E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu e Tirana, fitojnë pretendentët

Pas fitores 3-1 të Skënderbeut ndaj Vllaznisë, të premten, në ndeshjen hapëse të kampionatit të ri, një tjetër fitore në transfertë ka ardhur një ditë më pas. Nga një tjetër ekip pretendent për titull, sikurse është Tirana. Bardheblutë ia kanë dalë mbanë me sukses në një fushë tepër të vështirë, përballë një tifozërie vendëse të shumtë në numër dhe mjaft e elektrizuar gjatë tërë lojës, falë golit të Klodian Duros, realizuar nga penalltia. Ky moment, i fiksuar që në pjesën e parë, ka mbetur përcaktues deri në vërshëllimën e fundit të kryesorit Sino, duke i dërguar tri pikët e para në llogarinë e 24 herë kampionëve të vendit. Trajneri Rubio e ka përcjellë me mjaft ankth dhe emocione lojën nga tribuna e stadiumit të Beratit, pasi nuk i është lejuar, sipas rregullores përkatëse të garës, të ulet në stolin bardheblu. Shkak për këtë ka qenë mospasja e një kontrate të nënshkruar zyrtarisht me Tiranën dhe të depozituar në federatë.
Dy ndeshjet e tjera të së shtunës, në kuadrin e javës së parë të Superiores, kanë prodhuar barazime, me të njëjtin rezultat 1-1. Kurbinasit dhe fierakët e kanë gjetur shumë shpejt golin, por janë superuar nga mysafirët e tyre brenda pjesës së parë. Pavarësisht volumit të madh të lojës që kanë zhvilluar, si Laci ndaj Besës, edhe Apolonia ndaj Kastriotit, nuk kanë shkuar dot më tej se barazimi në 90-minutat e para në kampionatin e ri. Nga një pikë e ndarë mes palëve, që më shumë kanë lënë të kënaqura Besën me Kastriotin, për faktin se luanin në transfertë. Nesër është radha e tri ndeshjeve përmbyllëse të kësaj jave, ku Flamurtari do të sfidohet nga Bylisi në fushën asnjanëse të Beratit, Teuta udhëton për në Peqin, ndërsa Kukësi pret në inagurimin e stadiumit të ri, por edhe në debutimin historik në Superiore, Luftëtarin e Nevil Dedes.

Kategoria Superiore
Java 1
24.08.2012
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1-3
Shenues: Smajli 77′ / Pejic 19′, 34′, 47′

25.08.2012
TOMORI – TIRANA 0-1
Shenues: K.Duro 31′ (pen)
Gjyqtar: E.Sino (Fier)

LAÇI-BESA 1-1
Shenues: Vucaj 5′ (pen) / Kaja 43′
Gjyqtar: B.Pashaj (Tirane)

APOLONIA-KASTRIOTI 1-1
Shenues: Ribaj 3′ / Sekseni 15′
Gjyqtar: E.Hoxha (Lezhe)

