Skema e trafikut të armëve me postë
Agim Shëngjoni kishte postuar armët nga Holanda në adresën e tij në Shqipëri. U prangos në postë
TIRANË- Postoi armët nga Holanda dhe mbërriti në Shqipëri para tyre, për të përfunduar në prangat e policisë. Agim Shëngjoni duket se nuk e ka menduar ekzistencën e skanerit të kontrollit që do t'i zbulonte pistoletat dhe fishket që kishte vendosur në pakon postare. Ai është paraqitur në postën e qytetit të Elbasanit, dy ditë më parë për të tërhequr pakon të cilën e kishin marrë në dorëzim agjentët e policisë sapo ajo ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Kur 31-vjeçari Shëngjoni është paraqitur në sportelin e postës për të marrë pakon, agjentët të shoqëruar nga prokurori kanë ndërhyrë duke kryer arrestimin e menjëhershëm të Agim Shëngjonit ndërsa shoqëruan babanë dhe vëllanë e tij. Dy të fundit, pasi u morën për disa orë në pyetje u lanë të lirë, pasi nuk rezultuan të jenë të përfshirë në trafikimin e armëve, akuzë e cila tashmë rëndon ndaj 31-vjeçarit.
Hetimi
Sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit, pakos e cila ishte nisur nga Holanda iu krye skaneri i kontrollit nga ku dhe u zbuluan armët. Tre pistoletat, dy të tipit "Broëning" dhe një e tipit "GOLT", si dhe 9 copë krëhëra pistolete e 342 copë fishekë, 31-vjeçari Agim Shëngjoni i kishte vendosur mes disa rrobave në një pako, të cilët e kishte postuar vetë nga Hollanda me destinacion qytetin e Elbasanit. Marrësi do ishte ai vetë, pasi mbërriti në Shqipëri tre ditë para mbërritjes së pakos me armë. Kjo e fundit u zbulua nga skaneri për armët që kishte brenda, ndaj dhe u sinjalizua menjëherë policia. Kështu policia për të zbuluar marrësin ka infiltruar një agjent policie si punonjës të postës, gjithçka është kryer me autorizimin e prokurorit Bardhok Lleshi. Agjenti ka shoqëruar pakon nga aeroporti i Rinasit për në postën e qytetit të Elbasanit ku priste të mbërrinte marrësi, i cili është paraqitur dy ditë më parë.
Arrestimi
Sapo ka mbërritur në postë për të tërhequr pakon, policia ka ndërhyrë duke kryer arrestimin e menjëhershëm të Agim Shëngjonit ndërsa u shoqëruan babai dhe vëllai i tij. Burime nga prokuroria thanë se në deklaratën e tij 31-vjeçari Shëngjoni ka mohuar faktin që trafikonte armë. Ai ka deklaruar para hetuesve të çështjes se pistoletat i kishte blerë për qejf. Burime të njëjta nga prokuroria thanë se Agim Shëngjoni e kishte nisur vetë pakon nga Holanda në emër të tij për destinacion qytetin e Elbasanit ku dhe ai jeton. Ai qëndronte pre dy vitesh në Holandë, por është kthyer pa pasaportë. Pak ditë më parë, Shëngjoni ka dorëzuar në Durrës një dokument identifikimit të dhënë nga holandezët, duke deklaruar se nuk posedon pasaportë e më pas ka mbërritur në qytetin e tij në Elbasan. Ndërkohë që tre pistoletat dhe sasia e konsiderueshme e fishekëve që i kishte dërguar vetes nga Holanda e kanë çuar në qeli 31-vjeçarin, ndërsa babai dhe vëllai i tij, pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Agim Shëngjoni akuzohet për veprën penale të "trafikimit të armëve dhe municioneve. Mësohet se hetuesit e çështjes po punojnë për të verifikuar të gjitha dërgesat postare të nisura nga 31-vjeçari në adresë të familjarëve apo të afërmve të tij.