E Diel, 1 Nëntor 2026

"Porgy dhe Bess" për herë të parë në Tiranë

Aty përfshihen elemente të muzikës bluz dhe xhaz në formën e artit klasik të operës. Një rrëfim muzikor, në të cilin përshkruhet jeta e afro-amerikanëve në qytetin Charleston në Karolinën e Jugut. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1920. Porgy, një njeri me ngjyrë i gjymtuar, jetonte në lagjet e varfra të qytetit. Vepra merret me përpjekjet e tij për të shpëtuar Bess-in nga kthetrat e Crown, të dashurit të dhunshëm, Sportin Llaif, shpërndarësit të drogës. "Porgy dhe Bess", kështu titullohet opera muzikale, e cila do të ngjitet nga data 17 deri më 22 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Me muzikë nga George Gershwin vjen në Tiranë, nën regjinë e amerikanit Lawrence Craig dhe Andis Gjonit, ky i fundit ka firmosur edhe skenografinë e kostumet. Si dirigjent kori është zgjedhur Dritan Lumshi, ndërsa dirigjent orkestre Edmond Doko. Mjeshtri koncertues është amerikani Jason Tramm. Protagonistët e shfaqjes janë amerikani Patrick Blackwell dhe shqiptarja Evis Mula. Ai në rolin e Porgy-t dhe ajo në rolin e Bess. "Ndihem mrekullueshëm në rolin e Porgy-t. Por gjithnjë ka gjëra për të mësuar nga një personazh, pavarësisht nga sa mund ta njohësh atë", shprehet këngëtari amerikan Blackwell, i cili e interpreton për të dytën herë këtë rol. "Ardhja e kësaj opere muzikale në Operën e Tiranës ishte një ëndërr, duke qenë se është një prej operave amerikane më të mëdha e më të bukura. Është një opera që luhet në të gjithë botën, me arie shumë të famshme dhe që janë tepër të dëgjuara", shprehet Andis Gjoni, i cili e ka vizituar nga afër qytetin Charleston për t‘u frymëzuar e për të sjellë në Tiranë këtë opera muzikale. Ndërsa për regjisorin amerikan, Lawrence Craig, ajo që e bën interesante këtë vepër janë temat e shumta, të cilat përfshihen në të. "Gjen aty dashurinë pa kushte mes dy protagonistëve, tragjedinë, jetën në komunitet, ku të gjithë veprojnë si një trup i vetëm, besimi te Zoti që i bën të përballojnë të tashmen dhe të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë. Gershwin e mori si shembull këtë komunitet afro-amerikanësh, ku të gjithë i dinë shumë mirë punët dhe problemet e njëri-tjetrit dhe janë shumë të lidhur mes tyre. Kjo ka ngjashmëri edhe me komunitetin këtu në Shqipëri. Në shfaqje të gjithë bashkë, kori bën një personazh të vetëm, që është komuniteti", tregon ai.

Mesazhi, i cili do të përcillet te publiku nëpërmjet kësaj vepre, është se nëpërmjet dashurisë, mbështetjes dhe ndihmës që komuniteti ofron, njeriu mund të përmirësohet dhe të ndryshojë.

"Porgy dhe Bess" do të interpretohet nga kori dhe orkestra simfonike e TKOB, ndërkohë që solistë do të jenë: Evis Mula, Sidrit Bejleri, Armando Likaj, Emiljana Palushaj, Eriona Gjyzeli, Denis Skuro, Roel Llupo, Majlinda Laska etj., dhe dy këngëtarët amerikanë, Patrick Balckwell dhe Kishna Davy. Opera "Porgy and Bess" bazohet mbi romanin Porgy të Dubose Heyward, në të cilin përshkruhet jeta e afro-amerikanëve në fillim të viteve 1930. Kjo pjesë është vënë për herë të parë në skenë në vjeshtën e vitit 1935 dhe prej asaj kohe është cilësuar si një nga operat më popullore në Amerikë. Në fillimet e veta, vepra nuk është pritur mirë në SHBA, pasi është konsideruar si një vepër raciste, ndërsa më vonë, pas viteve 1970 ajo ka shëtitur në skenat e mbarë botës, duke u bërë pjesë e repertorit më të njohur operistik. "Summertime" është deri më tani pjesa më e njohur e veprës. a.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›