E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa si Mediu

 

Ndërruan shefat, por mbeten të njëjtat strategji, mbeten të njëjtat shifra dhe të njëjtat premtime. Duke i bërë copy-paste. Edhe pse ka ndodhur tragjedia më e rëndë në historinë e vendit, zyrtarisht në kohë paqeje, Ministria e Mbrojtjes ka të njëjtin vizion për demontimin dhe nuk është çudi që "Gërdeci" tjetër të mos vonojë. Konkretisht bëhet fjalë për fjalimin e ministrit të ri të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që e mbajti dy ditë më parë në Uzinën e Çmontimit të Municioneve në Poliçan, ku ka takuar punëtorët e uzinës dhe drejtues të saj. Ja edhe deklarata:

Një objektiv tjetër madhor për Ministrinë e Mbrojtjes, është çmontimi dhe shkatërrimi i 98 mijë ton municioneve të tepërta që gjenden në Shqipëri. Padyshim që Ministria e Mbrojtjes ka një plan, ka një strategji për asgjësimin e tyre, plan i cili është parashikuar të realizohet deri në vitin 2013, por që ne i kemi të gjitha mundësitë që këtë detyrë ta përfundojmë brenda vitit 2010". (Shih fjalën e Oketës në Poliçan, në www.mod.gov.al). Të njëjtin raport ka përdorur edhe paraardhësi i tij, Fatmir Mediu: "Sipas llogaritjeve, për eliminimin e 90 000 ton municioneve të tepërta nevojiten rreth 30 milionë euro, në një afat kohor deri në vitin 2013. Ky afat kohor mund të shkurtohet n.q.s., shtohen kapacitetet e asgjësimit me donatorë të huaj apo nga ndihma e agjencive të specializuara në këtë fushë, nga vendet e NATO-s".

Citimi i mësipërm është përdorur nga ish-ministri dhe është pjesa e fundit që mbyll raportin "Mbi analizën e ngjarjes së Gërdecit, masat e marra dhe parandalimi i krizave të tilla në të ardhmen", që ishte përgatitur për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që mban datën 20 mars 2008, me Numër Protokolli 2310. Dhe pse ngjasojnë aq shumë? Shumë thjesht: Raportin e ka përgatitur i njëjti person, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Leitnant Luan Hoxha, ushtaraku i lartë që firmosi për çdo implikim të ushtrisë në demontimin e municioneve në Gërdec.----------------------------------------------------------

Emrat e Gërdecit

Për një "d" që ti se vë, fjala derë, bëhet erë. Këto janë vjershat për abc-në dhe fëmijët. Por krejt ndryshe tingëllon kjo puna e germave për banorët e mbijetuar të Gërdecit. Atyre po u kushton shumë padituria e rrogëtarëve të qeverisë që i vrau, i la pa shtëpi dhe katandi dhe tani rrezikohen të mbesin edhe pa ato kompensimet mjerane të vëna në dispozicion nga Fondi i Kontigjencës. Ti mund ta kesh patur emrin Hajri, por injoranti i Komisionit të Vlerësimit të Dëmeve ta ka bërë Hajrie, mund ta kesh patur Qazime dhe ta ka bërë Qazim. Këto emra të shpërfytyruar u bënë lista të përfituesve të kompensimeve dhe qeveria i ka bërë gati, duke u mbështetur te injorantët e komisioneve të vlerësimit. Por kur do të shkohet për të marrë lekët, do të krahasohet emri në listë dhe emri që ka dokumenti zyrtar i identifikimit të shtetasit. Dhe ato jo vetëm që ndërrojnë germat, por të ndërrojnë edhe gjininë. Dhe nuk janë pak, por mbi 3000 subjekte që presin të marrin paratë, që duhet të përballen tani edhe me "Gërdecin" e germave që sajuan zyrtarët pa shkollë të Berishës.

Dikush që nuk e di se sa nivel të lartë ka administrata shtetërore në Shqipëri, sidomos pas shtatorit 2005, do të thoshte se ky "Gërdec" emrash është bërë qëllimisht, që qeveria, pasi i vrau t'i lërë që të vuajnë sa më shumë viktimat e fshatit, të hedhur në erë më 15 Mars 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›