E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e PS-së për mbrojtjen e votave më 28 qershor

Angazhimi i ish-shefave të Policisë dhe rrethimi i heshtur i qendrave të votimit. Si janë organizuar njerëzit e opozitës në të dymbëdhjetë qarqet e vendit

Habjon Hasani

Tiranë - Do të jetë një organizatë eficiente, në hije, një organizatë që do të jetojë vetëm për 24 orë, por që do të dirigjohet dhe koordinohet nga disa prej ish-ekspertëve më në zë të Policisë shqiptare. Do të jetë organizata e rojtarëve të votës së Partisë Socialiste më 28 qershor. Prej disa javësh PS-ja ka përfunduar planin kombëtar të ruajtjes së votës në mbarë Shqipërinë, ndërsa javën e fundit thjesht sa janë specifikuar në mënyrë precize se cilët do të ishin konkretisht personat e angazhuar. Skema funksionon si “merimangë” e shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Baza kryesore operacionale do të jetë sigurisht në Tiranë, ndërsa një prej udhëheqësve të kësaj baze do të jetë Kastriot Islami. Zyra kryesore e informacionit në Tiranë do të rakordohet për 24 orë me radhë me 12 qendrat e ruajtjes së votës në të gjitha qarqet e vendit. Në të 12-të qarqet janë caktuar si përfaqësues qarku 12 efektivë të sprovuar policie, të cilët gjenden prej vitesh në reformë. Për të 12-të efektivët që drejtojnë operacionin në nivel qarku është siguruar një mbështetje e vërtetë njerëzore. Çdo efektiv dhe përfaqësues qarku ka krijuar tashmë një grup pune prej 10 vetash, të cilët njihen ndryshe dhe si ekipi i qarkut.
Shtrirja
Secili anëtar i ekipit të qarkut, ose grupit prej 10 vetash, mbulon një territor të caktuar në qark. Në këto territore përfshihen me dhjetëra ose qindra qendra votimi. Të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe më vonë numëruesit e Partisë Socialiste, janë udhëzuar që të mos reagojnë ndaj çfarëdolloj provokimi, ndërhyrjeje të jashtëligjshme apo situate emergjente. Ata janë instruktuar që të injorojnë provokuesit dhe me telefon të njoftojnë personin e ekipit drejtues (që mbulon zonën ku ndodh problemi), ndërsa ky i fundit menjëherë organizon grupet e gatshme të mbështetësve që shkojnë për të mos lejuar abuzimin me votën. Pra sikundër nënkuptohet, në çdo qark, secili anëtar i ekipit prej 10 vetash, ka krijuar tashmë minigrupet e mbështetjes që do të operojnë në terren në gatishmëri të plotë, për të shmangur çdo tentativë për deformimin e procesit. Komisionerët e Partisë Socialiste janë pajisur që prej dy javësh me numrat e kontaktit të personave që bëjnë pjesë në “ekipin e qarkut” dhe pikërisht te këta persona do të kryhet sinjalizimi në rast emergjence. Nga ana tjetër, secili përfaqësues qarku apo koordinator qarku do të jetë në kontakt me grupin special të punës në Partinë Socialiste në Tiranë, për të çuar informacion në kohë reale në lidhje me të gjitha sinjalizimet që vijnë nga qendrat.
Kualifikimet
Janë me qindra ish-efektivë policie ata që kanë shprehur gatishmërinë e tyre që dy vite më parë për të kontribuuar në skemën e mbrojtjes së votës nga ana e Partisë Socialiste. Specializimi dhe njohuritë specifike të këtyre personave i japin një nivel të lartë eficience këtij ekipi, nisur nga aftësitë e certifikuara organizative të këtyre ish-punonjësve të Policisë. Koordinatorë dhe përfaqësues qarqesh do të jenë disa ish-drejtues policie, të cilët janë specializuar në zgjidhjen e situatave nga më të vështirat, madje disa syresh mbajnë në kurrikulumet e tyre dhe certifikime të dhëna nga FBI-ja apo dekorata për zgjidhjen e situatave komplekse në luftën kundër terrorizmit. Të gjithë këta ish-efektivë u “hodhën në rrugë” në vitet 2005-2006, si pasojë e reformës së gradave, ku ligji i bërë nga demokratët i ftonte ata të hiqnin dorë nga gradat (dhe të kalonin në pozicione më të ulëta) në rast se donin të qëndronin në polici. Shumica e efektivëve mbajtën gradën dhe dolën në lirim, e sot janë pikërisht ata në rreshtin e parë të kordonit që do të garantojë votat e socialistëve.

