Premtimi,“Pas NATO-s, vijnë vizat, BE-ja dhe vepra madhore”
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në Peqin për zgjedhjet në PD
Anëtari i kryesisë së PD-së, Lulzim Basha, ndoqi nga afër zgjedhjet në Partinë Demokratike të qytetit të Peqinit. Ai premtoi se në mandatin e dytë, kjo mazhorancë që futi vendin në NATO, do të përmbushë misionin për lëvizje të lirë, do të fusë vendin në BE si dhe do të ndërtojë vepra të tjera të mëdha në infrastrukturë. Basha sulmoi Ramën, duke e akuzuar se ka nëpërkëmbur edhe kodin e vdekjes.
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tregoi dje disa nga prioritetet e mazhoranës së djathtë në mandatin e dytë. I ndodhur në qytetin e Peqinit, ku PD-ja e këtij rrethi zgjodhi strukturat e reja, Basha tha se qeveria “Berisha”, pas hyrjes në NATO, do të heqë vizat për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen. Ai premtoi se kjo qeveri, në mandatin tjetër do të fusë vendin në BE. Sipas tij, hyrja në NATO ishte një garanci që kjo qeveri tregoi se ia doli mbanë me reformat. Basha kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Peqinit, por edhe të gjithë shqiptarëve, për një mandat të dytë, në mënyrë që sipas tij, të realizohen të gjitha premtimet e dhëna. “Ne që futëm vendin në NATO, ne do të heqim vizat për qytetarët shqiptarë, ne do ta fusim vendin në BE”, - tha Basha. Më tej, ai u përqendrua në ndërtimet e mëdha publike. Basha tha se kjo qeveri në mandatin e dytë do të ndërtojë rrugë të tjera të mëdha për vendin. Ai mori rrugën Durrës-Kukës si dëshmi e punës së kësaj mazhorance. “Ne që ndërtuam veprën shumëshekullore-ëndërr Durrës- Kukës, ne do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit, ne do të ndërtojmë edhe rrugën fushore Tiranë-Elbasan, e shumë e shumë vepra të tjera madhore kombëtare”, - tha Basha.
Ministri i Jashtëm sulmoi më tej kreun e PS-së, Edi Rama. Basha tha se Rama ka nëpërkëmbur kodin e vdekjes së shqiptarëve. “Ai, që ditën e ardhjes së Presidentit Bush hapi fjalë se i shqiptarët i vodhën orën mikut të tyre më të madh, ai, që ditën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO organizoi mitingun famëkeq kundër saj, ai që bërtiti si një i marrë, duke u tallur me vdekjen e një njeriu për qëllimet e tij politike, ai që nëpërkëmb çdo kod njerëzor për interesin e tij politik, që nuk ndahet dot asnjë natë nga nata e pafund e së kaluarës së tij, vërsulet sot e çdo ditë në salla si kjo, me tërbim mbi të tashmen dhe të ardhmen e një Shqipërie që po ndryshon çdo ditë”, - tha Basha për Edi Ramën. Ai ndali edhe në reformat e katër viteve që lamë pas. “Shqipëria është sot e transformuar tërësisht si në rrafshin ekonomik ashtu dhe atë politik”, - tha Basha, duke shtuar: “Kjo është e prekshme nga kushdo”. Në fund të fjalës së tij, ministri i Jashtëm ftoi qytetarët të votojnë alternativën e punës dhe ndryshimit.