E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skënder Haluci: S’e gjykova Alinë, se kishte dekretuar faljen time

Një bisedë e thjeshtë shokësh në thellësitë e Bujanit të Tropojës e bërë në një orë të zakonshme të një mbrëmje je qershori të vitit 1983 ajo që për dekada të tëra do të bëhej kryefjala e shumë thashethemeve deri në subjekte legjendash që do të hapeshin rrufeshëm dhe do të "zienin" për dekada të tëra në të gjithë Shqipërinë. "Duhet të kishim vrarë Ramiz Alinë kur na erdhi në rrethin tonë"; "Nuk duhet të kishim lënë këtë popull që të vuaj akoma nga ky regjim kriminal"; "Nuk ka mëdyshje që Enver Hoxha është duke vdekur dhe se pasardhësi i tij është Ramiz Alia"; "Kishim njëqind forma që mund ta kishim zhdukur"; "Nuk na falet që se bëmë për shembull te kthesa aty në hyrje të Tropojës, mund t'i kishim lëshuar një granatë"; Jo jo, më mirë kur ishte rrugës duke ardhur.....etj...etj". Kjo bisedë bëhej pikërisht kur Ramiz Alia ndërmori një tur takimesh në veri të vendit por që gjithsesi askush nuk e vinte në mëdyshje se ai ishte më shumë një prezantim si pasardhës i vetë Enver Hoxhës që gëzonte ditët e fundit të jetës. Por, gjithsesi kaq do të mjaftonte që mbi djemtë e Tropojës të bëhej një arrestim spektakolar duke vënë në përdorim forca të shumta policie dhe ushtrie madje deri te mjetet e blinduara. As më pak dhe as më shumë por, plot 13 akuza të kryesuara nga ajo që ata kishin dashur të vrisnin Ramiz Alinë, do të rëndonin mbi dy kushërinjtë e parë Isuf dhe Skënder Haluci. 26 muaj hetuesi speciale dhe tortura të tmerrshme do të ishte kalvari i stërmundimeve që do t'i paraprinin dënimit me vdekje me pushkatim të dhënë nga Gjykata e Lartë. Do të ishte një mendim gjenial i dalë nga një mendje e hollë dhe shumë e zgjuar ajo që do të çorodiste të gjithë sigurimin e shtetit komunist dhe vetë ministrin e Brendshëm Hekuran Isain ai që do të anulonte ekzekutimin e dy kushërinjve nga Bujani i Tropojës. Pikërisht alinbia se në Valbonë kishin fshehur një arkë me florinj, e thënë në mënyrën dhe arsyetimin më perfekt, u besua katërcipërisht nga autoritetet. Kjo do të bënte që pas viteve '90, ish i dënuari me vdekje dhe i falur me dekretin e Alisë, të mund të ndërronte pozicionet me ish kreun e shtetit dhe atë të Ministrisë së Brendshme. Pikërisht, Skënder Haluci u caktua të dënonte Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain. Çfarë ka ndodhur në të vërtetë në këtë histori enciklopedike le ta ndjekim në vetë intervistën e tretë të vetë Skënder Halucit i cili tashmë është gjyqtar në Gjykatën e Vlorës.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Haluci, e ndërpremë intervistën e numrit të kaluar pikërisht në momentin që specialët të mbështetur nga njerëz të përgatitur fizikisht dhe që bënin edhe polumbarin, po kërkonin dhe nuk mund të gjenin floririn e pretenduar nga yt kushëri Isufi dhe i mbështetur sipas legjendës nga ty. Jemi pikërisht në momentin që polumbari pasi rrëmoi në vorbullën e ftohtë dhe me prurje të shumta të ujërave dimëror pas më shumë se katër orësh doli dhe tha se nuk mundi të gjente gjë por edhe nuk mundi të rrëmonte dot guvat e shtratit të lumit. Ajo që doja të dija unë për ta rinisur këtë bisedë është se a ka reaguar Isufi i cili mbahej i superprangosur në breg të lumit, në këtë moment që është dorëzuar polumbari?
