E Diel, 1 Nëntor 2026

I shkarkojnë plehrat mbi kokë, vdes 13-vjeçari

Ermir Ujka ishte duke mbledhur kanaçe pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave urbane të qytetit


SHKODËR - Humb jetën në mënyrë tragjike 13-vjeçari Ermir Ujka. Djaloshi, i cili po kërkonte për kanaçe pranë vendit të grumbullimit të mbeturinave urbane të qytetit, nuk është parë nga drejtuesi i një mjeti të ndërmarrjes së pastrimit, i cili i ka shkarkuar plehrat mbi trupin e të miturit.


Sipas fëmijëve të tjerë dhe personave të pranishëm në vendin e ngjarjes, Ujka ishte pas mjetit të pastrimit në momentin që shkarkesa ra mbi trupin e tij. Një grua dhe disa fëmijë që qenë aty duke bërë të njëjtën punë, dhanë alarmin dhe lajmëruan policinë.


Është dashur mbërritja e një fadrome, e sjellë nga uniformat blu, që fëmija të nxirrej nga pirgu i mbeturinave që ranë nga mjeti mbi trupin e tij dhe të dërgohej me shpejtësi në spitalin e Shkodrës.


E pranishme në vendngjarje ka qenë edhe nëna e të miturit. Rreth 30 minuta pas mbërritjes në spital, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga mjekët, 13-vjeçari ndërroi jetë.


Florian Dardha, shok me viktimën, qe i pranishëm në momentet e aksidentit tregon se ishin si çdo ditë duke kërkuar për kanaçe tek vendi ku shkarkohen mbeturinat. "Ermiri ishte pas makinës dhe shoferi nuk e ka pa se po ecte prapa për me shkarku plehrat. Ermiri pa një 2000-lekësh në tokë dhe u ul me e marrë.


Makina i ka shkarku plehrat mbi trupin e tij",- rrëfen Floriani. Persona që jetojnë në këtë lagje të varfër të krijuar pas viteve '90, kryesisht me banorë të ardhur nga zonat e thella malore, tregojnë se Ermiri i përket një familjeje shumë të varfër që, për të siguruar bukën e gojës, del çdo ditë për të gërmuar në plehra dhe për të gjetur diçka që mund të shitet.


Të njohur të familjes shtojnë se djali i vdekur ka qenë dhe i sëmurë dhe ka pasur probleme me zemrën, por megjithatë nevoja për të jetuar e bënte të dilte çdo ditë për të gjetur kanaçe mes mbeturinave që hidhen afër varrezave të dëshmorëve. Varfëria ka shkaktur kështu viktimën e radhës në Shkodër, një 13-vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30.


Prej vitesh fëmijë e të rritur që jetojnë rreth varrezave të dëshmorëve në Shkodër kanë si mënyrë të vetme jetese atë të grumbullimit të kanaçeve në mbeturinat urbane të gjithë qytetit. Në mjaft raste ato u shkojnë prapa mjeteve të pastrimit, në përpjekje për të qenë të parët kur shkarkohen, pasi vetëm kështu mund të gjejnë më shumë material për ta shitur.


Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit të ndërmarrjes së pastrimit, Agron Zenelaj, banor i së njëjtës lagje me viktimën, i cili shkarkoi mbeturinat në trupin e 13 vjeçarit Ujka.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›