E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e TVSH-së, bizneset deklarojnë falimentimin për tiu shmangur pagesës



Ervin KOÇI

Ndryshimet e fundit në ligjin për TVSH-në kanë prekur që të gjitha subjektet private që deri një vit më parë konsideroheshin si biznese të vogla dhe që nuk e paguanin këtë taksë. Por ndryshimi i pragut të xhiros vjetore dhe ulja e tij nga 8 në 5 milionë lekë në vit, ka bërë “kërdinë” në mbylljen e subjekteve private. Këto të fundit “detyron” që ta fshijnë emrin nga listat e subjekteve aktive, në mënyrë që t’u shmangen detyrimeve. Të dhënat operative nga Qendra Kombëtare e Regjistrimeve (QKR) tregojnë se gati 3600 biznese kanë kërkuar të çregjistrohen, duke nisur sërish procedurat për t’u regjistruar me një emër tjetër. Ky veprim u shmang atyre pagesën e TVSH-së, si dhe detyrimet e tjera që lindin nga ligji i ri. Këtë fakt e pranoi dy ditë më parë dhe Drejtoresha e Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, Belinda Ikonomi, gjatë një takimi që zhvilloi me përfaqësues të biznesit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Sipas saj, “për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH-së ka pasur në fillim të këtij viti, një numër të madh biznesesh që kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për t’i shpëtuar pragut të TVSH–së çka na ka hapur mjaft problem si administratë tatimore lokale”.

Ankesat
Bizneset që e zhvillojnë aktivitetin privat në Tiranë deklarojnë rënie aktivitetit, humbje të xhiros dhe rrezik falimenti. Kriza ekonomike e vitit 2009 është reflektuar në aktivitetin e sektorit privat, që shtrihet gjerësisht në metropolin shqiptar, ku dhe numri i bizneseve është tepër i madh. Shifrat e fundit tregojnë se shumë biznese, kryesisht të vogla, gjenden në vështirësi serioze, jo vetëm si pasojë e krizës ekonomike, por edhe të politikave aspak favorizuese të qeverisë. Sipas Tatimeve, nga deklaratat e deritanishme tatimore, gati 38 për qind e bizneseve raportojnë humbje të aktivitetit. Shumë biznese u ankuan për mungesën e informacionit në marrjen e vendimeve për politikat fiskale. Futja e bizneseve të vogla me prag xhiro 5 milionë lekë, me TVSH, e vështirëson mirëmenaxhimin e të ardhurave të kësaj kategorie. Udhëzimi i dalë më 9 mars, rreth 20 ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e bilancit ka çorientuar totalisht bizneset, jo vetëm për kohën e pamjaftueshme në dispozicion, por edhe të kostove shtesë që kërkon ekonomisti etj. Procesi i vetë-deklarimit të xhiros filloi më 9 mars dhe mbyllet më 31 mars pra pas një jave. Në rang vendi janë rreth 50 mijë biznese të vogla, ku gati 12 mijë biznese janë në Tiranë.

Gjobat
Sipas procedurave tatimore, biznesi i vogël gjobitet me 10 mijë lekë në rast se nuk e dorëzon në kohë bilancin, kurse biznesi i madh ndëshkohet me 40 mijë lekë. Ndërkohë për biznesin e vogël problem janë bërë dhe taksat që rriten çdo vit nga organet e pushtetit lokal. Niveli i taksave dhe tarifave që aplikojnë njësitë vendore, sipas subjekteve private, nuk janë asnjëherë transparente. Drejtuesit e bashkisë së Tiranës kanë pranuar nivelin në rritje të detyrimeve tatimore, si masë për mirëmenaxhimin e buxhetit, por nga ana tjetër shtuan se do të rishikojnë tarifën për gjelbërimin. Duke u ndalur konkretisht te taksat që paguan një biznes për reklamën, u tha hapur se pjesa dërrmuese e kompanive që menaxhojnë publicitetin përmes tabelave, janë vënë në vështirësi dhe janë gati të mbyllin aktivitetin. Aktualisht bizneset duhet të paguajnë 1 mijë lek për metër katror për çdo reklamë që vendosin në rrugë. Kjo ka bërë që një numër i madh kompanisë që merreshin me biznesin e reklamave dhe billbordeve në rrugë nacionale dhe qytetet e mëdha, të tërhiqen nga ky biznes. Ka mjaft kosto dhe kjo ka reflektuar dhe në të ardhurat e bashkisë, pasi një pjesë e mirë e billbordeve në rrugët nacionale apo autostradë janë bosh, pikërisht për shkak të kostos së lartë.

