E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, mbetet në burg dhunuesi i gjyqtarit

Lihet në burg dhunuesi i gjyqtarit Roland Jaupaj. 44-vjeçari Arjan Kokëvelaj është paraqitur dje me shenja pendese përpara togave të zeza për marrjen e masës së sigurisë. Gjatë seancës së ditës së hënë, 44-vjeçarit i është komunikuar dhe transferimi i akteve gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për një gjykim të paparagjykuar. Arjan Kokëvelaj, i cili u arrestua nga policia fierake katër ditë më parë në banesën e tij, nën akuzën e "goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës", ka dalë paraditen e së hënës përpara trupit gjykues të Fierit që kryesohej nga gjyqtari Alfred Konomi. Ka qenë prokurorja Violeta Shkurta ajo që ka risjellë edhe një herë ngjarjen e katër ditëve më parë ku 44-vjeçari u akuzua se e kishte goditur dhe dhunuar gjyqtarin Roland Jaupaj, edhe pse e dinte që ai ishte gjyqtar. Sipas prokurores, një fakt i tillë duhet hetuar më tej, pasi ngjarja e cila "u vesh" me motive banale, mund të ketë një shkak më të thellë. Për këtë arsye dhe për rrezikshmërinë që paraqet 44-vjeçari sidomos kundrejt të dëmtuarit, ajo ka kërkuar masën e sigurisë "Arrest me burg". I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit mbrojtës, Xhevair Morina, i cili ka deklaruar se klienti i tij është penduar dhe se ai nuk e ka njohur gjyqtarin për profesionin e tij. Të njëjtën gjë ka thënë dhe vetë i pandehuri Arjan Kokëvelaj: "Jam penduar. Nuk e dija që ishte gjyqtar". Ai ka sqaruar gjithashtu edhe keqkuptimin që vijoi me dhunë. Në sallën e gjyqit Arjan Kokëvelaj ka thënë se kishte menduar se gjyqtari i ngacmonte gruan, pasi i binte borisë së makinës pa ndërprerje. Këto kanë qenë të vetmet fjalë që Kokëvelaj ka mundur të nxjerrë në sallën e gjyqit, por që nuk u morën parasysh prej trupit gjykues, që mbështeti kërkesën e prokurorit duke dhënë për 44-vjeçarin masën e sigurisë "arrest me burg". Arjan Kokëvelaj u arrestua mbrëmjen e së premtes në banesën e tij, pak orë pasi kishte dhunuar gjyqtarin Roland Jaupaj. Gjyqtari tha se dhunimi i tij kishte lidhje me detyrën. Policisë iu desh afro 3 orë bisedime për të arritur deri në prangosjen e 44-vjeçarit , i cili ishte shprehur se nuk kishte bërë gjë për të qenë i arrestuar.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›