Avokatët: Ndihemi të kërcënuar, shtyhet gjyqi
"Bandës së Durrësit"
Gjykata zëvendësoi dje gjyqtarët e disa prej të pandehurve të cilët munguan në seancë
Edhe pse procesi është shtyrë pa fund, avokatët pretendojnë se ndihen të pambrojtur, procesi rrezikon dështimin
TIRANË- Maratona e shtyrjes së gjyqit nga avokatët e të pandehurve të "bandës" së Durrësit nuk ka të ndalur.
Edhe mëngjesin e djeshëm, kur ishte parashikuar të mbahet seanca e radhës gjyqësore ndaj 16 të pandehurve të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Durrësit, Gjykata e Krimeve të Rënda u detyrua ta shtyjnë për mungesë të mbrojtësve ligjorë të caktuar nga familjarët, vetë të pandehurit e gjykata.
Edhe pse mungonin gjashtë avokatë të të pandehurve të ndryshëm, mbrojtësit e tjerë ligjorë që ishin të pranishëm, nuk i ndaloi dot kryesuesi i Gjykatës Gurali Brahimllari të shprehin shqetësimin e tyre, mbi vazhdimin e procesit.
"Ne avokatët e këtyre të pandehurve të vendosur prapa hekurave nga dëshmia e një personi që ka kryer tetë vrasje, ndihemi të kërcënuar dhe të pasigurt në vazhdimin e këtij gjykimi.
Pasi, në seancën e kaluar ka qenë ai "vrasës" (duke drejtuar dorën nga i penduari) Adriatik Coli që brenda mureve të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe aq më keq, brenda sallës së gjyqit na drejtohet neve duke na kërcënuar se "do të na vrasë".
Ne nuk i kemi frikë atij që është i rrethuar nga policët, pasi nuk ka se si të na vrasë, por, ndihemi të pasigurt pasi nuk e dimë se çfarë personash ai drejton nga burgu, pasi dihet që prokuroria e akuzon për 8 vrasje dhe mund të jetë në gjendje të urdhërojë edhe disa të tjerë,- mësohet të jetë shprehur avokati Ferdinand Ndoja, në emër të kolegëve të tij.
Ndërkohë, togat e zeza pasi dëgjuan pretendimin e avokatit dhe pas këshillimit në vend u shprehën se "ky kërcënim i pretenduar nuk është bërë gjatë kohës që trupi gjykues ka qenë në sallë dhe nuk figuron ndonjë kallëzim apo raport të shërbimeve të ruajtjes fizike të gjyqtarëve dhe të pandehurve që provon këtë pretendim,- thanë gjyqtarët, duke mos marrë asnjë masë ndaj të penduarit.
E vetmja masë e marrë nga gjykata gjatë ditës së djeshme, ishte ajo e zëvendësimit të avokatëve që mungonin, letrat dërguar Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë për këto mungesa dhe mos lejimi i mediave në sallën e gjyqit.
Pas këtyre masave, gjykata u detyrua të shtyjë seancën për javën tjetër, duke zëvendësuar të gjithë ata avokatë që nuk ishin paraqitur dje.
Mbi 16 të pandehurit e "bandës" së Durrësit prokuroria me ndihmën e dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli ka ngritur një sërë akuzash të rënda, nga vrasja, pengmarrja, plagosja e deri te "armëmbajtja pa leje". Seanca e djeshme gjyqësore ishte e 78 e zhvilluar në këtë gjykatë, ku në 65 seancat e shtyrjes, shkak janë bërë avokatët dhe të pandehurit.
Seanca e kaluar e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda kaloi mes tensionit të palëve, ndërsa personi i cilësuar si i penduari i bandës u shpreh i revoltuar kundrejt avokatëve, duke iu pohuar atyre se shtyrja e procesit në fund do të thoshte ndonjë plumb për ta.
Reagimi i avokatëve duket se ka qenë i menjëhershëm, ndërsa prokuroria dhe trupi gjykues kanë qenë të pafuqishëm për t'i dhënë zgjidhje shtyrjes së seancave të procesit.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Dy bashkëpunëtorët e të arrestuarit, ende në kërkim nga prokuroria
Në gjyq studenti i kapur me drogë
TIRANË- Prokuroria hetim në ngarkim të studentit të Ekonomikut të Universitetit "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës, Klodjan Basha, për veprën penale të "trafikut të narkotikëve" në bashkëpunim.
Dosja është dërguar në Gjykatë dhe është hedhur në short, që ka caktuar si kryesuese gjyqtaren Liljana Baku. Sipas kërkesës së prokurorit Eugen Beçi, studenti Basha, 25 vjeç, bashkë me dy persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të kalojnë në Greqi në rrugë tokësore 108 kg hashash. Lënda narkotike, ishte paketuar në 9 pako në formë drejtkëndëshi të mbështjella me letër natriban të tejdukshëm dhe që po transportohej me tri çanta dore nga tre të rinjtë.
Zbulimi i tre transportuesve (korrierëve) është bërë nga efektivët e policisë kufitare rreth orës 23:00 të 16 nëntorit 2008, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës së kontrollit dhe vëzhgimit të vijës kufitare kanë konstatuar me dylbi termike tre të rinjtë që i afroheshin vijës kufitare me Greqinë të ngarkuar me nga një çantë secili në krahë.
Menjëherë, janë lajmëruar patrullat e policisë kufitare duke iu afruar vendit ku ndodheshin të rinjtë, në afërsi të pikës së kalimit kufitar "Kakavijë- Gjirokastër", rreth 500 metra larg saj.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë forcat e policisë, ku tre të rinjtë me të pikasur se ishin në ndjekje të policisë, kanë lëshuar çantat dhe kanë filluar të ikin me vrap. Dy prej tyre i janë drejtuar Gjirokastrës ndërsa Klodjan Basha, në drejtim të rrugës kombëtare.
Policia, gjatë këqyrjes së çantave të braktisura ka evidentuar dhe sekuestruar tri çanta sportive me ngjyrë të zezë të mbushur me 9 pako që peshonin 108 kg hashash. Pas këtij "zbulimi" janë lajmëruar patrullat e policisë në terren, dhe pas 20 minutave është arrestuar studenti i vitit të III të degës Ekonomikut, Basha.
Pas arrestimit, studenti ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke dhënë detaje të hollësishme në lidhje me personat që e kishin paguar për të transportuar hashashin në këmbë nga Shqipëria në Greqi.
Një nga indicet për prova, sipas kërkesës për gjykim, ka qenë edhe aparati telefonik i të pandehurit, ku pas këqyrjes së tij janë konstatuar një sërë numrash që ndodhen në verifikim, pasi janë telefonuesit më të shpeshtë në drejtim të studentit dhe dëshmitë e gjashtë dëshmitarëve të akuzës. Vetë i pandehuri Basha, gjatë vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, ka kërkuar nga Gjykata të lirohet për të vazhduar Fakultetin.
"Ju lutem më lironi se duhet të ndjek shkollën, pasi jam në vitin e III të Fakultetit Ekonomik në Gjirokastër. Kam pranuar të bashkëpunoj dhe tregoj, pasi hashashin po e dërgoja në Greqi kundrejt një shume parash. Këtë veprime e kam kryer për shkak të gjendjes jo të mirë financiare që kam",-mësohet të ketë thënë 25- vjeçari, që gjithsesi nuk është liruar.