E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re për dëmshpërblimet

08/03/2009  Ish të përndjekurit politikë, dokumentet shtesë që duhen plotësuar për të përfituar

Ministria e Drejtësisë depoziton draftin më të ri për këtë kategori qytetarësh

Nipërit dhe mbesat e ish-të dënuarve politikë, në mungesë të këtyre të fundit, për të përfituar dëmshpërblim do të duhet të depozitojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumente nga gjendja civile, që provon të gjithë trungun familjar të gjallë të ish-të dënuarit deri në radhën e tretë të trashëgimtarëve. Propozimi është paraqitur si një ndryshim i ligjit bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë nga Ministria e Drejtësie në Kuvendin e Shqipërisë. Drafti, i cili përfshin edhe ndryshime të tjera ligjore, është hartuar pas amendamentit që deputeti i PD-së Astrit Bushati bëri për zgjerimin e përfituesve dhe shtyrjen e afatit të pranimit të dokumentacionit të subjekteve të ligji. Ai është parashikuar të diskutohet në Komisionin e Ligjeve më datën 10 të këtij muaji. Nga Konferenca e Kryetarëve miratimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007, «Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve nga regjimi komunist” është parashikuar të realizohet seancën e 12 marsit.

Projekti

Me qëllim zgjerimin e përfituesve, qeveria kërkon ndryshimin e nenit 20 të projektit, duke përcaktuar si detyrim për kërkuesit e dëmshpërblimit paraqitjen e dokumentacionit nga gjendja civile, që provon të gjithë trungun familjar të gjallë të ish-të dënuarit deri në radhën e tretë të trashëgimtarëve (që përfshin fëmijët e vëllezërve dhe të motrave). Në këtë mënyrë përjashtohet nga lista e dokumenteve zëvendësuese dëshmia e trashëgimisë. Në projekt përfshihet edhe familjarët e klerit katolik, vëllezërit dhe motrat e tyre, prindërit, pasi, siç dihet, kleri kaotik nuk ka trashëgimtar. Zgjerimi i përfituesve deri në këtë radhë trashëgimie sigurisht që do të japë pasoja te masa e dëmshpërblimit përkatës që secili prej tyre do të përfitojë. Nga rezultatet e deritanishme të Ministrisë së Drejtësisë, masa mesatare e dëmshpërblimit varion 5–6 milionë lekë dhe kësaj mase i zbriten përfitimet e mëparshme të marra nga ish-i dënuari politik, që variojnë mesatarisht 1–2 milionë lekë. Për këtë pikë në komision për të dhënë mendimin e saj do të jetë përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, drejtoresha për Buxhetin Mimoza Dhëmbi. Në Ministrinë e Drejtësie, sipas të dhënave zyrtare, janë paraqitur rreth 460 kërkesa, nga motra, vëllai, nipi apo mbesa, dhe që janë trajtuar me “njoftim negativ”. Për sa i takon shtyrjes së afatit që deputeti Bushati ka propozuar për paraqitjen e dokumentacionit për përfitimin e dëmshpërblimit, Ministri i Drejtësisë sugjeron të ndryshohen edhe përmbajtja e dispozitave përkatëse për t’i përputhur me afatin e ri të paraqitjes së kërkesave që propozon nisma.

Procedurat

Ndryshimet e reja ligjore nga Partia Demokratike vijnë vetëm pak muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Çuditërisht, nisma e deputetit Bushati është përkrahur nga kjo forcë politike, ndonëse në kohën kur ajo u miratua rrëzoi propozimet e deputetëve të opozitës për zgjerimin e skemës së personave që përfitojnë nga dëmshpërblimi i shtetit. Ende nuk dihet se si do të vijojë më tej kjo nismë, në kohën kur Ministria e Drejtësisë shtyn me disa muaj afatet dhe Ministria e Financave ka parashikuar që në 15 mars të realizojë shpërndarjen për 1444 përfituesit e parë. Nisma në fjalë u diskutua në Komisionin e Ligjeve para tri javëve, ku pas dëgjimit të palëve komisioni vendosi rakordimin e propozimeve të nismëtarit me ato të Ministrisë së Financës dhe me të Ministrisë së Drejtësisë. Deri më 19 dhjetor 2008 pranë Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur gjithsej 17 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar dhe pas këtij afati 665 kërkesa.

Drafti i ri

Neni 4 shkronja d) ndryshon si më poshtë:

d) sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë. Ky kriter zbatohet vetëm për veprimet e kryera pas luftës.

Neni 5 shtohen pika c ndryshon si më poshtë:

c) Në nenet 2, 3, 4, 6, 7, 8 dhe 9 të ligjit nr. 372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.

Neni 20 paragrafi i fundit ndryshon si më poshtë:

Për ish të dënuarit, që nuk jetojnë, apo familjarët e viktimave, kërkuesi paraqet dokumentacionin nga gjendja civile që provon të gjithë trungun familjar të gjallë të ish të dënuarit deri në radhën e tretë të trashëgimtarëve.

Neni 19, ndryshon si më poshtë:

1. Brenda datës 01.07.2009 ish të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, që plotësojnë kriteret e neneve 4 e 5 të këtij ligji, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë.....

2. Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit.........

Sipas këtij ligji ish i dënuari politik i regjimit komunist, kujdestari i tij ligjor apo familjari i viktimës së pushkatuar nuk mund të rivendosen në afat, për paraqitjen e kërkesës, pas datës 01.07.2009.

Neni 23 paragrafi i dytë ndryshon si më poshtë:

“Pas datës 01.07.2009, pasi janë kryer rakordimet përkatëse ndërmjet Postës Shqiptare sha, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë........

Neni 32 ndryshon si më poshtë:

“Në ligjin e buxhetit planifikohen fondet vjetore për zbatimin e këtij ligji. Këshilli i Ministrave, brenda 19 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, saktëson faturën financiare të dëmshpërblimit dhe i propozon Kuvendit skemën 8-vjeçare të shpërndarjes së fondeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›