E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksionet shtetërore, gati shitja

09/02/2010  Qeveria vendos të nxjerrë në shitje pjesët e mbetura nga kompanitë e privatizuara
Këtë vit përgatitet strategjia për kalimin e KESH-it dhe Albetrolit te privatët
Brenda këtij viti qeveria shqiptare do të heqë dorë nga pjesët e aksioneve shtetërore në ish-kompanitë që janë privatizuar, si dhe do të hartojë strategjitë për privatizimin e Korporatës Elektrotroenergjetike Shqiptare dhe asaj të naftës Albpetrol. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, gjatë këtij viti qeveria do të nxjerrë në shitje edhe 24 për qind të aksioneve shtetërore të mbetura në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, 25 për qind të aksioneve të Albtelekomit si dhe të 15 për qind të aksioneve në kompaninë ARMO. Ndërkohë një ndër objektivat kryesor për këtë vit do të vazhdojë të mbetet privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG. Tashmë qeveria shqiptare e ka vendosur si objektiv kryesor realizimin e privatizimeve të të gjitha aksioneve shtetërore dhe pritet që brenda tremujorit të parë të fillojë ky proces. Aktualisht ka nisur procesi i inventarizimit dhe vlerësimit të të gjitha aseteve të kompanive me kapital shtetëror, atyre me kapital të pjesshëm shtetëror si dhe të pronave publike, me qëllim që brenda një periudhe të shkurtër të privatizohen pothuaj të gjitha aksionet e tyre. Ndërkohë që parashikohet që të ardhurat që do të merren nga këto shitje të jenë të kënaqshme, duke pasur parasysh se të gjitha kompanitë e privatizuara rezultojnë me bilance shumë të mira. Me anë të kësaj strategjie qeveria shqiptare do të heqë dorë nga këto kompani dhe vëmendja e saj do të përqendrohet në vënien në efiçencë të sektorëve të tjerë siç janë hekurudhat apo edhe sektorët e shërbimeve. Nga ana tjetër të ardhurat që do të përfitohen prej këtij procesi mendohet të kalojnë për investimet publike dhe kryesisht për infrastrukturën. Gjithashtu pritet që një pjesë e këtyre parave të kalojnë për fondin e kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara, e cili pritet të pësojë sërish rritje në vitin e ardhshëm. Qeveria shqiptare ka arkëtuar rreth 280 milionë euro nga shitja e ndërmarrjes së prodhimit dhe përpunimit të naftës (ARMO) dhe privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë.
Ndarja e KESH-it, hapi drejt privatizimit
Në vitin 2001 u aprovua statuti i ri i KESH sh.a sipas të cilit kërkohej të bëheshin ndryshime organizative sipas direktivave të Bashkimit Evropian, si kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në Evropë. Një ndër kushtet është përgatitja për privatizim e sektorit elektro-energjetik, duke bërë fillimisht ndarjen mbi baza funksionale: Prodhim, Transmetim, Shpërndarje. Aktivitetet e mëvonshme kanë rezultuar në krijimin e kompanisë ligjërisht të ndarë OST. Ajo është një shoqëri anonime e krijuar si rezultat i ndarjes së aktivitetit të transmetimit nga KESH. Pas privatizimit të OSSH-së, dhe ristrukturimit të KESH-it, tashmë qeveria po mendon pikërisht për privatizimin e këtij të fundit në mënyrë që energjia të kalojë totalisht në duart e investitorëve privatë.
INSIGU
Privatizimi i kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG do të kalojë nëpërmjet një fushate agresive marketingu me synim rritjen e vlerave të saj. Në ndryshimet ligjore që janë bërë për privatizimin e kësaj kompanie pas tërheqjes së kompanisë amerikane është përcaktuar se në privatizim mund të marrin pjesë edhe kompanitë vendase të sigurimeve. Për këtë qëllim INSIG do ti nënshtrohet një procesi tjetër tenderi ndërkombëtar privatizimi, ndërsa për blerjen e tij mund të përfshihen në garë edhe kompani vendase. Ligji i ri për shitjen e kompanisë është më fleksibël. Nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar.
Buxheti i shtetit ka përfituar 8 milionë dollarë nga shitja e 40 për qind të aksioneve në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë, pjesë e Bankës Islamike për Zhvillim, IDB. Kjo shitje është vlerësuar si një ndër më të suksesshmet.
Plot 50 milionë euro ka përfituar qeveria shqiptare nga privatizimi i aksioneve shtetërore në kompaninë e telefonisë celulare AMC. Kjo vlerë u përfitua nga shitja e 13 për qind të aksioneve të AMC, të cilat u blenë nga vetë kompania.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›