E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinfaringitet. Kur viruset sulmojnë frymëmarrjen e fëmijëve

 

Infeksionet e hundëve e të faringut, janë infeksionet më të shpeshta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes në fëmijët e vegjël. Pa dyshim që shkaktarët më të shpeshtë të tyre janë viruset. Stina kur takohen më shpesh është ajo e ftohtë por, takohen shpesh edhe në pranverë e vjeshtë. Rëndësia që marrin këto infeksione për prindërit qëndron jo vetëm në shqetësimin e tyre e të fëmijëve, por më shumë në faktin se ato japin ndërlikime. Këto ndërlikime vijnë si rezultat i bashkëjetesës me fëmijën edhe i mikrobeve të ndryshme, të cilët, në kondita normale nuk sjellin asnjë shqetësim, por kur organizmi dobësohet, ata gjejnë rastin e terrenin për të shkaktuar sëmundje të tjera në organet afër dhe larg me sistemin e frymëmarrjes.

Shënjat e para të tyre janë të përgjithëshme si: mungesa e oreksit dhe e humorit, erë e rëndë nga goja, dhimbje fyti e koke, bile edhe të vjella e diarre. Më tej shënjat bëhen më të veçanta si: tështitje, rrjedhje të sekrecione të tejdukshme nga hundët ose mbufatje të tyre që e pengojnë fëmijën të pijë, të hajë apo të flejë; pak temperaturë që ndonjëherë mund të shkojë edhe drejt shifrave të larta; skuqje të syve e ndonjëherë edhe kollë.

Ç'duhet të bëjmë: Përpara se të kërkojmë ndihmën mjekësore duhet të ndihmojmë fëmijën sa më mirë: Për t'i qetësuar temperaturën dhe shqetësimet trupore veprojmë duke i dhënë paracetamol, ibubrufen a takipirinë. Duhet të marrim masa për të mbajtur të hapura e të liruara hundët e fëmijës, duke i hedhur shpesh në hundë solucion fiziologjik. Të shtojmë dukëshëm, në racionin ditor të fëmijës, lëngjet e sidomos lëngjet e frutave të freskëta.

Edhe dhënia e vitaminës C është e rëndësishme. Të mos bëhemi të bezdisëshëm për ta duke i ushqyer me zor e me dieta të plota e të rënda. Ta mbajmë sa më shumë në ajër të pastër, në dhomë të ajrosur sa më shpesh dhe aspak të mbyllur. Të eleminohet veshja me tesha të trasha nga frika e të "ftohurit".

Trupat e huaj në rrugët e sipërme apo të poshtme të frymëmarrjes, përbëjnë një kapitull më vete dhe shumë të rëndësishëm në sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes. Këto trupa si: grurë, oriz, misër, qershi, fasule, bërthama të vogla të frutave të ndryshme, kopsa, makarona etj. janë "banorë" të shpeshtë e mjaft të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e fëmijëve të vegjël.

Mosha më e prekëshme është ajo midis 4-5 muaj deri në 5-6 vjeç, por kjo nuk do të thotë se nuk mund ti gjejmë edhe mbi apo nën këto mosha. Zakonisht trupat e huaj, kalojnë hundën ose kanalet e mëdha të frymëmarrjes së fëmijës, në mënyrë aksidentale. Kjo marrje apo ky kalim lidhet: Me vetë fëmijën, i cili nuk është ende i përgjegjëshëm se çfarë rreziku i kanoset nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për faktin se sa më i vogël është ai, aq më e shprehur është shtysa për të njohur botën nëpërmjet gojës. Por edhe me prindërit, vëllezërit a motrat më të mëdha apo edhe me dadot e gjyshet, tek të cilët mund të vihet re një përkujdesje më e pakët.

Trupat e huaj në hundë:Përgjithësisht në këto raste, trupi i huaj mund të mos përbëjë urgjencë të madhe për momentin, por sidoqoftë, ai duhet të hiqet me kujdes në se është e mundur. Kujdes! Nuk duhet të ushtrojmë asnjë forcë fizike! Nuk duhet të lejojmë që trupi i huaj të na rrëshqasë më poshtë!Në se nuk jemi në gjëndje ta heqim vetë, apo e kuptojmë më me vonesë prezencën e trupit të huaj në hundë, është e domosdoshme ta çojmë fëmijën për të realizuar heqjen praën shërbimit të specializuar të mjekut specialist të hundëve, fytit e veshëve, pasi, me kalimin e kohës nga hunda e zënë mund të vijë erë e keqe dhe rrjedhje sekrecionesh me qelb e me gjak

