Ambasadori gjerman, Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike
Investimi / Biznesi gjerman rrit kapitalin e investuar në Shqipëri. “Pro Credit Bank” çel degë të re në Tiranë
Kryediplomati gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, ka deklaruar dje se Shqipëria nuk është prekur nga kriza. Ai ka vlerësuar ritmet e rritjet ekonomike në vendin tonë. Ambasadori gjerman e bërë këtë deklaratë gjatë inaugurimit të një degë të re të bankës “ProCredit” në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë. Fakti që biznesi gjerman po rrit kapitalin e investuar në vendin tonë, tregon besueshmërinë e investitorëve të huaj. Përgjatë vitit 2009, “ProCredit Bank” do të prezantojë një sërë produktesh të reja për të gjithë klientët e saj
Ekonomia shqiptare nuk është në krizë. Kjo deklaratë nuk është bëra nga ndonjë drejtues i qeverisë shqiptare, por nga kryediplomati i një shteti shumë të rëndësishëm në Evropën Perëndimore. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, e cilësoi pozitive ecurinë e ekonomisë shqiptare, pavarësisht krizës globale. “Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare dhe ritmet e rritjes ekonomike të regjistruara janë të kënaqshme”, - ka deklaruar dje ambasadori gjerman në Tiranë. Deklaratat e ambasadorit gjerman u bënë dje gjatë ceremonisë së hapjes së degës më të re të bankës “Procredit” në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Duke zgjeruar degët e saj, “ProCredit Bank” synon që të plotësojë nevojat e klientëve kudo që ata ndodhen. “ProCredit Bank” çeli dje agjencinë e saj më të re në kryeqytet, në rrugën “Ismail Qemali”, pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”. Në një atmosferë mjaft festive, “ProCredit Bank” ka organizuar një ceremoni inaugurimi, ku të ftuar specialë kanë qenë pikërisht klientë, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, mediat dhe punonjësit e saj. Të ftuarit specialë në ceremoninë e hapjes ishin z. Borislav Kostadinov, drejtor i Përgjithshëm i “ProCredit Bank” Shqipëri, z. Akan Ajdini, drejtor rajonal për “ProCredit Bank” Tiranë, z. Bernd Borchardt, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë dhe znj. Ute Rodrian, drejtore Rajonale e KfW-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Me qëllimin për të qenë sa më pranë klientëve dhe për të plotësuar sa më mirë nevojat e tyre, “ProCredit Bank” vendosi që të zgjerojë aktivitetin e saj me një njësi të re biznesi, e cila do të jetë kryesisht e fokusuar në ofrimin e një shërbimi sa më të shpejtë dhe cilësor për biznesin kryeqytetas dhe të gjithë individët. Hapja e njësisë së 11-të të biznesit në rajonin e Tiranës thekson përkushtimin për të vazhduar më tej për të mbështetur zhvillimin e biznesit vendas. “ProCredit Bank” pritet që së shpejti të zgjerojë aktivitetin e saj me degë dhe agjenci të reja, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rajone të tjera të vendit. Në vazhdimësi të një fushate të suksesshme për kreditimin e biznesit vendas, përgjatë vitit 2009, “ProCredit Bank” do të prezantojë një sërë produktesh të reja për të gjithë klientët e saj si: “Set Up Deposit”, që është një llogari kursimi nëpërmjet së cilës me rritjen e shumës së kursimit rritet edhe përfitimi i klientit; POS GSM/GPRS mundëson kryerjen e pagesave në pikat e shitjes nëpërmjet pajisjeve të lëvizshme dhe për herë të parë tregtarët shqiptarë mund të ofrojnë mundësinë e prenotimit online të hoteleve nëpërmjet POS-ve për të gjithë klientët brenda dhe jashtë vendit; Depozita ProKomfort ku klientët përfitojnë shumëllojshmëri afatesh dhe interes për depozitat me afat çdo fund muaji, pavarësisht afatit të maturimit; TOP UP ku për herë të parë në Shqipëri ProCredit Bank do të ofrojë mundësinë e rimbushjes së telefonave celularë nëpërmjet bankomateve të saj; zgjerim i shërbimit të blerjes me karta debiti, mundësi blerje online dhe të kryerjes së pagesave në rrjetin në rritje të POS dhe ATM; TCR (teller cash recycler) ku për herë të parë “ProCredit Bank” do të ofrojë arkëtarë automatikë. Kjo pajisje u mundëson klientëve arkëtimin dhe përdorimin e një sërë produktesh në një sportel të vetëm. Ndërkohë që prej pak kohësh “ProCredit Bank” ka prezantuar shërbimin më të ri Pro E-Banking që mundëson vetëadministrim, kontroll dhe printim të llogarive të klientit, transferta kombëtare dhe ndërkombëtare, kryerjen e pagesave të telefonisë, dritat, ujin, postën etj. “ProCredit Bank” është e pranishme nëpërmjet një rrjeti prej 38 degësh dhe agjencish, ku ofron një linjë të plotë me shërbime bankare dhe produkte kredie për të gjithë. Aksionerët e “ProCredit Bank” Shqipëri janë institucione të qëndrueshme dhe të fuqishme ndërkombëtare, si: ProCredit Holding AG dhe Commerzbank AG. “ProCredit Bank” është e pranishme në 22 shtete në: Evropën Juglindore, Afrikë dhe Amerikën Latine. Akan Ajdini, drejtor rajonal i “ProCredit Bank” në Tiranë tha: “Ju garantojmë se ne do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e biznesit shqiptar duke u ofruar atyre një gamë të gjerë produktesh kredie dhe shërbimesh bankare. Gjithashtu, ne tashmë po u ofrojmë atyre një produkt të ri fleksibël kredie të quajtur ProBisnes”.