Skema e rritjes së pensioneve për 4 vjet
09/02/2010 Qeveria miraton projektin dhe skemën që do të zbatohet deri në fundin e mandatit
Treguesit fiskalë makroekonomikë për vitet 2011-20013 parashikojnë një rritje të fondeve që do të akordohen nga buxheti i shtetit për mbulimin e politikave për pensionet. Për vitin aktual është përcaktuar që rreth 2.7 milionë lekë nga buxheti i shtetit do të shkojnë për zërin e pensioneve, duke përfshirë këtu edhe rritjet e parashikuara për këtë vit. Ndërsa për vitin pasardhës, fondet nuk do të pësojnë rritje, por do të mbeten në nivelin e 2.600 milionë lekëve. Por ky fond do të pësojë rritje të konsiderueshme për 2012-ën, me gati 1.5 herë më shumë. Konkretisht për këtë vit është parashikuar se fondi që do të merret nga buxheti i shtetit për politikat e pensioneve të kapë shifrën e 4.000 milionë lekëve. Shifër e cila do të pësojë një rritje sërish në vitin 2013, ku llogaritet të arrijë në nivelin e 6000 milionë lekëve. Këto ndryshime të treguesve fiskalë për sistemin makroekonomik do të përcaktojnë jo vetëm rritjen e masës së pensionit që do të jepet për secilën kategori, por edhe përfshirjen në skemë të përfituesve të rinj, që do të bëhen pjesë e skemës për këto vite të planifikuara. Sipas përcaktimeve të bëra, në buxhet është parashikuar gjithashtu që në vitin 2012 e në vazhdim do të ketë një rritje të numrit të pensionistëve me rreth 4 mijë persona në vit, që lidhet me përfundimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension. Vendimi më i fundit i miratuar nga kabineti qeveritar në nisje të muajit janar përcakton Ministrinë e Financave si organin përgjegjës për detajimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit të buxhetit afatmesëm për njësitë e qeverisjes qendrore dhe fondet speciale që do të përdoren prej tyre.
Rritja
Tashmë është konfirmuar zyrtarisht që politika e rritjes së pensioneve do të vijojë të zbatohet edhe gjatë 2010-ës. Skema e rritjes do të jetë e përshkallëzuar në varësi të llojit të përfitimit, por treguesit përcaktojnë një rritje nga 7-15 për qind. Sipas të dhënave të deklaruara nga Ministria e Punës, pak kohë më parë është bërë e ditur që do të realizohen përmirësime në projektbuxhetin afatmesëm dhe atë të këtij viti, çka do të lejojë arritjen e objektivit që pensionet e qytetit të rriten 10 për qind çdo vit, ndërsa pensionet e fshatit të rriten 15 për qind në vit. Mbështetur edhe në parashikimet e projektbuxhetit afatmesëm 2010-2012, rritja e pensioneve për vitin 2010 është parashikuar në masën 7 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin. Ndërkohë që duket se do të jenë vitet 2012 dhe 2013 që do të shënojnë një përqindje shumë më të madhe të rritjes së pensionit. Kjo, duke parë dyfishimin e fondit të parashikuar në buxhet, si dhe numrin e përfituesve, i cili ka një rritje jo shumë të ndjeshme.
Përafrimi
Po ashtu, rritja e pensioneve për vitet në vazhdim 2011, 2012 e 2013 është parashikuar të jetë në masën 6 për qind për qytetin dhe 15% për fshatin. Do të vijojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke synuar përafrimin e masës së përfitimit për të dyja llojet e pensioneve. Ndërsa për fermerët është parashikuar që “megjithëse kontributet e tyre do vazhdojnë të rriten, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët, me synimin që për ata që do të dalin në pension në vitin 2013 do të kenë kushte të njëjta me pensionistët e qytetit, duke marrë kështu përfitimin maksimal.
