E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënder Sherifi,“Love”, libri i vitit në Belgjikë



Letërsi / Poeti shqiptar që jeton në Belgjikë, renditet me poezinë e tij ndër dhjetë më të mirët e botës frankofone

“Love”, libri pasionant i poetit shqiptar, që jeton në Belgjikë, Skënder Sherifi, është renditur ndër dhjetë librat më të mirë të vitit 2008 në këtë vend. Kritika atje ka publikuar së fundi këtë bilanc global për librat më të mirë të vitit ’08, ku libri i Sherifit veçohet për gjininë. Vetëm vëllimi poetik “Love” është shkruar në gjininë e poezisë, ndërkohë të gjithë librat e tjerë janë tregime, biografi-monografike, ese etj. Janë botime që kanë bërë të gjithë jetën e tregut në Belgjikë, si dhe në katër shtetet kryesore të Evropës frankofone

“Love”, libri pasionant i poetit shqiptar, që jeton në Belgjikë, Skënder Sherifi, është renditur ndër dhjetë librat më të mirë të vitit 2008 në këtë vend. Kritika atje ka publikuar së fundi këtë bilanc global për librat më të mirë të vitit ‘08, ku libri i Sherifit veçohet për gjininë. Vetëm vëllimi poetik “Love” është shkruar në gjininë e poezisë, ndërkohë të gjithë librat e tjerë janë tregime, biografi-monografike, ese etj. Janë botime që kanë bërë të gjithë jetën e tregut në Belgjikë, si dhe në katër shtetet kryesore të Evropës Frankofone. Një nga revistat më të famshme “Paris-Match”, revista anglofone “The Buletin” etj. i kushtojnë poetit shqiptar radhë nga estetika e krijimtarisë poetike të Sherifit, duke e parë si një zë të veçantë në prurjet letrare, në një kohë kur poezia po njeh gjithnjë e më pak lexues.

Rikthimi i Sherifit në Tiranë gjithnjë lidhet me veprimtarinë e tij letrare, ku përherë e më shumë po nis të bëhet prezent dhe në qarqet e librit. Para pak viteve poeti vinte në Shqipëri me arsyen për t’u njohur dhe më pas për t’u përfshirë nga mendimi kritik, sidomos në Tiranë. Pas botimit me poezi “Love”, e gjitha në frëngjisht, duket se e ka rikthyer “mbrapsht” duke përmbledhur në një vëllim të ri poetik disa krijime të botuara në shqip në vitet ’79-’80, të përkthyer nga frëngjishtja nga Ibrahim Rugova, që është një nga impresionet që ruan sot poeti. Ndonëse shfaqen rrallë poezitë e Sherifit në shqip, ky libër vjen si botim i shtëpisë botuese nga Kosova “Faik Konica”, e shoqëruar me pasthënie të studiuesit dhe kritikut Ramadan Musliut.

“Poezia e këtij lloji, ndër të tjera, shquhet edhe si një meditacion lirik, si shprehje abstrakte e objektivitetit të observuar. Edhe vetë ligjërimi poetik i këtij tipi ka si karakteristikë qenësore prirjen për konkretësi sa më të madhe, prirjen që preokupimin poetik ta realizojë me minimum mjetesh poetike. Vetë mesazhi poetik është ironizimi i një situate jetësore, ironizimi i natyrës destruktive të njeriut.

Procesi i vetironizimit, para së gjithash, duhet të kuptohet si një katars, si spastrim shpirtëror nga e keqja që ka kapluar këtë botë të përçudnueshme. Në fund të secilës vjershë, thirrje e këtillë apelative jehon si një zë njerëzor i humbur në “xhunglën e hekurt”, si akt i vetëdijshëm ku kërkohet ajo pjesë e patjetërsueshme e shpirtit njerëzor. Në këtë vijë të intonacionit poetik kjo poezi është e afërt me poezinë e poetit arbëresh, Vorea Ujko, që do të thotë se afria e këtillë tematike lidhet me kushtet e njëjta të ekzistimit të subjektit poetik. Tjetërsimi dhe lufta e rrëqethshme kundër “mjerimit seksual dhe formave të eksploatimit” të ngritur në shkallën e ironisë, konstituohen si karakteristika të planit struktural të këtij teksti poetik”, është kjo pjesë e shkëputur nga kritiku Mysliu, që pas tij edhe në Tiranë ka qenë filozofi Artan Fuga që ka bërë përkthimet e para të poezisë së Sherifit dhe dhënien e mendimit të tij mbi sugjestionin poetik të veprës së Sherifit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›