Skënderbeu, i sigurtë në finale e parë

Skënderbeu në volejboll për femra e ka patur të sigurtë hapin e parë drejt titullit kampion, teksa ka mundur Tiranën në ndeshjen e parë të zhvilluar në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, 3-0. Një ndeshje që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, teksa atmosfera e ngrohtë e krijuar nga tifozeria bardhekuqe e ka ndihmuar skuadrën e Pandush Kapedanit që të dalë fituese në duelin me Tiranën.
Sidomos në setin e parë, të cilën Skënderbeu e ka fituar me përmbysje 27-25. I dyti më pas e nxjerr Skënderbeun në lojën e vet, teksa ka fituar 25-15. Kurse i treti, 25-21 për Skënderbeun, është konfirmim i dominimit të korçareve ndaj Tiranës.
Për trajneren e Tiranës, Amarilda Prenga, shqetësimi më i madh është fakti se skuadra ka patur defekte, të cilat do të duhet t’i rekuperojë sa më shpejt për të mbetur në garën për titull kampion.
Ndeshja e dytë finale do të luhet në sallën olimpike “Feti Borova” të dielën e 1 majit, ndërsa takimi i tretë në Korçë më 4 maj. Gjithnjë në ora 19:00.