Rritja e 2010-ës
Për vitin 2010 është përcaktuar tashmë skema e rritjes së pensioneve për secilën nga kategoritë përfituese. Rritja maksimale edhe këtë vit do të shkojë në favor të pensionistëve të fshatit. Për këta të fundit është përcaktuar një rritje në masën 15 për qind të përfitimit aktual. Ndërsa rritja për pensionet e qytetit do të vijojë të jetë me ritme më të ulëta. Për këtë kategori përfituesish është përcaktuar që masa e rritjes së pensionit për vitin aktual të mos jetë më lartë sesa 7 për qind. Kjo, për të mos rritur më tej disbalancat ndërmjet dy kategorive.
Rritja në vite
Për të zbatuar ndryshimet e reflektuara në treguesit makroekonomikë për vitet 2011-2013, ka nisur puna për përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore që parashikojnë rritjen e përfitimeve për disa kategori, ku bëhet fjalë “për rritjen e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare në qytet me 10 për qind në vit. Gjithashtu, këto akte do të përgatiten edhe për rritjen e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare në fshat me 15 për qind në vit. Ndërsa përfitimet nga trajtime të veçanta me rreth 10 për qind në vit”.
Përfituesit e rinj
Politikat e rritjes së pensioneve, si element i rëndësishëm i mbrojtjes sociale, do të vazhdojnë me një ritëm mesatar rritjeje prej 10 për qind. Është parashikuar që në vitin 2012 e në vazhdim do të ketë një rritje të numrit të pensionistëve me rreth 4 mijë persona në vit, gjë që lidhet me përfundimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension. Gjithashtu të ardhurat kontributive parashikohet të rriten mesatarisht me 12-15 për qind në vit, duke arritur që në vitin 2013 të jenë
rreth 50 për qind më të larta se tani.
Tabela e rritjes së fondeve për politikat e pensioneve
Viti 2010 2.700
2011 2600
2012 4000
2013 6000
Ndryshimi i moshës së pensionit deri më 2014
Skema e rritjes së moshës së daljes në pension parashikon që deri në vitin 2014 të ketë përfunduar rritja maksimale e moshës së pensionit për punët e kategorisë së dytë dhe të tretë. Ndërsa për punët e kategorisë së parë rritja e moshës së daljes në pension do të vijojë në mënyrë graduale edhe për rreth tetë vjet të tjerë. Konkretisht, për përfituesit e rinj, që janë në prag të ligjërimit të së drejtës së pensionit, për këtë vit arrihet kur mbushin moshën 58 vjeç për burrat dhe 53 vjeçe për gratë (për kategorinë e parë). Ndërsa për kategorinë e dytë mosha e daljes në pension për burrat është 63 vjeç dhe për gratë 58 vjeçe e 6 muaj. Për kategorinë e tretë mosha e daljes në pension për burrat është 64 vjeç, ndërsa për gratë 59 vjeçe. Kushtet për daljen në pension gjatë vitit 2011-2012 përcaktojnë një tjetër rritje të moshës së përfitimit me një vit më shumë për gratë, për të tria kategoritë e punëve. Në të njëjtën linjë do të vijojë edhe rritja e moshës për burrat, ku rritja maksimale do të përfundojë më 2013-2014 për punët e kategorisë së dytë dhe të tretë. Ndërsa për profesionet që përfshihen në grupin e parë rritja do të vijojë deri më 2023.
