Pogradec, fermerët braktisin mbjelljet
Çmimet e larta të naftës dhe plehrave lënë tokat djerrë në sezonin më të madh të mbjelljeve
Sipas fermerëve nuk ia vlen që ta punosh tokën pasi kostoja e prodhimit del shumë e lartë dhe përballë çmimeve konkurruese të fqinjëve, të ngelet malli në magazinë.
POGRADEC - Pranvera po troket por shumë fermerë pogradecarë kanë ngelur në mëdyshje: "T'i mbjellin apo të mos i mbjellin tokat e tyre, kjo është çështja".
Ky fakt, të bie në sy pasi janë fare të paktë ata fermerë të cilët kanë filluar që të punojnë tokat e tyre në këtë prag pranvere. Shkaku, çmimet e larta të naftës, plehrave dhe kimikateve të cilat japin një kosto shumë të lartë të prodhimeve të tyre, aq më tepër që fermerët fqinj të Maqedonisë i kanë konkurruar seriozisht ata me prodhimet e frutave dhe të perimeve. Rrethi i Pogradecit ka një sipërfaqe prej 72,501 ha tokë prej së cilës 17 506 janë tokë bujqësore dhe pjesa tjetër është pyje dhe livadhe. Ndërkohë që pemë frutore 159 300 rrënjë, nga të cilat 132 000 në prodhim, vreshta 223 ha, nga të cilat 206 në prodhim dhe pjergulla 23500 rrënjë. Por ajo që të bie në sy nga një statistikë zyrtare është se vetëm 49% e tokës punohet më teknikë bujqësore, ndërsa pjesa tjetër me krahë dhe me parmendë primitive. Në rrethin e Pogradecit ka 10 rezervuarë por vetëm 20% e sipërfaqes ujitet pasi mungon rrjeti ujitës, i cili është i shkatërruar. Aktualisht, në këtë rreth ka vetëm 10 traktorë me zinxhirë, 18 traktorë me goma dhe 5 autokombajna, por edhe këto të fundit, këtë vit, me çmimet e naftës të cilat kanë shkuar nga 400 lekë/litri, në 1500 lekë/litri, duket se kanë ngelur pa punë. Sipas fermerëve nuk ia vlen që ta punosh tokën pasi kostoja e prodhimit del shumë e lartë dhe përballë çmimeve konkurruese të fqinjëve, të ngelet malli në magazinë. Ilmi Beqiri, nga fshati Gurras, një fermer i cili vitet e kaluara ka kultivuar pataten thotë për gazetën se nuk ia vlen që të mbjellësh, pasi vetëm për një plugim, traktoristi të kërkon 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa një qese me "Dap" kushton 25 mijë lekë. Duke i shtuar edhe shërbimet e tjera 1kg patate del me një kosto 400 lekë, duke mos arritur që të gjejë treg. Po kështu me rrushin dhe mollët, thotë fermeri tjetër Osman Cinari.
Fermeri tjetër, Ilmi Cake, thotë se jemi kthyer në primitivitet, e punojmë tokën me kalë dhe parmendë dhe përballë kemi një fermer të shtetit fqinj, që pas Tregtisë së Lirë na konkurron me teknikë, duke e punuar tokën qind për qind me traktorë, ujit të gjithë sipërfaqen e tokës dhe të pemishteve dhe plehrat jo vetëm i ka me çmime më të ulëta, por edhe më cilësore, pasi në tregun vendës futen kimikate të skaduara. "Ky fermer maqedonas e nxjerr koston e një kg molle 150 lekë, ndërsa ne na del me 400 lekë, po kështu me rrushin dhe me frutat e tjera. Ja, pra, pse nuk na bëjnë krahët për të punuar tokat tona pasi me këto çmime, siç thotë populli, dalim me këpucë të kuqe dhe malli na ngelet në shtëpi",- thonë fermerët.