Skenarët e mazhorancës për përçarjen e opozitësNga “Faktori Plus”Qeveria shqiptare po përpiqet të përçajë opozitën lidhur me qëndrimin e saj ndaj parlamentit. Ende pa u zgjidhur situata problematike në veri të vendit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina T
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Skenarët e mazhorancës për përçarjen e opozitësNga “Faktori Plus”Qeveria shqiptare po përpiqet të përçajë opozitën lidhur me qëndrimin e saj ndaj parlamentit. Ende pa u zgjidhur situata problematike në veri të vendit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është bërë iniciatore e një provokimi politik mbi opozitën, duke u dërguar ftesa personale deputetëve socialistë të opozitës për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit deri në fund të shkurtit, ndryshe, sipas saj, të zgjedhurit socialistë do të zëvendësohen me deputetë të tjerë.
Letra e zonjës Topalli u përforcua nga një deklaratë e Ilir Metës, i cili nuk ngurroi madje as ta quajë këtë çështje kompetencë të Topallit, kur në bazë të Kushtetutës është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Gjykata Kushtetuese që mund të marrin këtë diskutim.
Disa deputetë të opozitës kanë injoruar letrën e zonjës Topalli, ndërsa qëndrimi zyrtar i saj vazhdon të jetë ai larg sallës së Kuvendit, pa u hapur kutitë e votimit.
Por çfarë fshihet pas kësaj historie?
Skema e qeverisë duket e qartë. Investimi i saj kryesor është t’i sigurojë mbështetje politike një grupi prej 5 deputetësh socialistë, të cilët e kanë qëllim të tyrin hyrjen në Kuvend. Ben Blushi, Andis Harasani, Arben Malaj, Marko Bello e Kastriot Islami kanë shprehur publikisht dëshirën për të qenë në sallën e Kuvendit që nga fillimi. Vendimi i tyre nuk mund të paragjykohet, pasi motivohet si reaksion ndaj asaj që ata e quajnë përgjegjësi për humbjen në zgjedhje prej zotit Rama.
Por këto zëra i fashiti mitingu i 20 nëntorit. Pas përmasave të tij, grupi i deputetëve që kërkonin hyrjen në Kuvend duket se u lëkund. Arben Malaj u pa të merrte pjesë individualisht në miting dhe duke u shprehur në mbështetje të tij.
Por zërat për të rihyrë në parlament filluan të shfaqen pas mitingut. Blendi Klosi bëri një shpjegim tërësisht konfuz mbi mundësinë e hyrjes formale në Kuvend në fund të dhjetorit të vitit të shkuar. Ai tha se opozita mund të kthehet në parlament sa për të mos djegur mandatet, dhe pas këtij momenti të dalë sërish.
Këtë qëndrim nuk e pranuan aleatët e opozitës dhe vetë opozita zyrtare, megjithatë nuk pati debate rreth kësaj taktike.
Tashmë diskutimi është rihapur nga qeveria. Zonja Topalli, që po udhëheq skemën e përçarjes së opozitës, më shumë sesa hyrjen në Kuvend, synon zëvendësimin e lidershipit të opozitës. Nëse opozita dorëzohet pa kushte dhe qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste ndryshon për këtë çështje, atëherë zoti Rama duhet të votëbesohet si lider i PS, pasi ai është votuar për opsionin e hetimit të zgjedhjeve dhe zbardhjes së të vërtetës së kutive. Duke e ditur këtë dhe në përpjekje për të mbështetur kundërshtaret e tij, Berisha po përpiqet të shantazhojë opozitën dhe të dobësojë qëndrimet e saj parimore, duke e kthyer në një opozitë të emëruar rrogëtarësh dhe deputetësh, që më shumë e kanë mendjen te paga sesa te parimet që përfaqësojnë.
Editorial
Edi Rama në udhëkryq
Opozita shqiptare po përballet këtë fillim viti me një test të rëndësishëm, që mund të provojë realisht aftësinë e saj politike për të përfaqësuar votuesit e vet. Qeveria shqiptare po i përmbahet një skenari të qartë shantazhues, i cili synon të përçajë grupin parlamentar dhe të bëjë relativ qëndrimin e kryetarit të kësaj partie, Edi Rama.