Ligji për ndihmën dhe shërbimet shoqërore
Ndihmë ekonomike edhe për viktimat e trafikimit
Viktimat e trafikimit do të bëhen pjesë e paketës së ndihmës ekonomike. Ndërsa qendrat që ofrojnë shërbime për këtë kategori do të mbështeten financiarisht nga shteti. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” do ti shtohen një sërë ndryshimesh në lidhje me kategoritë përfituese, ku shtohen edhe viktimat e trafikimit. Kostoja financiare për përfshirjen në programin e ndihmës ekonomike për rreth 105 persona viktima të trafikut është rreth 3.3 milionë lekë, ndërkohë që çdo person do të trajtohet me një pagesë mujore prej 2600 lekësh në muaj. Ofruesit e shërbimeve të përkujdesit shoqëror (Institucionet e Përkujdesit Shoqëror –IPSH) për viktimat e trafikimit ose personave në rrezik trafikimi, të ngritura nga OJF-të dhe financuara nga donatorë të ndryshëm, së shpejti do të mbështeten nga shteti si në planin financiar, ashtu dhe atë administrativ. Sipas Naços, është propozuar ngritja e njësive mbikëqyrëse të administrimit të shërbimeve për këtë kategori në nevojë, të cilat do të kryejnë aktivitetin e tyre pranë katër IPSH-ve: në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër. Këto të fundit do të monitorohen nga një tjetër njësi qendrore e shërbimit social.
Unversiteti i Tiranës / Dhoma e Tregtisë
Memorandum bashkëpunimi për punësimin e studentëve
Dhoma e tregtisë hap dyert për trajnimin dhe punësimin e studentëve. Kjo nismë tashmë është finalizuar me marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet rektorit të UT-së, Dhori Kule, e kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim mes dy institucioneve në ndihmesën e biznesit shqiptar, që gjendet i grupuar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, si edhe të studentëve e pedagogëve të këtij universiteti. "UT-ja me të gjitha kapacitetet e tij, qoftë në studentë, pedagogë apo kërkim shkencor, do të bashkëpunojë me Dhomën e Tregtisë në ofrimin e studentëve më të mirë, tashmë jo vetëm për stazh. Ky memorandum i shërben në radhë të parë studentëve dhe pedagogëve të universitetit, sikurse edhe bizneseve”, ka deklaruar rektori.
Ndërsa Jakaj ka premtuar se bizneset që janë pjesë e këtij grupimi jo vetëm do të ndihmojnë, por do të orientojnë e do të ofrojnë bursa për studentët e talentuar deri në përfundim të studimeve të tyre, duke u siguruar edhe një vend pune pas diplomimit.
Memorandumi i bashkëpunimit është i pari që nënshkruhet mes dy institucioneve, dhe ka si bazë shkëmbimin e informacionit, ndihmesën e biznesit, rritjen e kërkimit shkencor dhe evidentimin e studentëve më të talentuar, me qëllim shërbimin e dyanshëm për të dyja institucionet.
Përmbytjet në Qarkun e Shkodrës
Arsimi mbledh 250 milionë lekë në ndihmë të banorëve
Rreth 250 milionë lekë është shuma e mbledhur nga drejtuesit e shkollave të arsimit parauniversitar në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës. Kreu i MASH-it, Myqerem Tafaj, ka zhvendosur në Shkodër mbledhjen me krerët e 37-të drejtorive dhe zyrave arsimore të vendit, duke përzgjedhur komunën më të prekur nga përmbytjet, atë të Dajçit, për të dhënë donacionet që kapin shifrën e 250 milionë lekëve. Këto fonde janë mbledhur nga kontributet e dhëna prej të gjithë arsimtarëve, si dhe nxënësve e prindërve përgjatë dy javëve të fundit. Gjatë vizitës së zhvilluar në shkollën 9-vjeçare “Pjetër Gaci”, ministri Tafaj ka nënvizuar faktin e zhvillimit normal të procesit mësimor në të gjithë qarkun, teksa ka kërkuar ndihmën e duhur në përdorimin me efikasitet të këtyre fondeve në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit arsimor. Ndërkaq, gjatë gjithë kësaj periudhe këto institucione kanë dërguar në shkollat e kësaj zone të prekur nga përmbytja ndihma të tjera në ushqime, veshmbathje, materiale shkollore, kompletim të bibliotekave me libra artistikë etj. Qarku i Shkodrës pësoi dëmtime serioze në 18 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, si shkak i përmbytjeve të ndodhura në janar të vitit 2010.