Komisionerët, vetëm 40% e tyre janë trajnuar për procesin
Standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund të quhen të garantuara. Shkak për këtë duket se do të jenë edhe komisionerët e partive politike. Këto të fundit kanë vonuar përtej afateve ligjore, depozitimin e listave të komisionerëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një gjë e tillë do të bëjë që shumica e komisionerëve të menaxhojnë procesin zgjedhor pa iu nënshtruar një seance trajnuese. Sipas burimeve nga KQZ-ja, deri tani vetëm 40% e komisionerëve janë trajnuar. Vonesat në këtë proces kanë sjellë shqetësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, u bëri apel partive politike që të dërgojnë sa më shpejt emrat e komisionerëve, ndërkohë që theksoi se standardet zgjedhore janë në rrezik në rast se komisionerët nuk do të trajnohen.
30 vëzhgues të Ambasadës Amerikane do të monitorojnë procesin
30 vëzhgues të Ambasadës Amerikane në Tiranë do të ndjekin nga afër zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Selia diplomatike e SHBA-ve paraqiti dje në KQZ kërkesën për akreditimin e 30 vëzhguesve që do të monitorojnë procesin zgjedhor. Kërkesa u miratua menjëherë nga KQZ-ja. KQZ-ja miratoi gjithashtu edhe kërkesën e misionit të OSBE-ODIHR-it për akreditimin e 70 vëzhguesve të parë afatshkurtër, ndërkohë që ky mision pritet të angazhojë 400 vëzhgues, të cilët do të monitorojnë procesin zgjedhor të së dielës në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme ka mbërritur në Tiranë një delegacion prej 19 anëtarësh nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, të cilët do të vëzhgojnë zgjedhjet në Shqipëri.
Nis sot shpërndarja e fletëve të votimit
KQZ-ja do të nisë sot procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit për komisionet e zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ). Nisja e këtij procesi ditën e sotme sanksionohet sipas Kodit Zgjedhor, i cili përcakton dërgimin e fletëve të votimit pranë selive të KZAZ-ve në përputhje me numrin e zgjedhësve. Më pas do të jenë KZAZ-të ato që do të përcjellin materialin zgjedhor drejt qendrave të votimit jo më vonë se 15 orë para hapjes së votimit.
Fletët e votimit janë shtypur nga firma sllovene “Cetis”, e cila ishte fituese e prokurimit të kryer nga KQZ-ja. Në rang vendi numërohen gjithsej 4751 qendra votimi me gjithsej 3 084 067 zgjedhës. Sipas përllogaritjeve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor sasia e fletëve të votimit e prodhuar është 2% mbi numrin e zgjedhësve, që në total përllogaritet me rreth 3 145 748 fletë votimi.
Dorëzohet KQZ-ja, 506 qendra votimi do të jenë në ambiente private
Përcaktimi i vendeve të votimit në ambientet private është kthyer në një mollë sherri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Drejtuesit e njësive vendore kishin vendosur që 506 qendra votimi të jenë në ambiente private. Kjo gjë u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit e PS-së në KQZ, të cilët deklaruan se shumica e këtyre ambienteve private zotëroheshin nga militantë të Partisë Demokratike. Gjithsesi, gjatë mbledhjes së djeshme, është bërë miratimi përfundimtar i vendeve të qendrave të votimit. Në të gjithë vendin nga 4751 qendra votimi numërohen 506 qendra të tilla që do të vendosen në ambientet private. KQZ-ja dha autorizimin për ngritjen e qendrave të votimit në objekte private, në Njësinë Bashkiake Nr. 7, në bashkitë Rrogozhinë dhe Patos, sipas propozimeve të sjella nga drejtuesit vendorë.
24 Qershor 2009