E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë europiane, apel palëve për transparencë të zgjedhjeve



Shqetësimin mbi situatën politike në vend e kanë shprehur dje përmes një deklarate udhëheqësit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Grupi i PE-së u bën apel të gjitha forcave politike që të arrijnë transparencën e plotë të procesit elektoral, si një bazë e qëndrueshme për përmirësime të rëndësishme në mënyrën se si do të organizohen zgjedhjet në të ardhmen, duke bërë që ato të përmbushin standardet ndërkombëtare.
Deklarata
Në deklaratën e europianëve thuhet se pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë nuk është dhënë ende nga ana e partive të maxhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive te votimit, mbi mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Sipas tyre, Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet europiane të vendit. “Theksojmë po ashtu se rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht dhe se duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës me synimin për të forcuar procesin e integrimit europian të vendit”, - thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit
Zëvendëspresidentët e Grupit, Severin dhe Svoboda, përsëritën vullnetin e tyre që, nëse është e mundur, së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE në Parlamentin Europian, të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar. Edhe në deklaratat e mëparshme partitë europiane kanë shprehur zhgënjime dhe shqetësime për konkluzionet e hetimit të Prokurorisë për manipulimin elektoral në fshatin Ruzhdie (qarku Fier), ku është gjetur se 70% e votave janë manipuluar. Partitë Socialiste Europiane janë shprehur se edhe nëse ky do të ishte një rast i izoluar i manipulimit elektoral, ky rast do të ishte sërish shumë. Në sferën e transparencës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ato kanë nënvizuar faktin se kreu i PS-së, Rama, pranon vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe që nuk është objektivi i partisë së tij të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve.

Berisha urdhëron asfaltimin nga qeveria të sheshit “Skënderbej”

Kryeministri Sali Berisha urdhëron asfaltimin e sheshit “Skënderbej” në qendër të Tiranës, i cili prej kohësh është dëmtuar. “Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre, është në një gjendje katastrofave. Nuk ka një vend të botës, ju garantoj unë që t’i bini planetit nga Veriu në Jug nga Lindja në Perëndim, nuk gjeni dot një kryeqytet si ku i yni, ku rrugëtimi në shesh është si një horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit”, - deklaroi gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë kryeministri Berisha. Duke akuzuar se lobe të caktuara po e lënë sheshin kryesor të kryeqytetit në gjendje të mjeruar, Berisha urdhëroi marrjen e përgjegjësisë nga kabineti i tij. Ai tha se do të përdoren paratë e fondit prej 10 milionë dollarësh që qeveria kuvajtiane ka vënë në dispozicion prej dy vitesh. “Nuk mundet që lobe të caktuara të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë. Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë dollarë për sheshin dhe kalohet nga gropa në gropë. Të skuqet faqja të shkosh nga xhamia te hotel ‘Tirana’. Nuk ka qendër komune në Shqipëri që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës”, - u shpreh Berisha. Ai shtoi se derisa të miratohen planet e rikonstruksionit të këtij sheshi, ai do të asfaltohet nga qeveria. “Sa të bëhen planet, të shtrojmë një shtresë të mirë asfalti që të mos e turpërojmë vendin. Nuk mund ta lëmë sheshin në atë gjendje”, - është shprehur kreu i qeverisë, ndërsa urdhëroi vendosjen e kontakteve me qeverinë vendore të Tiranës për të marrë vendimin për të sheshin.

PE: Liberalizimi i vizave për shqiptarët, para verës

Delegacioni monitorues i Parlamentit Europian shprehet në favor të liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Kreu i këtij Delegacioni, Eduard Kukan, thotë se Tirana zyrtare i ka plotësuar kushtet teknike të nevojshme dhe në këtë pikë duhet ecur përpara me procesin. “Mund të them se ne jemi të impresionuar me instrumentet teknike që janë të nevojshme për heqjen e vizave afatshkurtra. Ne i kemi parë dhe çdo gjë po ecën siç duhet. Komisioni Europian është shprehur që në fillim se ka vetëm kushte teknike, dhe jo të tjera. Atëherë, nëse këto kushte teknike janë plotësuar, unë jam në favor të heqjes së vizave”, - tha Kukan. Ndërkaq, zv.presidenti i delegacioni, Jelko Kacin, thotë se do t’i kërkohet Komisionit Europian dhe Këshillit të bëjnë propozimin për heqjen e vizave për shqiptarët në fillim të pranverës. Nga ana tjetër, Kacin bën thirrje edhe për përmirësim të klimës politike në vend, duke nënvizuar se pjesa politike përbën një pjesë të procesit për liberalizimin e vizave. “Teknikisht ju i përmbushni kushtet, por ku i dihet se kur do të hiqen vizat. Qytetarët shqiptarë duan heqjen e vizave tani. Pra ka dhe një pjesë politike të procesit dhe ne duam ta përshpejtojmë këtë proces. Ne po i kërkojmë Komisionit Europian dhe Këshillit të bëjë propozimin jo sa më shpejt të jetë e mundur, por në fillim të pranverës. Fillimi i pranverës është tani punë orësh. Duhet që klima politike në vend të përmirësohet sa më shpejt. Pranvera erdhi. Dimri shkoi. Është vërtet momenti që të provohet se sa pranvera në Shqipëri do të jetë shumë më premtuese sesa dimri”, - tha Kacin.

25 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›