Trupat e huaj në rrugët e mëdha të frymëmarrjes: Përgjithësisht, me ndonjë ndryshim të vogël, sidomos pas momentit të parë, trupat e huaj kanë të njëjtën pamje dramatike. Fillimi është i menjëhershëm, papritur e pa kujtuar, duke qënë mirë e bukur e duke luajtur. Vërehet një kollë shumë e fortë, mbytëse e me fishkëllima, nganjëherë edhe më përmbajtje gjaku të freskët. Shenja më alarmante është vështirësia a konsiderueshme në momentin e thithjes së ajrit.

Kjo pamje na tregon se: Jemi në gjendje alarmi! Nuk mund të pritet për asnjë arsye as edhe një minutë! Lajmëroni shërbimin e urgjencës ose niseni menjë herë në spital, fëmijën tuaj të sëmurur papritur! Çdo vonesë është me pasoja! Sidoqoftë në pritje për tu nisur mund të bëni dy veprime të vogla. Për fëmijët fare të vegjël: Këthejeni atë me kokë poshtë dhe jepini një goditje të fortë e të shpejtë mbi shpinë. Për fëmijët më të mëdhenj: Merreni fëmijën para jush, vendosni të dy grushtat tuaj mbi pjesën e sipërme të barkut dhe shtypeni shpejt, me forcë dhe njëkohësish në këtë vend.

Pyetje - Përgjigje

Fëmija im vuan shpesh nga kapsllëku…

1 Dr. Çimi: Fëmija im 6 muajsh, vuan shpesh nga kapsllëku. Ç'duhet të di dhe ç'duhet të bëj unë për këtë problem?

Kapsllëku (Konstipacioni) është një gjëndje që takohet shpesh në moshën pediatrike dhe bëhet shkak për shqetësimin jo vetëm të fëmijës, por edhe të prindërve. Ai ka shkaqe të ndryshme dhe gjithashtu varet nga mosha e fëmijës.

Kapsllëku i vërtetë në fëmijët e ushqyer vetëm me gji, përgjithësisht është i rrallë. Vetëm në raste të veçanta, fëmija me gji mund të dalë jashtë rrallë. Nëse fëmija shton mirë në peshë, është i qetë, me humor dhe nuk shtërzon shumë gjatë daljes jashtë atëhere: Duhet të jemi të bindur se fëmija tret dhe thith në maksimum sasinë e qumështit të gjirit që merr. Gjithashtu, duhet të jemi të bindur se, nuk është e domosdoshme, madje ndalohet, përdorimi i barnave, për të ngacmuar e për të shtuar të dalat jashtë dhe as të përdorim suposte me glicerinë apo mikroklizma. Në rast se problemet e kapsllëkut bëhen mjaft shqetësuese atëhere duhet marrë kontakt me mjekun e këshillimores i cili do t'ju këshillojë se çfarë duhet të bëni!

Kapsllëku është më i shpeshtë në fëmijët e ushqyer me ushqim artificial para moshës 4-5 muajshe, madje, është më i shprehur sa më herët që ky ushqim të ketë filluar. Gjithashtu është e domosdoshme të përmëndet fakti se kapsllëku është më shumë i mundshëm për t'u shfaqur kur fëmija ushqehet me qumësht lope. Në këtë lloj kapsllëku duhet mbajtur mënd se: Duhet të shtohet përmbajtja e sheqerit si dhe e mjellrave në përgatitjen e qumështit të lopës, i shtimit të lëngut dhe pureve të frutave e perimeve së bashku me lëkurën e tyrenë menunë e përditshme të foshnjës. Është e domosdoshme që të shtohet edhe sasia e ujit që merr ai në ditë. Në këto raste nuk duhet të përdorni mollë e banane të cilat shërbejnë si thithës së lëngjeve të zorrës, pra edhe shtojnë mundësinë e kapsllëkut.

Në qoftë se kapsllëku mbetet i pa përmirësuar edhe pas këtyre veprimeve, pyesni mjekun nëse duhet t'i bëjmë fëmijës një mikroklizëm apo ti vendosim një supost me glicerinë. Edhe në këtë rast nuk eshtë e domosdoshme, madje ndalohet, përdorimi i barnave që ngacmojnë dhe shtojnë të dalat jashtë apo i mikroklizmave.

