin” të huajt. Filmi “Gjallë” i regjisorit Artan Minarolli ishte prodhimi më i fundit shqiptar që mori nxitjen nga kjo temë. Regjisori amerikan Marston, njëkohësisht edhe me audicionet, po pikas vendet në të cilat do të xhirohet. Pritet që në muajt e pranverës të nisë puna. Fillimisht në qytetin e Shkodrës. Filmi përqendrohet në një familje në veri të Shqipërisë, ku duhet të jetojnë në izolim, pasi babai është përfshirë në një debat për tokën, e cila ka përfunduar me një vrasje. Filmi fokusohet në eksperiencat e jetesës në izolim dhe në mënyrën se si ato ndikojnë në familje.
“Në qendër të filmit, ende pa një titull, do të jenë një motër e vëlla adoleshent të ngujuar, nëpërmjet të cilëve do të paraqitet mënyra se si përjetohet kjo plagë e shoqërisë shqiptare. Gjithë filmi shihet nga këndvështrimi i këtyre dy fëmijëve, se si jeta e tyre ndryshon dhe ajo ç’ka shohim ne është gjithë koha në sytë e këtyre fëmijëve”, theksoi atëherë skenaristi Andamion Murataj. Jetët e kushtëzuara të fëmijëve nga gjakmarrja janë vënë edhe herë të tjera në fokus. I tillë ishte edhe trajtimi disa vite më parë i regjisorit shqiptar Bujar Alimani në filmin “Busulla”, ku vajza e familjes detyrohet të marrë përsipër punët e të atit për të siguruar mbijetesën e familjes së ngujuar. “Zgjodhëm të bëjmë një film në Shqipëri, pasi na interesojnë temat e ndryshimeve të shpejta që po bëhen në Europën Lindore. Historia jonë ka të bëjë me gjeneratat e reja dhe se si ndryshimi i kulturave po ndikon tek ata, veçanërisht brenda një familjeje”, deklaroi në Tiranë producenti Paul S. Mezey. Mbetet vetëm të shihet se sa do të përcillet përmes realizimit kinematografik ideja që Marston dhe Murataj kanë hedhur në rreshtat e skenarit.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›