E Martë, 3 Nëntor 2026

Skema Kombëtare 2025, AZHBR: Financim 100% grupimeve të fermerëve

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi 2025, financon 100% grupimet e fermerëve ose Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor. Ndërsa risi e këtij viti është edhe përfshirja në mbështetje e mbarështimit të viçave.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se, mbështetja për gjedhë të matrikulluar, adreson masat e përfitimit: 10 000 lekë për çdo lopë/mëshqerrë të matrikulluar dhe 5 000 lekë për çdo viç të matrikulluar. Gjithashtu skema mbështet me 50% financim fermat me mbi 50 krerë.

Skema Kombëtare synon zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe blegtorisë në vend, me qëllim uljen e kostove dhe rritjen e bashkëpunimit mes fermerëve.

Fermerët dhe blegtorët do të kenë mundësi të aplikojnë deri më 30 maj për të përfituar pagesa të drejtpërdrejta për 8 masat mbështetëse që adreson Skema Kombëtare 2025.

Kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga skema e naftës, janë që të kenë NIPT aktiv; tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0,1 ha.

Do të konsiderohen të vlefshme edhe kontratat qiramarrjes/huapërdorjes/dokument të ligjshëm të firmosur nga palët.

Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit online. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit, plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.

Vlera e saktë që do të përfitojnë aplikantët fitues, është e kategorizuar me vendim qeverie sipas kulturës së mbjellin.

Sa i takon kultivimit të bimëve të arave, do të jepen 18.582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë, sorgum. 12.714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk) dhe 8.802 lekë/ha për foragjere shumëvjeçare, bimë aromatike-mjekësore.

Në grupin e drufrutorëve, do të jepet pagesë për naftën për kultivimin e mollëve me 18.582 lekë/ha, 15.648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ullinj, agrume dhe vreshta si dhe 13.692 lekë/ha për arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16.626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, atyre me bërthamë dhe ato arrore.

Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve, pagesat për naftën variojnë nga 14.670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi, pjepër, luleshtrydhe dhe 16.626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania, i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime. Pas kontrollit administrativ, aplikanti njoftohet mbi rezultatin e aplikimit (i kualifikuar/i skualifikuar).

Vitin e kaluar nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në të gjithë vendin.

1 nga 2

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›