Ekipi i policëve, takim me Ramën 2 muaj para zgjedhjeve

Më 6 maj të këtij viti, kreu i PS-së, Edi Rama, mbajti një takim të posaçëm me një numër të konsiderueshëm ish-policësh të liruar nga detyra. Duket se ky takim ishte sipari i këtij organizimi perfekt të këtyre specialistëve të policisë në ruajtjen e votës më 28 qershor. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në këtë takim me ish-punonjës policie ka prezantuar gjithashtu para tyre kapitullin e programit të PS-së për këtë sektor. Gjatë fjalës së tij Rama u përqendrua në sigurinë kombëtare, duke sqaruar se PS-ja në qeverisje do të krijojë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare. “Ne duam dhe do të ndërtojmë një strukturë të integruar të sigurisë kombëtare, e cila do të jetë përgjegjëse për përmirësimin e faktorëve të rrezikut që i kanosen sigurisë dhe do të planifikojë politikat e integruara të ndërhyrjes sipas rastit. Kjo strukturë do të hartojë politikat për rendin dhe sigurinë publike, për shërbimin e emergjencave civile, për sigurimin dhe qarkullimin e informacionit të klasifikuar dhe për mbrojtjen e integritetit territorial. Dinjiteti dhe figura e punonjësit të Policisë duhet të ringrihet”, - tha Edi Rama mes punonjësve të liruar nga detyra.
Sipas tij, çdo punonjës policie duhet ta përfaqësojë denjësisht shtetin, nuk mund të vazhdohet me diskreditimin e figurës së punonjësit të Policisë, duke bërë që sa herë të ndërrohet pushteti, të militantizohet sipas ngjyrave të tij, kjo strukturë shumë e rëndësishme për jetesën në siguri të qytetarëve: “Duke e kthyer policin, më të thjeshtin, në simbol të shtetit dhe duke mos toleruar më që të jetë karikatura e pushtetit”, - ka pohuar dy muaj më parë kreu i socialistëve para ish-efektivëve që sot janë bërë rojtarët e votës për partinë që ai drejton.

Tekat politike, sot Shqipëria me tri polici paralele

Nuk do të ishte aspak e tepërt të thuhej se sot ekzistojnë tri polici të shtetit. E para është administrata aktuale; e dyta ajo që është në listë-pritje (e që paguhet gjithashtu); e treta ajo që ka fituar gjyqet dhe që e detyron shtetin ta dëmshpërblejë sipas ligjeve në fuqi. Edhe pse "de fakto" rezultojnë tri polici paralele, arsyeja që i krijoi ato është unike: shkelja e ligjit. Një tjetër fakt është se kostoja e këtyre ndryshimeve është shumë e lartë, pasi për vite me radhë këta ish-drejtues janë asistuar në trajnime luksoze (deri në 1600 USD në ditë për person) një pjesë e mirë e të cilëve bien mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë. Që nga viti 1991, mbi 1.1 miliard euro nga fondet e Komisionit Europian i janë dhënë Shqipërisë, ku sektorët e Drejtësisë dhe të Policisë mbeten marrësit kryesorë të këtyre fondeve. Policia e Shtetit shqiptar ka përfituar direkt nga një seri programesh asistence. Pas krizës së vitit 1997, me pasojë shembjen e rendit publik në Shqipëri, qëllimi kryesor i komunitetit ndërkombëtar ishte përmirësimi i gjendjes së sigurisë dhe rivendosja e rendit publik. Këto detyra u morën përsipër asokohe nga misioni “MAPE” (1997-qershor 2001) nën ombrellën e Bashkimit Europian Perëndimor, në mbështetje të Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe. Në shtator 2001, Komisioni Europian krijoi një mision ndërmjetës, misionin “ECPA”. Më 21 dhjetor 2002, Bashkimi Europian institucionalizoi misionin “PAMECA” për të vazhduar punën e bërë nga misionet pararendëse të asistencës policore. Edhe pse me një mbështetje konstante, struktura e Policisë vazhdon të reflektojë shkelje flagrante dhe arbitrare të ligjit deri në ditët e sotme.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›