Skënder Muçaj: Reforma në trashëgiminë kulturore, shans për struktura parazitare
Disa ditë më parë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u propozua një reformë mbi sistemin e trashëgimisë kulturore, e cila sipas ministrisë synon në reformimin e sistemit të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet riorganizimit të institucioneve të saj që merren me trashëgiminë materiale, sikurse janë Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik,
Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Parqet Arkeologjike, Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, si dhe disa muze arkeologjikë dhe kombëtare. Në këtë reformë të propozuar thuhet se raporti administratë-fuqi punëtore destinohet të ndryshojë dhe të sjellë një përmirësim në mirëmbajtjen e monumenteve dhe territorit përreth tyre. Reforma e propozuar ka ngjallur reagimet e para tek specialistët e trashëgimisë kulturore. Një prej tyre është dhe prof. dr. Skënder Muçaj arkeolog, i cili pohon se reforma në fushën e trashëgimisë kulturore është një domosdoshmëri, por problem do të jetë zbatimi i saj ashtu si duhet. Reforma në zbatim do të ketë probleme, sepse në strukturat e reja janë 287 punonjës dhe nëse këta do të jenë në punë vendi ynë do të bëhej një qendër e rëndësishme për turizmin, por e keqja është se ato nuk janë në punë, pasi strukturat e reja, por dhe në ato që ishin dhe ato që po krijohen janë sërish struktura parazitare. Nëse marrim një drejtori rajonale dhe aty kemi shoferin, financieren, pastrues etj, atëherë një financier me 6-7 veta çfarë pune do të bëjë këtu? Atëherë ai bëhet një njeri parazit dhe merret me thashetheme, rri me strukturat e partisë që janë në pushtetin dhe shkatërron punën e krahut tjetër, dhe aktualisht kjo ndodh. Nuk është parë mirë te struktura, në raportin midis atyre që do të jenë mbi vlerat arkeologjike të nëntokës dhe atyre që do të jenë për ato të tokës. Nëse në drejtori ka specialistë që merren me restaurimin për ruajtjen kjo ka një defekt. Ajo që është sot shumë e rëndësishme për tu ruajtur nëntoka ajo po shkatërrohet. Nuk ka inspektorë, që ta ndjekin ruajtjen e nëntokës, pra nëse ka një drejtori si ajo e Tiranës ajo nuk ka inspektor për ta ruajtur këtë pasuri, tregon mbi reformën e propozuar arkeologu Muçaj. Sipas tij, sot nuk ka njerëz që ti drejtojë dhe nëse qëndrojnë në duart e të paaftëve, atëherë kjo sjell dëmtime. Ne kemi nevojë për specialistë dhe jo drejtorë. Por dyshoj se edhe reforma e propozuar nga MTKRS, krijon frikë për një strukturë parazitare, thekson prof.dr. Muçaj. E ndërkohë që sa i takon reformave që janë ndërmarrë deri tani, sipas tij në këtë fushë nuk është bërë asgjë, madje ai shton se në këtë drejtim është bërë pas. Ne kemi 20 vjet dhe në këtë fushë nuk është ecur para, por është bërë pas. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Pjesa e IMK së bashku me drejtoritë rajonale nuk iu përshtat dot reformimeve që u bënë pas viteve 90, madje një pjesë e tyre dhe u kthyen më tepër në menaxhues qendrash, duke lënë dhe punën e tyre shkencore. Nëse para viteve 90 IMK ishte i angazhuar i gjithi në punë dhe monumentet nuk prisheshin, mbaheshin të restauruar, mbaheshin mirë dhe nuk është se në atë kohë shteti shqiptar jepte më shumë lekë për mirëmbajtjen e tyre, por ata që merrnin rrogën ishin në punë, ndërsa sot ata që paguhen nga buxheti i shtetit janë vetëm menaxhues të këtyre fondeve. Nuk marrin pjesë me specialistë dhe kjo ka dëmtuar shumë të gjithë trashëgimin kulturore, pohon prof. dr. Skënder Muçaj. Sipas tij dëmtimi ka ndodhur në dy drejtime. E para që kanë të bëjnë me pasurinë arkeologjike të nëntokës dhe e dyta në drejtimin që ka të bëjë me pasurinë arkeologjike të nëntokës. Dëmtimi në drejtim të nëntokës, që është dëmtuar shumë dhe është në përmasa katastrofike, por janë dëmtuar edhe monumentet që janë në sipërfaqe dhe janë shpallur monument kulture, në të dyja në këto drejtimet ka pasur firo të mëdha. Me ndryshimet e sistemit me atë të nëntokës nuk u përcaktua kush ishte personi përgjegjës për ta ruajtur atë pas viteve 90, pasi më parë kishte kujdestarë në të gjithë territorin e vendit dhe ata vareshin nga IMK. Ata persona ishin përgjegjës për këtë punë, por me ndryshimin e saj pas 90 kjo pjesë mbeti pa zot dhe u bë një reformë e re. U hoqën të tërë kujdestarët, që ishin dhe në drejtoritë përkatëse nuk u përcaktuan strukturat që do të merreshin me tokën dhe nëntokën, dhe detyrimisht ato u dëmtuan, pohon më tej prof. dr. Muçaj. Një tjetër problem që ngre arkeologu është se një pjesë e Drejtorive Rajonale të Kulturës Kombëtare nuk janë në efektivitetin e duhur dhe kjo sipas tij për disa arsye. Për mua Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare nuk kanë efektivitet, sepse janë politike. Kur vjen një parti e re lëshon nëpunësit e saj dhe i kthen në politikanë të vegjël, ata që marrin pjesë në fushata bëhen drejtorë, që vijnë dhe nga rruga. Bëhet drejtor në një fushë që nuk ka haber fare, pra kemi një fshehje të gjithë administratës, pohon prof. Muçaj. Struktura që propozohet është bashkimi i IMK, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, DRKK-ve, muzeve arkeologjikë dhe ikonografikë në një institucion të vetëm, të emërtuar Instituti i Trashëgimisë Kombëtare. Gjithashtu nga 9 drejtori rajonale propozohen të krijohen 7 të tilla.
Nga Julia Vrapi