E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 256 794 shqiptarë nuk do të kenë mundësi të votojnë

Vetëm 500 mijë shtetas nga 730 mijë pa pasaportë kanë mundur të aplikojnë. Problem për procesin mbetet edhe tërheqja e kartave nga aplikuesit

Shaban Sulçe

Mungesa e një pasaporte apo e një karte identiteti do të detyrojë rreth 8% të zgjedhësve shqiptarë që të privohen nga e drejta e tyre për të votuar. Asnjë prej 256 794 personave në fjalë nuk do të mund t’i drejtohet kutisë së votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pasi në Kodin e ri Zgjedhor thuhet se për të marrë pjesë në procesin zgjedhor zgjedhësi duhet të ketë si mjet identifikimi pasaportë ose kartë identiteti. Shifra zyrtare e personave që nuk do të mund të votojnë është publikuar dje nga Ministria e Brendshme. Kjo e fundit e ka dërguar listën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe partive politike. Ministria e Brendshme ka bërë gjithashtu të ditur se kanë aplikuar për letërnjoftimet 1 446 000 persona.

Listat
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, gjatë një konference për shtyp tha se ka përfunduar procesi i përpunimit të të gjitha të dhënave për qytetarët që aplikuan për letërnjoftime elektronike. Konja tha se në përfundim të këtij procesi, Ministria e Brendshme i ka dërguar KQZ-së dhe partive politike të interesuara listën emërore të zgjedhësve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik, listën emërore të zgjedhësve që kanë tërhequr letërnjoftimin si dhe listën e emërore të atyre zgjedhësve pa pasaportë, të cilët nuk u paraqitën brenda afatit të përcaktuar për të aplikuar.

Aplikimi
Telenovela e kartave të identitetit nuk pati fundin më të mirë të mundshëm. Nga 730 mijë shtetas pa pasaportë, vetëm 500 mijë prej tyre arritën të aplikonin në kohë, duke siguruar të drejtën për të votuar më 28 qershor, ndërkohë që rreth 257 mijë persona, duke mos pasur as pasaportë dhe as kartë identiteti, s’do të kenë mundësi që të votojnë. Kartat e identitetit u kthye në një mollë sherri midis Partisë Socialiste dhe qeverisë gjatë gjithë periudhës parazgjedhore. Fillimisht Partia Socialiste akuzoi qeverinë se po pengonte shtetasit pa pasaportë që të aplikonin, për shkak të çmimit fillestar prej 1200 lekësh, i konsideruar si i papërballueshëm për xhepat e shqiptarëve. Pas shumë presionesh politike, palët arritën të gjenin gjuhën e përbashkët dhe ta reduktonin çmimin në 200 lekë. Megjithatë, pavarësisht kësaj marrëveshjeje, procesi vijoi të kishte probleme, ndërkohë që interesi për të aplikuar nuk ishte në nivelet më të larta. Ministria e Brendshme u detyrua që të shtynte tri ditë nga afati i parashikuar procesin e aplikimeve, por pavarësisht kësaj shtyrjeje, rreth 257 mijë persona nuk aplikuan.

Tërheqja
Problemi i aplikimit për kartat e identitetit tashmë është zëvendësuar me problemin e tërheqjes së kartave nga personat që kanë aplikuar. Një numër mjaft i madh kartash vijojnë të mbeten stok, pasi personat që kanë aplikuar nuk kanë shfaqur interesin për t’i tërhequr ato. Kjo ka bërë që Ministria e Brendshme të bëjë një thirrje publike ndaj personave që kanë aplikuar për t’i tërhequr sa më parë kartat e identitetit. “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë qytetarëve shqiptarë të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet elektronike”, - tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Por edhe Partia Socialiste ka nisur një fushatë të gjerë sensibilizimi për të nxitur shtetasit që kanë aplikuar që t’i tërheqin sa më shpejt që të jetë e mundur kartat e identitetit.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›