Plani duket i qartë. Pesë deputetë socialistë, të cilët e kanë opsion të tyre futjen në Kuvend, shpresohet të inkurajohen për të hyrë në Kuvend prej qeverisë, me premtimin se ata do të ndiqen nga të tjerë, të cilët do të shantazhohen me humbjen e mandatit të deputetit. E gjithë kjo ka filluar të eksportojë debatin brenda opozitës. Duke qenë se shumica e kandidatëve të opozitës vijnë nga shoqëria civile dhe jo nga përvoja politike, po vihen re shenja të përfshirjes naive në këtë debat.
Por çfarë mund të ndodhë realisht?
Së pari, ky është një debat i prodhuar nga qeveria dhe jo debat që ka lindur nga opozita apo shoqëria opozitare. Askush në Partinë Socialiste nuk ka mandat nga votuesit e saj të vërë në diskutim qëndrimin ndaj parlamentit, i cili është votëbesuar, jo vetëm në forumet e kësaj partie, por dhe në mbështetjen e fortë popullore që ka marrë lëvizja opozitare për qëndrimin larg parlamentit deri në hapjen e kutive. Duke mos qenë një debat i hapur nga opozita, por nga qeveria, ai nuk duhet konsideruar si temë dite për axhendën e opozitës.
Së dyti, tendenca për ta deformuar qëndrimin e opozitës ndaj parlamentit, nga një qëndrim parimor në një qëndrim administrativ, është shumë e rrezikshme dhe i ngjan qartazi skenarëve të demokracisë ruse, ku pushteti e ka opozitën një institucion buxhetor. 65 deputetët e opozitës nuk janë 65 bordero rrogash dhe as 65 probleme sociale që mund të mbyllen me futjen në parlament. Futja e opozitës në parlament nuk mund të shitet për 65 rroga, pasi janë 650 mijë qytetarë të tjerë pas tyre, që janë të nëpërkëmbur dhe braktisur, që nuk ka kush i mbron. Qëndrimi jashtë parlamentit nuk është çështje rrogash dhe as çështje mandatesh, por çështje parimore.
Nëse opozita bie në kurthin e taktikave të hyrjes dhe daljes nga Kuvendi, atëherë ajo është e papërgjegjshme. Kuvendi nuk është një vend pune dhe mandati nuk është një bordero rroge. Kush hyn në politikë me logjikë nëpunësi, është mirë të largohet dhe të shkojë të bëjë atë punë që di të bëjë më mirë.
Së fundmi, qëndrimi ndaj parlamentit është një çështje që ka ndarë lidershipin e Partisë Socialiste. Pas humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama u vu para kritikash parimore, si përgjegjës për humbjen dhe rivali i tij kryesor, Ben Blushi, kërkoi dorëheqjen e tij, pranimin e rezultatit dhe hyrjen në Kuvend. Këtu socialistët u ndanë dhe Edi Rama u votëbesua si një lider, që duhet të merrte përsipër transparencën e zgjedhjeve dhe dhënien fund të historisë së vjedhjes së votave. Ky është një mision i pambaruar i Edi Ramës. Nëse socialistët vendosin të hyjnë në Kuvend, për rroga, për dieta, për makina, për teka të Topallit apo Berishës, Edi Rama duhet të votëbesohet si kryetar i Partisë Socialiste, pasi opsioni i tij ka humbur dhe rivali i tij, Ben Blushi, ka fituar.
Nëse ky vendim i mundshëm arsyetohet nga vetë socialistët, ata, para se të zgjedhin parlamentin e Topallit si vend ku do bëjnë politikë, duhet të rizgjedhin kryetarin e tyre të ri, që e ka propozuar këtë opsion që në shtator dhe që ka kundërshtuar fort për këtë çështje zotin Rama. Qëndrimi ndaj zgjedhjeve dhe ndaj parlamentit ishte një qëndrim që ndau platformën e Ramës nga ajo e Blushit. Qeveria po teston se cili është më i mbështetur nga socialistët në këto momente. Nëse hyhet në Kuvend, kryetar i asaj partie duhet të jetë Ben Blushi, nëse vazhdohet beteja, duhet të jetë Edi Rama.