E Diel, 1 Nëntor 2026

Disiplina “fal” Shkumbinin me 4 ndeshje pa tifozë

Zhurma e madhe për dhënien në tavolinë të tre pikëve skuadrës së Flamurtarit ka rezultuar një ffluskë sapuni, pasi, në të vërtetë, KD ka ndëshkuar vetëm fushën e Peqinit

Mbase drejtuesit e Flamurtarit e dinin se Shkumbini do t’ia hidhte me një ndëshkim të kësaj natyre, por megjithatë, shpresa e tyre për dhënien e ndeshjes në tavolinë ka qenë e madhe. Sidoqoftë, Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit, në mbledhjen e djeshme, ka vendosur që ta mbyllë me 4 ndeshje pezullim për fushën sportive të Peqinit çështjen e nxehtë ku janë përfshirë disa skuadra. Skënderbeu ruan vendin e parë, Flamurtari nuk merr tre pikët që donte, Shkumbini ia hedh humbjes në tavolinë, por merr një dënim të rëndë në këtë fund kampionati, pasi do të luajë 2 ndeshje pa tifozë (KD ka dhënë 4, por kampionati përfundon pas 5 javësh, teksa skuadra e Miles ka vetëm 2 sfida brenda fushës), ndërsa rivalët e peqinasve janë hidhëruar jo pak, pasi kanë shpresuar deri në fund që Shkumbini të zbriste në kuotën e 32 pikëve, duke qënë seriozisht i rrezikuar për të rënë nga kategoria. “KF “Shkumbini” për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe hedhje të sendeve të forta në fushë me pasojë ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, në bazë të nenit 67/3.b) të KDS dënohet me 1.500.000 lekë gjobë dhe ndalimin e zhvillimit të ndeshjeve në stadiumin e Peqinit për 4 (katër) ndeshje,” është deklarata zyrtare e disiplinorit, që po ashtu ka komunikuar dhe rrëzimin e kërkesës së Flamurtarit për dhënien e ndeshjes në tavolinë. “KD vendosi mospranimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga KF “Flamurtari” për dhënie të pikëve në tavoline, si të pabazuar në KDS dhe në prova.” Tjetër shlyerje në horizont për Tiranën, që pasi u detyrua të paguajë ish-trajnerin Dede, do të duhet ta bëjë të njëjtën gjë edhe me Alpin Gallon, të cilit i detyrohet 2 milionë lek të vjetra. Pjesa tjetër e vendimeve kanë përfshirë kategoritë inferiore, por bie në sy ndëshkimi rekord për këtë javë i trajnerit të Kamzës, Skerdi Bejzades, që ka marrë 8 ndeshje pezullim dhe një gjobë të majme prej 2.5 milionë lekësh të vjetra.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›