Skënderbeu, frikë nga skuadra e ‘transfertave’
Kryesuesit e Skënderbeut do të presin sot në Korçë skuadrën laçiane të drejtuar nga Stavri Nica, në një përballje që mund të vendosë shumë përsa i përket titullit kampion. Lojtarët korçarë, por edhe tifozëria juglindore janë përfshirë nga ethet e titullit që pasi më në fund ata arritën të dalin në krye të tabelës pas kaq javësh “tirani” nga ana e vlonjatëve. Por Laçi nuk është një skuadër që duhet nënvlerësuar dhe këtë më mirë se kushdo tjetër e di presidenti Zeqo, që u ka bërë thirrje të tijve që të mos bien pre e vetëkënaqësisë, por të impenjohen seriozisht për ndeshjen e sotme. “Vetëkënaqësia është armiku numër një për Skënderbeun në këtë moment dhe kjo jam i bindur që nuk do të ndodhë. Do të jem në tribunë në ndeshjen kundër Laçit dhe nuk mund ta humbas këtë fitore tjetër që do të shënojmë dhe në fushën tonë, nuk mund të themi më që do të fitojmë, por do të bëjmë thjesht detyrën dhe asgjë më shumë,” është prononcuar Zeqo. Ndërkohë, kurbinasit kanë premuar se nuk do të tolerojnë në Korçë, pasi jashtë fushe kanë arritur të grumbullojnë jo pak, por 14 pikë. “Laçi ka zhvilluar kampionatin më korrekt nga të gjitha skuadrat e tjera. Nuk ka toleruar ndaj askujt, ka parë punën e vet dhe është munduar t’i arrijë objektivat përmes fushës së blertë. Fatkeqësisht humbja me Vllazninë e bëri të paarritshëm vendin e tretë dhe Kupat e Europës, por kjo s’do të thotë se tashmë do të bëjmë pazar,” ka deklaruar mesfushori Vucaj.
Ndërkohë, në Vlorë tifozëria kuqezi po bëhet gati ta presë Dinamon me tërë të mirat. 3 dhuratat e këtij sezoni (pa llogaritur edhe ato të sezonit të shkuar) e kanë shndërruar skuadrën kryeqytetase në më të urryerën për tifozët e Flamurtarit. Megjithatë, lojtarët nga ana e tyre janë të fokusuar që të japin maksimumin në këtë sfidë dhe të dalin kryelartë në përballjen e tyre e të shpresojnë për një hap fals të korçarëve. “Ne do të luftojmë deri në fund, kundër të gjithëve, për të çuar gjithçka në ndeshjen e fundit,” ka deklaurar Xhafaj duke e paralajmëruar qartazi Dinamon për atë që e pret në Vlorë.
Ndeshje shumë e rëndësishme është edhe Vllaznia-Tirana, pasi fitorja e bardhebluve do t’i fuste ata në luftë për vendin e tretë pikërisht në dëm të kuqebluve shkodranë. Por jo pak të rëndësishme janë edhe Besa-Kastrioti e Bylis-Shkumbi, përballje që vlejnë mbijetesën për këto katër ekipe, pasi Teuta në Elbasan e ka praktikisht si një stërvitje 90 minutëshin e saj.
Superliga – Java e 29-të
Sot
Vllaznia – Tirana 14:00
Besa – Kastrioti 16:30
Elbasani – Teuta 16:30
Flamurtari – Dinamo 16:30
Bylis – Shkumbini 16:30
Skënderbeu – Laçi 18:00