Kjo këshillë eshtë e domosdoshme sepse barnat mundet të sjellin dëme, lidhur me të mësuarit e fëmijës me to, ose lidhur me dëmtimin e zorrës së trashë. Kujdes pra! Sa më rrallë dhe vetëm me rekomandimin e mjekut përdorini ato!

Në fëmijët më të mëdhenj, pas vitit të parë e më tej, kapsllëku është më i rrallë. Në këto mosha ai është rezultat i: gabimeve në sasinë, cilësinë dhe përgatitjen e ushqimit. Çdo rregullim i këtyre gabimeve, në përputhje me këshillat që do t'u jepte mjeku juaj i këshillimores, do të shpinte në eleminimin e kapsllëkut.

Përshëndetje

Dr.Çimi

KËNDI I LABORATORIT

Verbimi i natës, një efekt i abuzimit me alkoolin

Admir Nake / Mjek Laboratori

Një zotëri paraqitet me shqetësime të shikimit natën. Në klinike ai i thotë mjekut se ka humbje në peshë kohët e fundit dhe ulje të energjive per te permbushur detyrimet e tij ditore. Më tej rezulton se ai është 58 vjeç, dhe që ka dhjet vjet që pi rregullisht, sistematikisht, gjashtë birra në ditë shumicën e javës. Nga vizita në kliniken e syve u përjashtua një sëmundje anatomike e syve.

Mjeku dyshoi se verbimi i natës, ishte për shkak të dietës së njëanshme. Në mënyrë të veçantë mjeku dyshoi se kjo kishte lidhje me një pamjaftueshmëri të vitaminës A.

Zotërisë iu dha këshilla që të shkonte tek një dietolog për të vlerësuar aspektet e dietës së tij dhe për shkak të abuzimit të tij me alkoolin, humbjes në peshë, dhe marrjes së "varfër" të nevojave ushqimore.

Dietologu realizoi një vlerësim të plotë të gjendjes së ushqyerjes së tij. Iu përcaktua dhe indeksi i masës trupore, i cili rezultoi normal. Historia e tij dhe ekzaminimi fizik përfshinë dhe vështirësitë e shikimit natën, presion arterial normal, variçe ezofagu, dhe gastrit.

Një rishikim i ditëve të mëparshme, tregoi një marrje të dozave të larta të kafes (kafeinës), dhe të sheqerit, por me pak fruta ose ushqime bimore, marrje të pakët dhe konsum jo të përditshm të ushqimit cilësor proteinik.

Nga një vlerësim i mikromjedisit jetësor të këtij pacienti, u vu re se pacienti ynë jetonte vetëm, ishte i divorcuar dhe pa fëmijë. Vlerësimi nuk vuri re ndonjë rit fetar që mund të ndikonte në mënyrën e të ushqyerit. Pacienti ynë ishte një konsumator i rregullt i dy paketave të duhanit. Kishte marrë antiinflamatorë josteroidë për të qetësuar një dhimbje shpine.

Nga rezultatet e ekzaminimeve laboratorike, u arrit në përfundimin se vërtet pacienti ynë kishte një problem me ushqyerjen. Historia e gjatë e përdorimit abuzuestë alkoolit nga pacienti ynë, e kishte vendosur atë në zonëne pasjespamjaftueshmëri të zinkut, Zinku rezultoi 64 mikrog/dl (N=80-120) çrregullim të elektroliteve, kequshqyerje proteino-kalorike,sepse vlera e albuminës rezultoi e ulët 3,0 g/dl(N= 3,5-5,2), dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë (me rritje të lehtë të enzimave hepatike) dhe të veshkave. Vlerat qarkulluese të vitaminës A, ishin gjithashtu brenda vlerave normale, por njëra nga proteinat transportuese të një forme aktive të vitaminës A, në gjakun qarkullues ishte më e ulët se norma.(Transtiretina 17 mg/dl-N= 20-40) Vlerësimi i pacientit tregoi një pamjaftueshmëri proteino-kalorike dhe të zinkut. Nga një ekzaminim i gjakut të mundshëm në feçe, u vu re se ai bënte humbje të gjakut në këtë rrugë. Nuk është e rrallë për një alkoolist të përjetojë një humbje të tillë nëpërmjet sistemit tretës, për shkak të gastritit, ulçerës së stomakut, apo variçeve të ezofagut. Duke parë rezultatet e ekzaminimeve laboratorike, pra vlerat e ulëta të transtiretinës, dhe të zinkut, u arrit në përfundimin se verbimi i natës e kishte shkakun në pamjaftueshmërinë e vitaminës A, ose nga një pamjaftueshmëri e metabolizmit të saj. Sëmundjet e mëlçisë ulin sintezën e proteinave.