26.08.2012
SHKUMBINI – TEUTA 17:00
KUKËSI-LUFTËTARI 17:00
BYLIS-FLAMURTARI 17:00
(Luhet në Berat)

Ndeshjet e së shtunës
Tomori-Tirana 0-1
Tirana i falet penalltisë së Klodian Duros
Tirana kthehej pas disa vitesh në stadiumin e Beratit. Për Tomorin është viti i dytë radhazi që luan mes më të mirëve, por përballjen si pritëse në sezonin e shkuar me bardheblutë e ka luajtur në Lushnjë, për shkak se fusha e tij po rikonstruktohej. Tashmë palët gjenden në kushte dhe situata të tjera. Tomori ka rikthyer në stol një emër të njohur të vetin, edhe si futbollist, Kristaq Milen, i cili i kishte paralajmëruar 24 herë kampionët e vendit për hakmarrje të vjetër, duke risjellë në vëmendje betejën e vitit 2000 në Elbasan, kur diskutonin mes tyre titullin kampion. Mile e ka drejtuar këtë skuadër në sezonin e saj më të artë, 1999-2000, duke luftuar deri në sekondat e fundit me kryeqytetasit për titullin kampion, ndërsa rikthehet pas 6 sezonesh në Berat, me synimin për të pasur një ekip dinjitoz.
Me Rubion në tribunën e stadiumit të Beratit, jo në stolin drejtues, për shkak se nuk ka të nënshkruar ende një kontratrë me Tiranën për sezonin e ri, bardheblutë kanë provuar që në fillim presionin e vendësve. Tomori shfaq hapur ambiciet e tij, teksa është i orientuar tërësisht drejt portës së Ilion Likës. Ky i fundit impenjohet në disa pritje decizive e të vështira, duke evituar gola të sigurtë, sidomos në goditjet e rrepta të pjesës së parë, me autor korcarin Frashëri. Për beratasit spikat kapiteni Mile dhe lojtarë të tjerë me qasje ofensive, që e godasin kuadratin kundërshtar nga të gjitha pozicionet. Mundohet të kundërpërgjigjet edhe Tirana, që udhëzohet nga stoli prej zv.trajnerit Sokol Bulku dhe drejtorit teknik, Alban Tafaj. Bie në sy një fakt interesant në stolin bardheblu: aty ka thuajse numër të barabartë zyrtarësh me lojtarë rezervë, një situatë kritike për një klub 24 herë kampion të vendit kjo. Kloodian Duro e nis ndeshjen si titullar, në rolin e organizatorit të lojës bardheblu, ndërsa në mbrojtje ka vend për Kalarin, ashtu si për të riun Morina, që asiston në detyrat sulmuese Cotën. Pjesa tjetër e skuadrës është e njëjta me finalen e Superkupës. Ndoshta këto zgjedhje kanë qenë të detyruara për trajnerin Rubio, sepse nuk kishte të gatshëm plot katër lojtarë, për shkaqe të ndryshme, si Pashaj, Ferraj, Sina dhe G.Muca. Skuadra vendëse, e ndihmuar nga rreth 6 mijë tifozë të pranishëm në stadium, nuk i rreshti asnjëherë sulmet e saj, por zhbilancohet disi në prapavijë, ku mundohet ta godasin me kundërsulm miqtë. Në një dalje të tillë të rrufeshme, me kombinime të shpejta, treshe, G.Lika-Morina-Cota, Tirana e gjen të papërgatitur mbrojtjen beratase, e cila detyrohet ta pengojë në mënyrë të parregullt sulmuesin kryesor të kryeqytetasve. Ka kontestime të forta të vendësve, por penalltia do të ekzekutohej me saktësi nga Klodian Duro, që e kalon Tiranën në epërsi në minutën e 31-të. Ky gol ka ardhur në momentin më të mirë të beratasve, teksa e kishin zhvendosur lojën në gjysmëfushën bardheblu, aty ku kishin krijuar edhe disa raste. Epërsia do t’i jepte më shumë moral e zemër skuadrës së Tiranës, që duket më e qartë në aspektin taktik, më pragmatiste në mënyrën e saj të të luajturit, përballë Tomorit që rrëmbehet nga dëshira e madhe për të shënuar e fituar, por gabon shumë. Në pjesën e dytë pati një moment ankthi në fushën e lojës, teksa një dyluftim i Cotës me Carls i lë të dy të shtrirë në fushën e lojës për gati 5 minuta. Nëse mbrojtësi me ngjyrë i Tomorit arrin të rikuperohet me ndihmën e mjekëve, duke e vijuar ndeshjen, e ka të pamundur sulmuesi i bardhebluve, që niset me ambulancë për në spitalin e qytetit, për ekzaminime e mjekime plotësuese.

