Investimet austriake, bazë e sigurtë për tërheqjen e investitorëve në Shqipëri
Takim i ministrit Haxhinasto me homologun e tij austriak, Spindelegger
Gjatë punimeve të konferencës mbi Evropën Juglindore dhe integrimin në BE, që u zhvillua në Berlin, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto takoi homologun e tij austriak, Michael Spindelegger. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona, Haxhinasto i shprehu homologut austriak Spindelegger mirënjohjen e thellë lidhur me mbështetjen e Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe në vazhdim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjatë këtij takimi dy homologët diskutuan mbi progresin e Shqipërisë, për bashkëpunimin ekonomik si dhe për rolin dhe kontributin e saj në stabilitetin e rajonit. “Suksesi i projekteve të deritanishme të mbështetura dhe financuara nga Austria është një bazë e sigurt për shtimin investimeve serioze austriake në Shqipëri, në fusha të tilla si turizmi, infrastruktura, energjia etj”- theksoi ministri Haxhinasto. Dy homologët ndanë të njëjtin mendim për forcimin e bashkëpunimit midis dy Ministrive dhe si një fushë e spikatur u identifikua kualifikimi i diplomatëve në aspekte të diplomacisë ekonomike. Kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto mori edhe mbështetjen përsa i takon ndihmës në kualifikim për diplomacinë shqiptare. Ministri Spindelegger shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar nëpërmjet Akademisë Diplomatike të Austrisë.