E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu masa drastike për Dos Santos-in

SHKRUAN: Irena Vreto 05-08-2011 14:14

Çështja Dos Santos vazhdon të mbajë mbërthyer prej të paktën 72 orësh klubin “Skënderbeu” të Korçës. Teksa lojtari ka ikur pa leje nga stërvitja, për arsye që i di vetëm ai, në klubin e futbollit bardhekuq janë të bindur për masat drastike ndaj tij. Penalizmi për lojtarin nuk do të mungojë, por ky vendim i takon në mënyrë ekskluzive vetë presidentit të ekipit. Nuk përjashtohet mundësia që lojtari të mos pranohet më të jetë pjesë e skuadrës së qytetit të serenatave. Ndërkaq, vetë trajneri Shpëtim Duro e ka dënuar aktin e futbollistit të huaj, duke dalë me një qëndrim, sipas të cilit akti i tij është tejet i turpshëm dhe ul imazhin e lojtarit për veprimet e tij. Por nga ana tjetër, klubi i futbollit është i shqetësuar për këtë të papritur, ndërsa ka dalë edhe me një qëndrim gjatë ditës së enjte. Këtë fakt e dëshmon dhe administratori i klubit të futbollit, Ilirjan Përmeti, sipas të cilit do të zbatohen rregullat dhe në këtë rast ato lidhen me vetë atë çka ka nënshkruar në kontratë lojtari. “Kjo që ka ndodhur është shumë e rëndë dhe të gjithë dënojmë aktin e futbollistit. Natyrisht që për veprime të tilla gjithçka është e përcaktuar qartë në kontratë. Lojtari penalizohet gjë që do të ndodhë dhe me Dos Santosin. Unë nuk mund të them më tepër vetëm të konfirmoj këtë gjë, por i takon presidentit të vendosë për masën që do të marrë dhe penalizimin që do ketë ndaj futbollistit në fjalë”, ka bërë të ditur për gazetën, administratori i klubit, Ilirjan Përmeti. Mësohet ndër të tjera se prej një dite, lojtari i huaj që ka ikur në mënyrë të pakuptimtë nga klubi, për një udhëtim në shtetin fqinj Greqi, ka tentuar të bisedojë me presidentin Zeqo. Ai është përpjekur të ketë fillimisht një bisedë telefonike me të, por kjo nuk është mundësuar. Presidenti Agim Zeqo ndodhet jashtë Shqipërisë për pushimet e stinës, ndërkohë që dhe vendimi i klubit për lojtarin në fjalë, bashkë me penalizimin e tij, do të bëhet zyrtar vetëm kur të mbërrijë Zeqo. Gjithsesi lojtari nuk është më pranë ekipit, ndërsa akti i tij i rëndë është dënuar edhe nga vetë trajneri i skuadrës. Dos Santos nuk dihet nëse do jetë pjesë e bardhekuqve, por është e sigurt tashmë, duke iu referuar dhe qëndrimit zyrtar të klubit, se ndaj tij do ketë një penalizim mjaft të rëndë që mund t’i kushtojë jo pak lojtarit të huaj. Duke iu referuar të njëjtave burime, Dos Sanos rrezikon deri dhe përjashtimin nga klubi i futbollit, masë që do të bëhet publike vetëm pas pak ditësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›