Centrali bërthamor, Berluskoni: “Do të ndërtohet në Shqipëri”
BARI - “Referimi im mbi krijimin e një centrali bërthamor në Shqipëri është një refleksion më i thellë dhe inkuadrohet në një projekt bashkëpunimi me një vend mik”. Kështu ka deklaruar kryeministri italian Silvio Berluskoni, në një intervistë të publikuar dje në faqen on-line të “Gazzetta del Mezzogiorno” në Itali. Berluskoni i është përgjigjur pyetjes së gazetarit: “Nuk rrezikohet nëse i besohet një shteti tjetër drejtimi i energjisë kombëtare të shtetit italian?”. Duke përforcuar idenë, Berluskoni deklaroi më tej se, këto hipoteza janë shqyrtuar tashmë në nivel teknik dhe nga BIE (Banka Europiane e Investimeve). Kryeministri italian hodhi poshtë idenë e ndërtimit të centralit në Pulia, ku si qendra e majtë dhe qendra e djathtë kundërshtojnë ndërtimin e tij aty. “Duhet të sqarojmë se Pulia nuk ka nevojë për një central bërthamor pasi rajoni i vetëpërmbush
nevojat energjetike. Besoj se Italia duhet të shikojë mundësinë që të ulë kostot e energjisë elektrike, dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi ynë procedon me ndërtimin e një centrali bërthamor që të qëndrojnë jashtë lojës së karburantit”. Sipas Berluksonit, ndërmarrjeve italiane energjia i kushton 30% më shumë se mesatarja europiane. “Kjo do të thotë se produktet italiane dalin nga fabrika me një kosto që nuk mund ta përballojmë më”, - tha Kavalieri.
Ideja e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri nuk është re. Vetë kryeministri Berisha disa herë është deklaruar i gatshëm për nisjen e procedurave për ndërtimin e një projekti të tillë. Qeveria shqiptare pak ditë më parë miratoi vendimin për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të kryeministrit, e cila synon t’i hapë rrugën ngritjes së infrastrukturës për centralin bërthamor në vend. AKOB do të zhvillojë programin bërthamor, përfshi këtu ngritjen e një infrastrukture të nevojshme për centralin bërthamor, vendin ku do të ngrihet centrali, si dhe përgatitjen e përzgjedhjen e një stafi, sipas nevojave.
25 Mars 2010