Sasitë e zinkut janë parë të dobishme në parandalimin e degjenerimit të mëlçisë, dhe mund të jenë të përfshira dhe në metabolizmin e vitaminës A ( kthimin e retinolit ne retinal). Një hipotezë e hershme thotë se alkooli konkuron me retinolin për enzimën alkool dehidrogjenazë, e cila është e domosdoshme për kthimin e retinolit në retinal dhe acid retinoik.Për më tepër, kjo enzimë është zink-vartëse. Tashmë çdo gjë ishte sqaruar.

KENDI I USHQIMIT

Çokollata, a është e vertetë që bën keq?

Joana Bitri

Çokollata është ëmbëlsira më e dashur për fëmijë, por edhe për të rriturit. Ajo cilësohet si një ndër ushqimet më të rrezikshëm për pasojat që jep, si p.sh: puçrra, karie të dhëmbëve, alergji, kolesterol.

Një raport i Amerikan Medical Association tregon se aknet tek adoleshentët nuk janë pasojë e konsumit të tepërt të çokollatave, por janq faktor hormonal. Gjithashtu për sa i përket edhe kariesit në dhëmbë, disa studime të fundit kanë dalë në konkluzionin se pluhuri i kakaos përmban një pluhur antikarje për shkak të përmbajtjes së tri substancave të veçanta. Një tjetër cilësi e mirë e pluhurit të kakaos është fuqia antidepresive që ai ka. Gjithashtu ai mundëson prodhimin e një substance, e cila mundëson qetësinë dhe rregullon humorin.

Pra pavarsisht atyre që thuhen për çokollatën, ajo nuk është edhe aq e dëmshme sa thuhet, duke marrë parasysh gjithmonë se dozat e konsumit nuk duhet të jenë të tepërta.

Supë me zarzavate të stinës

(dozat janë të përshtatshme për një bebe)

- 1 karrotë

- pak bizele

-1 kokërr patate

- 1 kungull të vogël

- pak djathë i grirë

- vaj ulliri

Përgatitja

Në një enë vendosim të ziejnë bizelet (m.q.s duan shumë kohë për të zier), dhe pasi të jenë gjysëm të ziera në po atë ujë hedhim karrotën dhe pataten të ndara në copa të vogla dhe vetëm një pjesë të kungullit, i ndarë edhe ai në copa. Të gjitha zarzavatet i lemë të ziejnë për një kohë të gjatë për 15-20 min dhe pasi të jenë ftohur i grijmë derisa të kemi një masë në formë pureje, të cilën e hedhim në pjatë duke i shtuar përsipër vajin e ullirit dhe djathin e grirë.

Ëmbëlsira e fundjavës

Kek roll me reçel

- 4 kokrra vezë

- 80 gr. miell

- 80 gr. nisheste

- pak sodë buke

- 4 lugë (gjelle)ujë të vakët

- 120 gr.sheqer

Përgatitja

Në një enë rrihen të kuqet e vezëve me 80 gr.sheqer derisa të krijohet një masë e butë dhe të ndërrojë ngjyrë (të bëhet e bardhë), ndërkohë na duhet edhe ndihma e dikuj tjetër që njëkohësisht të bëjë të njëjtën punë me të bardhat e vezëve dhe sheqerin e mbetur në një enë tjetër, pasi të kemi përftuar dhe këtu një masë, tashmë të dendur dhe të fortë. I bashkojmë të dyja sëbashku dhe i shtojmë dozat e sipërme të miellit, të nishestes, të sodës së bukës dhe të ujit të vakët. Të gjitha këto do të krijojnë një masë, të cilën me shpejtësi e vendosim në një furrë të ngrohtë 180oC për 10-14 min. Pasi pandispanja të jetë gati e heqim atë nga tava dhe e vendosim në një pecetë të pudrosur më parë me sheqer pluhur dhe brumin e ngrohtë e lyejmë përsipër me pak pije alkoolike (rum) dhe me reçel (sipas dëshirës). Me ndihmën e pecetës e rrotullojmë pandispanjën deri në fund.

Ju bëftë mirë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›