Mehmedi, hero i Zurichut
Admir Mehmedi ka qenë edhe njëherë hero i Zurichut. Sulmuesi shqiptar e ka udhëhequr ekipin zviceran drejt fazës së play-offit të Ligës së Kampionëve. 21 vjeçari e shënoi golin e fitores të mërkurën mbrëma ndaj Standard Liege, në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë kualifikues. Ky gol i mjaftoi nënkampionit zviceran që të ecën tutje, pasi që dueli i parë në mes të këtyre dy ekipeve përfundoi 1:1. Edhe në atë takim, golin e Zurichut e realizoi pikërisht përfaqësuesi i Zvicrës.
Mehmedi e ka humbur penalltinë në minutën e 23-të, por ai e përmirësoi gabimin në atë të 58-të, kur e shënoi golin përcaktues për të ecur përpara. “Jam i lumtur që shkuam përpara. Më ndihmoi ekipi dhe fjalët e trajnerit pas përfundimit të pjesës së parë”, deklaroi futbollisti shqiptar nga Maqedonia.
Zurichu do ta mësojë kundërshtarin e radhës, atë të fazës së play-offit, të premten. Futbollisti nga Gostivari shpreson që ekipi i tij të përballet me gjigantin bavarez Bayern Munich, në xhiron përcaktuese për fazën e grupeve. “Që kur isha fëmijë isha tifoz i Bayernit. Nëse kërkojmë një kundërshtar serioz për fazën e play-offit, mundësia më e mirë do të ishte të luajmë me Bayernin”, vazhdoi ai.
Mundësitë tjera për të luajtur në fazën e play-offit për Zurichun janë Arsenali, Lyoni, Benfica e Villarreali. Kjo fazë do të luhet më 16-17 e 23-24 gusht.
Përpara edhe Malmo, Dinamo e Twente
Zurichut në fazën e play-offit i janë bashkuar edhe dy skuadrat tjera, ku luajnë futbollistët shqiptarë. Malmo e Agon Mehmetit e Dardan Rexhepit e eliminoi gjigantin skocez Glasgow Rangers, kurse Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt e dërgoi në shtëpi Helsinkin e treshes shqiptare Berat Sadik, Erfan Zeneli e Kastriot Kastrati. Përpara ka ecur edhe Twente e Emir Bajramit, e cila e eliminoi ekipin Vaslui. Maribori i Agim Ibraimit u eliminua nga Maccabi Haifa.
Liga e Kampionëve – Faza e tretë
Rezultatet
BATE-Ekranas3:1 (0:0)
Panathinaikos-Odense3:4 (1:1)
Shamrock-FC Copenhagen0:2 (0:1)
Kazan-Dinamo Kiev2:1 (2:0)
Malmo-Rangers1:1 (1:0)
Vaslui-Twente0:0 (0:2)
Plzen-Rosenborg3:2 (1:0)
S. Bratislava-APOEL0:2 (0:0)
Zurich-Standard Liege1:0 (1:1)
Sturm-Zestafoni1:0 (1:1)
Wisla-Lovech3:1 (2:1)
Dinamo Zagreb-HJK1:0 (2:1)
Maribor-Maccabi Haifa1:1 (1:2)
Partizan-Genk1:1 (1:2)
Trabzonspor-Benfica1:1 (0:2)