Biznesi shqiptar merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ushqimit në Itali

Në panairin ndërkombëtar "Euro&Med Food", që hapet nga data 25-28 mars, në qytetin e Foxhias, Itali nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Artizanatit të Foxhias, prezantohet dhe biznesi agro-ushqimor shqiptar, nën kujdesin e zyrës “Unioncamere Puglia” në Shqipëri. Në edicionin e 5-ë të këtij panairi, vitrina prestigjioze e prodhimeve agro-ushqimore janë realizua nga biznesmenë të trevave me traditë në këtë fushë, ku ndër të tjera spikati cilësia e ushqimeve dhe novacionet në teknologjinë e prodhimit .
Kompanitë shqiptare, pjesëmarrëse në panair po shfaqin një interes të madh për produktet italiane në përgjithësi dhe në veçanti të produkteve të Foxhias. Prodhimet e kësaj zone aktualisht janë të njohura në tregun shqiptar dhe sidomos, makaronat, salcat, vaji i ullirit, proshutat, djathi dhe vera. Për çdo ekspozues shqiptar, është vënë në dispozicion një stendë 7 m2 me një çmim prej 400 euro në total për të gjitha ditët e panairit. Kontratat që priten të arrihen në këtë eveniment të agro-industrisë dhe sidomos marrëveshjet për zhvillimin e tregtisë për këto produkte, të kombinuara me transportin dhe magazinimin, pritet të tregojnë dhe një herë se tregu ushqimor shqiptar është i drejtuar nga prodhimet italiane tradicionale. Megjithatë biznesi shqiptar, gjatë takimeve të ndryshme, pritet të tregojë interes dhe për prodhimet artizanale, të cilat kanë jo vetëm cilësi të lartë, por dhe hyjnë në prodhimet tipike të rajonit.

Operatorët turistikë shqiptarë i kërkojnë qeverisë rishikimin e taksave

Pavarësisht se jemi tre muaj larg fillimit të sezonit turistik veror, operatorët privatë ngrenë shqetësimin për masat që duhet të marrë qeveria. Duke marrë si shembull vendet e tjera që lagen nga deti Adriatik dhe ai Mesdhe, me të cilat Shqipëria përpiqet të bëjë konkurrencë, vihet re niveli i ulët i taksës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. “Aktualisht bizneset shqiptare te hotelerisë dhe restoranteve, që aplikojnë regjimin e TVSH-së, nuk mund të thuhet se ofrojnë shërbime me çmime konkurruese për të njëjtën cilësi shërbimi krahasuar me fqinjët apo vendet e tjera europiane”, thotë Jak Topuzi, President i Sektorit të Akomodimit, në Shoqatën Shqiptare të Turizmit. Taksa e TVSH-së prej 20 për qind në Shqipëri, për çmim dhome, krahasuar me Turqinë (8 për qind), Greqinë (6-9 për qind), Malin e Zi (7 për qind), Italinë (10 për qind), Francën (5.5 për qind), Maltën (5 për qind) etj., është 200-400 për qind më e lartë. Krahas TVSH-së, taksat lokale si 5 për qind e çmimit të fjetjes në hotel, pagesat relativisht të larta të transaksioneve bankare (komisioni për kartat e kreditit 2-4.5 për qind), çmimi i energjisë elektrike, karburantit për ngrohje etj., e bëjnë sektorin e hoteleve të diskriminuar. E njëjta situatë paraqitet dhe me restorantet. Prej vitesh hotelet dhe restorantet në vendet e BE-së, sipas direktivave të Komisionit Europian (Direktivës 2006/112/EC), kanë mundësinë të jenë subjekt i TVSH-së reduktuar. Rreth 20 vende të BEA-së nga 27 gjithsej, kanë një TVSH-ë më të vogël ose baras me 10 për qind për hotelet, kryesisht ato të Mesdheut.

Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 23.03.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.70%
12M 12-mujor 7.51%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.57%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.51%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.89%
1Ë njëjavor 6.19%
o/n njëditor 5.89%
12M 12-mujor 9.30%
6M 6-mujor 8.02%
3M 3-mujor 7.21%

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›