Ja yjet e Milanit që do të luajnë në Tiranë
Tashmë emrat janë zyrtarë. Dhe është pak të thuash se është një listë fantastike. Milan vjen për herë të Shqipëri me yjet e tij. Ata që kanë shkëlqyer në botën e futbollit e janë protagonistë absolutë në lojën më të dashur në planet. Trofeu “Taci Oil Albania Reads” sjell në impiantin ndërkombëtar shqiptar “Qemal Stafa” jo pak, por dy fitues të “Topit të artë”, ukrainasin Shevçenko e brazilianin Ronaldinjo. Në superlistën kuqezi janë edhe tre kampionë bote me Italinë: Alesandro Nesta, Filipo Inzagi e Andrea Pirlo, por dhe dy kampionë bote me Brazilin, Ronaldinjo e Dida. Por, me 17-herë kampionët e Italisë do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar edhe i vetmi lojtar në botë, i cili ka mundur të fitojë tre trofe të Ligës së Kampioneve me tre skuadra të ndryshme, holandezi Klarens Sedorf. Statistikat e milanistëve janë të shumta e midis tyre nuk mund të harrosh faktin, se kundër 23-herë kampionëve të Shqipërisë, do të luajë kryegolashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kompeticionet ndërkombëtare: Filipo Inzagi. Përballë sulmuesit bardheblu Migen Memelli, golashënuesit më të mirë të kampionatit shqiptar për këtë sezon do të jetë lojtari askush tjetër me shumë prezenca te Milani e në kampionatin e Serisë A: Paolo Maldini. E në listën e yjeve kuqezinj, të cilët do të udhëtojnë më 14 tetor drejt Shqipërisë, nuk mund të mungojë as golashënuesi i dytë më i mirë i sezonit të kaluar në Serinë A, Marko Borrielo. “Rosa” e Milanit plotësohet me lojtarë të tjerë të nivelit ndërkombëtër e mbi të gjithë: Ambrosini, Dida, Flamini, Abbiati, Favalli, Sendeeros e Kaladze.
Nga kjo listë yjesh vetëm Shevçenko me Ukrainën, Klarens Sedorf me Holandën e Kakabher Kaladze me Gjeorgjinë kanë qenë më parë në Tiranë, pjesa e tjetër, ajo e “luanit”, është e gjithë për t’u shijuar. Për të çuar në ekstazë jo vetëm tifozerinë milaniste në Tiranë, por gjithë shqiptarët. “Qemal Stafa” do të duket shumë e vogël më 14 tetor. Pasi Milan vjen për herë të parë në historinë e tij.
Lista
Dida
Abiati
Shevçenko
Ronaldinjo
Nesta
Inzaghi
Pirlo
Seedorf,
Borielo
Ambrozini
Flamini
Abbiati
Favalli
Senderos
Kaladze
GOLASHËNUES
Në “Qemal Stafa” do të luajë kryegolashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kompeticionet ndërkombëtare: Filipo Inzagi.
KAMPIONË
Në superlistën kuqezi janë edhe pesë kampionë bote me Italinë: Nesta, Inzagi e Pirlo, e dy me Brazilin, Ronaldinjo e Dida.
Besart Berisha midis Botërorit e Kupës UEFA
Ndërsa sulmuesi Besart Berisha është duke u përgatitur me përfaqësuesen shqiptare për t’u përballur me Hungarinë e Portugalinë, Rozenborgu i tij do të njihet të martën me kundërshtarët e radhës në fazën e grupeve të Kupës UEFA.
Shorti do të hidhet në Nyon të Zvicrës, ku ndodhet edhe selia e qeverisë europiane të futbollit. Janë 40 skuadra, të cilat do të ndahen në tetë grupe me pesë skuadra. Ekipet do të ndeshen vetëm një herë midis tyre. Çdo klub do të luajë dy herë në shtëpi e dy herë jashtë saj. Datat për ndeshjet e fazës së grupeve janë: 23 tetor, 6 e 27 nëntor, 3-4 e 17-18 dhjetor 2008. Tre skuadrat e para të kualifikuara nga çdo grup do të mbërrijnë në 1/16 e finaleve, me të cilat do të bashkohen edhe ekipet e renditura të tretat në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Shanset për të qenë në këtë fazë të Kupës UEFA i kanë si Arjan Beqaj me Anorthosis dhe Lorik Cana me Olmpikun e Marsejës, gjithmonë nëse skuadra qipriote e ajo franceze renditen të tretat në grupet e tyre në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Për momentin Anorthosis bashkëkryeson me Interin (nga 4 pikë), ndërsa Marseja ka pësuar dy humbje.
7 Tetor 2008