E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skena për patriotë dhe të dashuruar

Skenografi Shaban Hysa përkujtohet katër vjet pas vdekjes. Autori i skenave epike si "Epoka para gjyqit" apo romantike dhe tragjike, si tek "Romeo dhe Xhuljeta". Teatri Kombëtar ekspozon një pjesë të pikturave dhe boceteve të skenave që ka krijuar Hysa

Në ka një mënyrë të mirë për të përjetësuar punën e një njeriu, ajo është dokumentimi. Një gjë të tillë duhet të ketë pasur në mendje Pëllumb Dervishi, kur i lindi ideja për të realizuar një dokumentar mbi jetën e skenografit Shaban Hysa, i cili u nda nga jeta në vitin 2005.


Projektimi u bë në vendin ku Hysa kaloi një pjesë të madhe të jetës, Teatrin Kombëtar. Miq, të afërm dhe kolegë, mbrëmjen e së mërkurës ndoqën rrëfimin në dokumentarin "Një jetë.....".


Në rreth 60 minuta film ishin mbledhur momente të ndryshme nga jeta dhe puna e këtij skenografi, pjesa më e madhe e të cilave u përkasin ambienteve në teatër, në skenë, në rrobaqepësi etj.


Aktorët, me të cilët ka bashkëpunuar dilnin herë pas here në ekran duke cituar një kujtim apo qoftë edhe duke bërë dhe një bisedë imagjinare me të, ku ndokush guxonte dhe i kërkonte të kthehej për të përfunduar projektet e lëna përgjysmë.


Dokumentari ishte vetëm një pjesë e mbrëmjes përkujtimore, ndërsa në hollin e sallës së vogël të TK-së, këtij "Artisti të merituar" i janë ekspozuar disa punë, kryesisht piktura dhe bocete të skenave të ndryshme që krijoi përgjatë 40 viteve.


Janë shumë, por për të krijuar një ide se për çfarë temash ka punuar dhe si i ka realizuar, kujtojmë dy skenografi të rëndësishme për kohën: njëra i takon epizmit, te "Epoka para gjyqit" "(1980) dhe tjetra i takon romantizmit dhe tragjizmit shekspirian, tek "Romeo dhe Xhuljeta" (1987).


Shaban Hysa kreu studimet e larta për skenografi dhe grafikë në Akademinë e Arteve në Varshavë, gjatë viteve 1957-61. Menjëherë pas kthimit nga Polonia emërohet skenograf në TK, ku një vit më vonë, më 1962-shin, realizon skenën e parë për dramën "Mbi gërmadha". Po në të njëjtin vit realizon edhe skenografinë për pjesën "Morali i zonjës Dulskaja".


Në TK do të qëndronte vetëm dy vite. Më 1963-shin shkëputet për të dhënë kontributin e tij në një tjetër teatër, në atë të Operës dhe të Baletit. Këtu do të merrte përsipër të realizonte skena të veprave të mëdha, si "Halili dhe Hajria (skena dhe kostume), "Rigoleto", "Dasma e Figaros", "Zhizel" etj. Katër vite më vonë rikthehet në TK për të mos u larguar deri në fund të jetës.


Në këtë teatër mbajnë firmën e Shaban Hysës edhe skena të tjera të rëndësishme të historisë së teatrit shqiptar, si "Monserat" (1964), "Prometeu" (1984), "Valsi i Titanikut" (1990). E fundit skenë që krijoi, ishte ajo e dramës së Rushdi Pulahës, "Streha e të harruarve", me regji të Mihal Luarasit më 2004.
Kontribut të madh dha edhe në krijimin dhe zhvillimin e degës së skenografisë në Akademinë e Arteve.

------------------------------------------------------------------------------------------------------


Ngrihet varri monumental i Ibrahim Kodrës, vepër e arkitektit nga Durrësi, Viktor Dhimgjini

Ngrihet memoriali funeral i Kodrës


Ishëm - Në komunën e Ishmit, në afërsi të kalasë mesjetare ku prehet piktori Ibrahim Kodra, sapo ka përfunduar ngritja e varrit monumental sipas idesë së arkitektit nga Durrësi, Viktor Dhimgjini.


Sipas kryetarit të Komunës së Ishmit, Gëzim Ylli, me këtë kushtim ndaj figurës së Kodrës, u jepet fund edhe diskutimeve për zhvendosjen e eshtrave nga vendi i lindjes së artistit.


Komuna ka dhënë për këtë memorial fondin 2 milionë lekë (të rinj). Kryetari Ylli thotë se në të ardhmen, në afërsi të varrit të Kodrës do të ngrihet një muze i zonës së Ishmit, ku do të ekspozohen edhe vepra të Ibrahim Kodrës.


Sado që deri tani ka qenë tepër e vështirë të ekspozohet në mjedise publike ndonjë vepër (mbresëlënëse) e Kodrës, sipas planeve ndër mend të kryetarit, do të shembet depozita e ujit që ndodhet shumë afër varrit dhe pikërisht aty do u ngritka muzeu.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›