Në këtë kohë Isufi u ishte lutur ta linin atë që të zhytej me qëllim që të nxirrte thesarin. Madje u ishte lutur disa herë. Por, drejtuesit e këtij operacioni nuk e kishin lejuar. Duke pasur parasysh gjendjen e tij pasi Isufi, i katandisur kockë e lëkurë nga torturat, në pothuaj gjysmën e peshës së vet trupore, nuk do të kishte dalë i gjallë që andej. Ma kishte thënë që në momentin e parë që më tregoi për rrengun. Më kishte thënë se, sido që të vinte puna, së paku do të arrinte të shihte Tropojën për herë të fundit. Kështu që fjala e palombarit se nuk kishte mundur të kontrollonte gjithë shpellat në shtratin e lumit, sërish nuk i kishte lëvizur drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, vetë ministrin Hekuran Isai, por edhe Drejtorin e Sigurimit, Zylyftar Ramizi, nga bindja se Isuf Haluci nuk i kishte mashtruar.
Si vepruan pasi nuk e lanë Isufin në idenë e vetë që të kërkonte ai?
Në përfundim të kërkimit pa rezultat, ata kishin urdhëruar që e gjithë zona që qarkonte pikë-takimin e Valbonës me përroin e Shydenicës të rrethohej me tela me gjemba e të ruhej me roje të armatosur. Të njëjtët ishin kujdesur gjithashtu të shmangnin të gjithë kuriozët, duke varur në disa pozicione të gardhit rrethues tabela që shkruanin se sipërfaqja e rrethuar ishte ekonomi ndihmëse e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës.
Pas kësaj thoni ju, u komunikuan anulimin e ekzekutimit tuaj?
Pas katër ditësh nga kërkimi në Valbonë, mua më nxorën nga qelia dhe më çuan në zyrën e hetuesisë. Aty pashë se kishin çuar edhe Isufin, djalin e xhaxhait dhe kuptova se diçka e madhe ishte duke ndodhur. Pasi ishte kthyer nga Tropoja, Isufi me anë të kodit tonë më kishte shkruar një fjali të vetme: "Më duket se ua futa"! Prandaj kur e pashë aty, në dhomën e hetuesisë, të them të drejtën u frikësova. Mendova se Sigurimi i Shtetit mund të kishte zbuluar dredhinë. Por, isha gabuar. Pak çaste më pas në dhomë u dha Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ministri nxori paketën e cigareve dhe na zgjati nga një, mua dhe Isufit. Unë nuk e kam pirë kurrë dhe refuzova. Ai më tha se unë kisha mbetur armik në një mënyrë ku duhet të ketë pasur edhe djallëzi, apo, për atë vetë, edhe humor. Por, kur je i dënuar me vdekje, kur jeta është në fill të perit, nuk e kupton, nuk e nuhat dot humorin e të tjerëve, për më tepër të xhelatit tënd. Ishte edhe koha kur sapo kishim mësuar se familjet tona, 18 frymë, i kishin internuar në Kotë të Vlorës. Ministri nisi të na sillte rrotull me ca histori pa rëndësi dhe në fund na tha se Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryetar i të cilit ishte Ramiz Alia, megjithëse ia kishim bërë shumë borxh Partisë e shtetit, na kishte falur jetën dhe se masa e dënimit do të ishte 25 vjet burg. Para se ne të merrnim veten, ministri lëshoi edhe një "megjithëse nuk e meritoni" duke u larguar.
Pra ju thoni se alibia e Isufit i kishte vënë në mendime autoritetet e atëhershme për t'ju falur jetën pasi kuptohet sipas tyre me ekzekutimin tuaj do të kumbisnin edhe shanset për të gjetur floririn. Nuk e di nëse u shpreha qartë zoti Haluci?
