E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosha është vetëm numër

Nga Express më 05 gusht 2011 në ora 08:29

Ylli i Chelseas, Frank Lampard beson se ai mund të ruajë vendin e tij në formacionin bazë të ekipit, pavarësisht se ka mbushur 33 vjet. Lampard u bë njëri prej futbollistëve kryesorë të skuadrës nga Stamford Bridge pas transferimit nga West Ham United më 2001, duke i ndihmuar klubit të fitojë tre tituj në Premierligë dhe tri FA Cup.

Në sezonin e fundit, ai vuajti nga lëndimet e shpeshta duke filluar vetëm 23 ndeshje në ligë dhe ka ardhur në një pikë të karrierës ku çdo futbollist pëson rënie të formës. Por, reprezentuesi anglez nuk ka ndërmend të ndalet dhe synon të mbetet në futbollin profesionist për sa më tepër që mundet.

“Mendoj se çështja e moshës ka ndryshuar. Njerëzit ju përjashtojnë shpejt pasi hyni në të 30-at, por këto janë dëshmuar të jenë vitet më të mira për shumë futbollistë. Ryan Giggs ishte i shkëlqyeshëm kundër nesh në çerekfinale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar dhe në shumë ndeshje tjera, ai është 37 vjeç. Nëse kujdeseni për veten, mbeteni të motivuar që është shumë e rëndësishme, e njihni trupin tuaj, i bëni gjërat e duhura, atëherë ju mund të kaloni vitet më të mira në të 30-at”, tha Lampard për The Sun.

Reprezentuesi anglez është i vendosur të vazhdojë të luajë për Chelsean në garat elitare.

“E adhuroj lojën. E dua sportin dhe kënaqem duke luajtur të dielave në ligë. Më pëlqen të jem në kulm”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›