Laçi-Besa 1-1
Laci rikthehet në shtëpi pas 9 muajsh, por me barazim
Në ndeshjen e parë si kapiten i kurbinasve, Erjon Vucaj do ta niste me gol. Kur ishin luajtur vetëm pesë minuta nga kjo sfidë me Besën, shkodrani i thirrur së fundi edhe në kombëtare ka realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Një nisje mjaft e bukur kjo për Lacin e Daiut, që rikthehet të luajë para tifozëve të vet pas shumë kohësh, më konkretisht pas gati 9 muajsh. Bardhezinjtë nuk luanin një ndeshje zyrtare në fushën e vet që prej 4 dhjetorit të vitit të kaluar, kur bënë atë “gurgule” të madhe me kryesorin e FIFA-s, Lorenc Jemini, duke e dhunuar atë në mënyrë masive, në fund të ndeshjes me Kastriotin e Krujës. Sa i përket në tërësi ndeshjes, minutat e pjesës së parë janë më të mira për vendësit, të cilët kontrollojnë qarkullimin e topit dhe kanë iniciativën. Beteja zhvillohet kryesisht në mesfushë, ku kavajasit kanë lojtarë me potencial, si Mihani. Duhej tëvinte minuta e 43-të, që një ish-lojtar i Lacit, Kaja, tani pjesë e verdhezinjve, të barazonte shifrat. Goditja e tij nuk zotërohet dot si duhet nga portieri vendës Vashaku, të cilit i shpëton topi nga duart dhe përfundon në rrjetë. Me shifra të barabarta mbyllet pjesa e parë në Lac, aty ku Besa kishte marrë goditjen e “nokautit” para dy sezonesh, kur zbriste në Kategorinë e Parë. Tashmë rikthehej në fushën e krubinasve si pjesë e Superiores, pas një viti të vështirë në Kategorinë e Parë, me tjetër fytyrë e të tjera ambicie, cka e tregon edhe merkatoja e kryer, edhe barazimi në një fushë realisht të vështirë.

Apolonia-Kastrioti 1-1
Apolonia s’mund dot Kastriotin me 10 lojtarë
Apolonia e ka nisur praktikisht ndeshjen në epërsi, sepse ka shënuar në portën krutane që në minutën e 3-të. Eshtë goleadori i spikatur fierak, Andi Ribaj, ai që do ta bënte “sefte” për bardhejeshilët në këtë kampionat të ri, duke i befasuar miqtë. Formacioni i Artan Mërgjyshit goditet shumë shpejt, thaujse pa u vendosur mirë në fushën e blertë, megjithatë e merr shpejt veten. Kastrioti jo vetëm arrin të rivendosë ekuilibrat në lojë, duke dalë bukur nga gjysmëfusha e vet për në sulm, por gjen edhe golin e barazimit me anë të Seksenit, në minutën e 15-të. Bie në sy mosqëndrimi në stolin e vendësve i trajnerit Ernest Gjoka, që udhëzon nga pas pankine, cka tregon se edhe ai mund të ketë probleme kontraktuale të llojit “Rubio”. Minutat e lojës konsumohen njëri pas tjetrit me luftë sportive, kryesisht në mesfushë, me vendësit disi më kërkues, që sulmon në mënyrë të vazhdueshme, por pa rezultat në portën e Mockës. Ky i fundit është rikthyer në “Loni Papuciu” si kundërshtar, duke mbrojtur portën e Kastriotit. Krutanët mbrohen mirë, mundohen të qarkullojnë sa më dendur topin, duke ia bërë hyzmetin edhe një barazimi, që do të ishte rezultat i dëshirueshëm në një transfertë të tillë. Kësaj gjëje ia ka arritur me shumë sforco, duke luajtur me dhjetë lojtarë në fushë që nga minuta e 60-të, pas daljes me të kuqe e Celës, ndërkohë që Apolonia nuk ngrihet dot mbi “rrënojat” e veta të sezonit të shkuar.
Në këtë 90-minutësh të parë të një kampionati të ri, Apolonia dëshmoi atë situatë jo fort pozitive. Skuadra fierake u shfaq e pakolauduar, edhe për shkak se i mungojnë elementët cilësorë në përbërje. Me një trajner të ri në stol, Ernest Gjokën, bardhejeshilët e kanë të freskët rrezikun e rënies. Pasi mbijetuan mes më të mirëve në një ndeshje “play-off”-i me Lushnjën, fierakët i qasen këtij objektivi që në start. Pra, tri pikët e para të një kampionati të ri, aq më tepër që luante në fushën e vet, do të kishin vlera morale e shprese për Apoloninë, një skuadër që nuk ka pasur stabilitet në superiore në vitet e fundit. Ndryshime të mëdha në drejtim e përbërje ka pësuar edhe Kastrioti, por ia doli të marrë një barazim në testin e parë të sezonit të ri, aq më tepër në transfertë. Me Artan Mërgjyshin në krye, krutanët nuk kanë më “revanin” e sezonit të kaluar, kur shpresonin Evropën, por duhet t’i bëjnë llogaritë hap pas hapi për të mbetur në elitën e futbollit shqiptar.