Karremi i thesarit kishte bërë punën e vet. Ne të dy të dënuarit me vdekje nga Bujani i Tropojës tashmë kishin shanse të vazhdonin të jetonin, madje falë moshës së re, kishin shanse edhe të jetonin si gjithë të tjerët, të lirë. Më 15 dhjetor 1985, mua më dërguan në burgun famëkeq të Spaçit, ndërsa Isufin, pak më larg, në burgun e Qafës së Barit. Por, ditët pa tortura për mua ishin fare pak. Pas dy muajsh, më 18 shkurt 1986, unë u transferova për në burgun e frikshëm të Burrelit. Burgu i Burrelit ishte më i tmerrshmi. Por, unë isha i ri dhe i fortë dhe me ndihmën e familjarëve të mi rezistova. Më vonë e kam menduar se mbyllja ime në burgun e Burrelit duhet të ishte vendosur dhe materializuar edhe si njëfarë presioni ndaj Isufit, që të mos ua dridhte.
Po Isufin, ku e dërguan të vuante dënimin?
Isufin nuk e lëvizën nga burgu i Qafës së Barit. Aty ai arriti ta merrte veten shpejt fizikisht. Madje nga 50 kilogramë peshë trupore që kishte ardhur, kishte rifituar me shpejtësi peshën e zakonshme, por edhe i kishte ardhur në vend zemra dhe guximi.
E kishin lënë të rinisnin kërkimet në verë si të uleshin prurjet e Valbonës?
Në fillim të verës së vitit tjetër, 1986, shpura e policëve ishte bërë sërish gati për të nisur kërkimet e thesarit në zgavrën që krijohet nga bashkimi i Valbonës me përroin e Shydenicës. Sepse ëndrra, ajo ëndrra e florinjtë e ministrit Hekuran Isai dhe të tjerëve vazhdonte.
Biseda e fundit për thesarin e Valbonës mes ideatorit të tij, Isuf Haluci, dhe krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është zhvilluar në verën e vitit 1986 në ambientet e burgut të Qafës së Barit.
Besoj se Isufi tashmë që kishte rifituar jetën nuk i interesonte të vijonte albinë. Pra si ka vijuar biseda me të pasi erdhi vera?
Dikush nga Ministria e Brendshme ishte paraqitur për të biseduar me Isufin në burgun e Qafë-Barit. I kishin thënë Isufit se koha ishte ngrohur, se niveli i ujit të Valbonës kishte rënë dhe se ishte kishin planifikuar që të shkonin sërish, një nga ato ditë, të kërkonin për thesarin atje, te vendi. Por, Isufi që e kishte marrë plotësisht veten fizikisht, kishte bërë sikur nuk kuptonte. Tjetri ishte detyruar t'i kujtonte se ai, Isuf Haluci, kishte lënë një bisedë përgjysmë me shokun Hekuran Isai... për atë punën e thesarit. Por, përgjigja e fundit e Isufit, batuta e tij "ik ore, se nuk e kam floririn për Hekuran Isain" kujtohej pothuaj me eufori nga të gjithë të dënuarit e burgut të Qafës së Barit. Më tej Isufin e kishin rrahur keqas për gati dy javë. Kujtoj se e sollën në Burrel të masakruar. Por, sërish e mori veten shpejt.
Pra dolëm te pyetja ime e ripërsëritur disa herë gjatë vijimit të këtij subjekti kaq interesant se jeta juaj paska shpëtuar nga rrengu apo gracka në të cilën Isufi arriti të fuste sigurimin e shtetit të atëhershëm dhe vetë ministrin Hekuran Isai?
Është e vërtetë që ne të dy përfituam nga rrengu që Isufi thuri për ministrin Hekuran Isai dhe krerët e tjerë të Ministrisë dhe Sigurimit të Shtetit. Por, pas lirimit në qershor 1991, në vigjilje të vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms Bejker, unë kam mësuar edhe për një tjetër rrethanë që mendoj se ka ndikuar shumë te Ramiz Alia në firmosjen e dekretit që e ndryshoi dënimin tonë, nga me "vdekje me pushkatim", në "25 vjet heqje lirie". Prandaj unë mendoj se veç rrengut të thesarit, në faljen e jetëve tona ka ndikuar edhe fakti i pushkatimit në të njëjtën periudhë i katër fatkeqëve nga kjo zonë.
