Skenda nuk di
Behgjet Pacolli ka vendosur të mos heshtë përballë akuzave të Skënder Hysenit, se ai nuk di të bëjë diplomaci dhe se po e dëmton shtetin.
Ish-Ministri i Jashtëm i ka shpeshtuar kritikat në drejtim të Pacollit, duke thënë se është gabim të lobohet drejtpërdrejt në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Por, Pacolli ka thënë se ish-Kryediplomati nuk ka njohuri sa i përket lobimit në shtetet afrikane.
“Unë duhet t`i them z. Hyseni që është i gabuar ky deklarim i tij, sepse ka kaluar koha e ndikimit me forcë te këto shtete. Edhe vetë ato shtete që kanë qenë kolonizatorë të atyre shteteve, e kanë kuptuar se shtetndërtimi e ka sensin kur ai kryhet prej njerëzve të shtetit që i përkasin. Dhe jam i bindur se z. Hyseni, sa e di unë, nuk e ka vizituar asnjë shtet afrikan në mandatin e tij dhe më duket se i mungon kjo njohuri e mbarëvajtjes të punëve diplomatike të shteteve afrikane”, ka thënë Pacolli, për Express, të dielën.
Zyrtari i Qeverisë që po merret me shtimin e njohjeve e fton Skënder Hysenin dhe ish-Presidentin Fatmir Sedjiu të bëhen pjesë e diplomacisë kosovare.
Pacolli nuk i ka harruar deklaratat e Skënder Hysenit pas vendimit të GJND’së. Në atë kohë, Ministri i Kabinetit Thaçi i kishte deklaruar se Kosova do të njihet shumë shpejt nga 50 shtete të botës.
Prej atëherë, Kosova është njohur vetëm nga 8 shtete. Disa prej njohjeve kanë shkuar së pari në Aleancën Kosova e Re.
Pacolli thotë se është shumë keq që nuk dolën të sakta deklaratat e Hysenit.
“Është shumë keq që Kosova nuk u njoh prej 50 shteteve pas vendimit të GJND’së, ashtu siç atëherë diplomacia kosovare kishte premtuar dhe pretenduar.
Opinioni publik e di se menjëherë pas opinionit të GJND’së, është thënë se do të ketë 50 njohje. Është përmendur se njohjet nuk po vijnë për shkak të Ramazanit që ishte në atë kohë dhe kështu me radhë”, ka rikujtuar Pacolli.
Duke komentuar deklaratat e Hysenit se në njohjen e fundit nga Afrika ka dorë edhe Fatmir Sejdiu, Pacolli ka thënë se kjo është meritë e punës së Qeverisë së Kosovës.
“Është mirë dhe unë i ftoj ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, ish-kryediplomatin, t`i bashkëngjiten kësaj iniciative të lobimit – të na tregojnë ku me punu përpara, ne do t`i shqyrtojmë ato, për arsye se Kosova ka nevojë për njerëz të vullnetit të mirë, për njerëz me bagazh diplomatik dhe ka nevojë edhe për aktivitete më të dendura”, ka thënë Pacolli.
Ish-lideri i AKR’së mohon se diplomacia kosovare ka shumë adresa. Ai thotë se në kohën kur ishte ministër Skënder Hyseni, kanë qenë dy vende ku kanë ardhur njohjet për Kosovën. Njëra në MPJ, e tjetra në AKR.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Express)