Ndeshjet e së dielës
Tri betejat e së shtunës ftojnë të tjerë aktorë në garë, madje debutues në Superiore, të tillë si Kukësi, që ka ndërtuar stadiumin e ri dhe pret ta inagurojë atë ndaj Luftëtarit. Bluzinjtë janë një tjetër debutues mes më të mirëve të vendit, por ama nuk e kanë për herë të parë këtë gjë, ashtu si verilindorët. Kuksianët spikasin si një nga skuadrat më të angazhuara në merkato, ndaj mbetet të shihet sa do të vlejë kjo nga ndeshja në ndeshje. Nëse mes këtyre dy palëve ka pasur një betejë të ethshme edhe sezonin e kaluar, në Kategorinë e Parë, për t’u ngjitur më lart, rivaliteti vijon edhe në këtë “sallon”, që në javën e parë të kampionatit të ri.
Bylis-Flamurtari E diela gjen një skuadër pretendente në transfertë. Flamurtari i Shkëlqim Mucës, me afrime tepër cilësorë në merkaton e kësaj vere, e nis përmbushjen e qëllimit kryesor, titullit kampion, nga stadiumi i Beratit. Aty ku e pret Bylisi i Ballshit, por i detyruar të luajë në fushë asnjanëse ngaqë stadiumin e vet e ka në rikonstruksion. Mallakastriotët, me vlonjatin Agim Canaj në krye, nuk kanë mbetur pas në tregun e verës, ndaj s’mund të konsiderohen të lehtë për t’u kaluar nga vlonjatët. Dicka të tillë e ka paralajmëruar edhe tekniku i kuqezinjve, Muca, i cili ka apeluar për kujdes, përqendrim dhe vlerësim mksimal të kundërshtarit. Sepse, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë “firmosen” tri pikët e para të kampionatit të ri, kampionat i cili koincidon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj edhe për këtë fakt vlonjatët janë më të karikuar se kurrë për të qenë ata kampionët e vendit.
Shkumbini-Teuta Shkumbini duket më “i tharë” se në asnjë edicion tjetër, nëse i referohemi qasjes së kësaj skuadre në merkato. Me pak përforcime, edhe ato jo të rangut të lartë, bardhekaltrit e nisin kmpionatin e ri në shtëpi. Ky është ogur i mirë për të rikthyerin në stolin peqinas, Gugash Magani, se mund t’i marrë tri pikët e para në një garë të gjatë e të lodhshme. Përballë do të ketë Teutën e Hasan Likës, e cila i dha tonin kampionatit të shkuar dhe ishte fare pranë fitimit të titullit. Durrsakët duken më të kolauduar si grup, janë më të pjekur e autoritarë në letër, ndaj vendësit duhet t’i “përveshin mirë mëngët”. Duke ditur se në fund të këtij edicioni zbresin direkt katër skuadra nga Superiorja, peqinasit e shohin veten në këtë vorbull pa nisur ende gara, ashtu si disa skuadra të tjera. Kjo do të thotë se në ndeshjet në shtëpi, marrja e pikëve maksimale është e vetmja rrugë për shpëtim, cka vlen edhe për përballjen ndaj “djemve të detit”. Këta të fundit kanë ambicie për në katin e sipërm të renditjes, ndaj duhet të dëshmojnë që në start se janë potencialë për ta rivalizuar kreun.
(e.m/panoramasport/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›