Skenaret jozyrtare për koalicione ndërshqiptare
SHKUP- Dy partitë e koalicionit BDI dhe PDSH jozyrtarisht përgënjeshtrojnë zërat për mundësinë e përfshirjes së tyre në një koalicion qeveritar.
Lajmi bëhet i ditur nga burimet partiake të këtyre dy partive, pas zërave të lancuar se Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi mbrëmë kanë zhvilluar një takim të përbashkët me rastin e ceremonisë për shpalljen e nobelistit shqiptar Ferid Murati për Qytetar Nderi të Tetovës.
Ka qenë vetëm një takim i rastit ku dy liderët kanë qenë të ftuar dhe nuk ka pasur takim që mund të aludohet në ndonjë takim midis dy liderëve, ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA, një burim partiak.
Informacionet jozyrtare brenda partive theksojnë se dy partitë po hartojnë një marrëveshje të përbashkët dhe e cila do të përkrahet edhe nga RDK.
Në BDI theksojnë se nuk ka asgjë konkrete dhe se në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie të shtunën në mbrëmje është formuar ekipi negociator për udhëheqjen e negociatave për formimin e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE. Ekipi negociator do të përbëhet nga Musa Xhaferi, Abdylaqim Ademi, Izet Mexhiti dhe Ermira Mehmeti-Devaja.
BDI ka platformën e saj politike duke synuar disa kërkesa në planin politik dhe në ndarjen e resorëve ministror dhe në nivelet e tjera të pushtetit.