Skënderbeu bën detyrën ndaj Bylisit

(ALBANIA-SPORT) - Një gol i kapitenit Bledi Shkëmbi nga pika e bardhë dhe një tjetër nga blerja e re dimërore, Gjergji Muzaka, i garantuan fitoren 2-0 Skënderbeut ndaj Bylisit, që nga ana e tij e mbylli sfidën me nëntë lojtarë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Kategorisë Superiore.
Korçarët ruajtën rekordin e 100 për qind të pikëve në shtëpi, në fitoren e nëntë në po aq ndeshje.
Me presionin për të fituar ndeshjen e parë vitit 2011, por dhe me një ndeshje më pak, ajo ndaj Tiranës (të vlefshme për javën e 17-të), Skënderbeu i Shkëlqim Muçës u shfaq ofensiv qysh nga minuta e parë.
Bledi Shkëmbi realizoi në minutën e 2-të nga pika e bardhë, goli i tij i katërt sezonal dhe i dyti i shënuar me 11-metërsh, duke ç’tensionuar situatën në radhët e “ujqërve të dëborës”.
Ish-lojtari i Dinamos, Gjergji Muzaka, dyfishoi shifrat në minutën e 19-të, me golin e tij të parë për Skënderbeun, skuadra e katërt shqiptare në karrierën e futbollistit tiranas. Goli i dytë sezonal i futbollistit të Kombëtares shqiptare, përfshirë dhe atë të realizuar me Dinamon.
Fitorja ndaj Bylisit të vendit të parafundit, e që për më tepër i mbylli minutat në të ftohtin e Korçës pa Begën (nga minuta e 53-te) dhe Dimon (85') , e ngjiti skuadrën e Skëndebeut në kuotën e 34 pikëve, tri më pak se Flamurtari i vendit të parë, por që të dielën do të luajë me Shkumbinin në Vlorë.
Dy takimet e radhës për Skënderbeun janë ato në transfertë: kundër Tiranës (3 shkurt, e prapambetur, java e 17-të) dhe Kastriotit (java e 19-të), dy ndeshje vendimtare për korçarët.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 29 Janar 2011