E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Kamzë: “Do ti legalizojmë të gjitha shtëpitë informale”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me banorët e zonave informale në bashkinë e Kamzës. Kryesocialisti Edi Rama ka premtuar se qeverisja e ardhshme e PS-së do të angazhohet maksimalisht për të zgjidhur përfundimisht çështjen e legalizimit të banesave informale, për të kaluar më pas në urbanizimin e këtyre zonave. Përpara të pranishmëve Rama e akuzoi kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se i mashtroi banorët e këtyre zonave kur në zgjedhjet e vitit 2005 u premtoi legalizimin e shtëpive të tyre. “Si njerëz të rraskapitur nga vuajtjet dhe nga sfilitjet për të ndërtuar shtëpitë tuaja, me të cilat politika ka 18 vjet që luan; si njerëz që nuk keni ujë, po njësoj, si socialistë, si demokratë; si njerëz që nuk keni punë, po njësoj, si socialistë e si demokratë; si njerëz që nuk keni shkolla, kopshte, çerdhe për fëmijët tuaj, po njësoj, si socialistë e si demokratë, ju duhet të bashkoheni jo me një parti kundër një tjetre, por për veten tuaj, për njëri-tjetrin. Fëmijët tuaj do të jenë nesër qytetarë të Bashkimit Europian. Fëmijët tuaj duan të rriten si fëmijë të barabartë, mes fëmijësh të barabartë, të së njëjtës Republikë, që ka vetëm një flamur, flamurin kuqezi. Katër vjet më parë Sali Berisha erdhi këtu dhe ju tha se brenda vitit të parë të qeverisjes së tij ai do t’i legalizonte të gjitha shtëpitë tuaja. Ku i keni legalizimet? Kanë kaluar katër vjet. Ku janë tapitë e të gjitha shtëpive tuaja këtu në Kamzë, në të gjithë Bathoren, në Paskuqan, në Kënetën e Durrësit dhe kudo ku janë zonat informale? Sali Berisha, këtu në Kamzë dhe në Bathore, nuk do vijë për të treguar sa bukur do ta bëjë Kamzën dhe Bathoren nesër, por për të treguar se përse nuk i bëri legalizimet tuaja në katër vjet, ndërkohë që ju a premtoi qysh në vitin e parë. Ato shtëpi duhet të ishin legalizuar dhe ato shtëpi do të legalizohen që të gjitha”, - tha kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›