Është thënë shumë zoti Haluci se pas viteve '90 kur do të gjykohej udhë-heqja më e lartë e shtetit komunist dhe vetë Ramiz Alia, Nexhmije Ho-xha, Hekuran Isai e të tjerë, pikërisht juve jeni ngarkuar me drejtimin e trupit gjykues që do të gjykonte Ramiz Alinë. Detyrë që ju e keni refuzuar dhe keni dhënë dorë-heqjen. Është e vërtetë? Së pari, si mundët të profesionalizoheni në fushën e drejtësisë?
Është e vërtetë. Pas lirimit nga burgu në vitin 1991, në vigjiljen e vizitës së Sekretarit Amerikan të shtetit Xhejms Beiker në Tiranë, mitingun të të cilit me popullin e Tiranës e kam parë në televizion në shtëpinë e një mikut tonë që ishte liruar disa ditë para nesh në qytetin e Laçit. Menjëherë, kam filluar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, me shkëputje nga puna. Kam përfunduar ciklin katërvjeçar me rezultate shumë të mira dhe jam diplomuar jurist në vitin 1995. Në vitin 1996 jam emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Doja të dija në çfarë pozicioni juridik ndodheshit në momentin e arrestimit të Ramiz Alisë me të cilin tashmë me sa shikoj e solli jeta që ju të ndërronit rolet ku ai ishte në pozicionin e të arrestuarit dhe ju të përfaqësonit ligjin dhe drejtësinë e shtetit. Pra çfarë detyre keni pasur kur ai u arrestua dhe a është e vërtetë zhurma që po bëhet ngado se ju nuk keni pranuar të bëni gjykimin e tij?
Pas arrestimit të Ramiz Alisë diku nga fundi i vitit 1996 fillimi i vitit 1997 jam caktuar për të gjykuar çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Ramiz Alia, Simon Stefani dhe Hekuran Isai. Kam dhënë dorëheqjen nga gjykimi i kësaj çështjeje bazuar në parimet themelore të drejtësisë dhe të dinjitetit njerëzor duke pasur parasysh edhe faktin se ishte Ramiz Alia, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i cili kishte firmosur dekretin për ndryshimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Lartë ndaj meje dhe djalit të xhaxhait tim, nga me "Vdekje me Pushkatim" në dënimin me "25 vjet heqje lirie".
Kishit interpretim ligjor në shkaqet që parashtruat kur refuzuat gjykimin e Alisë?
Dorëheqja ime ka qenë edhe në respektim të plotë të neneve 15, 16, 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë ku bëhet fjalë për "Rastet e Papajtueshmërisë me Funksionin e Gjyqtarit në Gjykim". Në të tilla kushte pavarësisht nga shkaqet që e shtynë Ramiz Alinë që të vendosë për ndryshimin e dënimit tim dhe të kushëririt tim nga me "vdekje me pushkatim" në dënim me "25 vjet heqje lirie", unë kurrsesi nuk mund të isha gjyqtari i tij. Po ju rrëfej se çfarë i ka thënë në fjalën e fundit pra se ta dënonin me vdekje prifti Dom Mark Hasi një gjykatësi shqiptar. "Me vendimin që po merrni ju nuk po më dënoni me vdekje, por ju po më shkurtoni jetën sepse kush ka lindur edhe duhet vdesë". Kështu që Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk po më dënonte me vdekje por po më shkurtonte jetën, gjë të cilën e ndaloi Ramiz Alia me dekretin e tij.
Si e komentoni shprehjen kur ju thonë se Ramiz Alia ju ka shpëtuar jetën?
Më vjen shumë keq kur më thonë se "Ramiz Alia të ka falur jetën". Jetën ma ka falur Zoti, ndërsa Ramiz Alia nuk e lejoi Gjykatën e Lartë të ma shkurtonte.
E takuat Ramizin kur ishte i arrestuar?
Nuk e kam takuar asnjëherë dhe as nuk më ka shkuar ndonjëherë në mendje për ta takuar. Pavarësisht nga marrëdhënia ime me të, ai mbetet një diktator tipik sllavo-komunist shqiptar dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›