E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu mbahet fort në kalanë e Krujës dhe arrin finalen

Nga FATMIR THAÇI

Korçarët nuk fitojnë kësaj radhe, por u mjafton edhe barazimi pa gola për të kaluar Kastriotin, i cili nuk arrin të shënojë të paktën një gol

 

KASTRIOTI SKËNDERBEU    0-0      (1-3)

Kastrioti: A. Hoxha, Caca, Ognjanoviç (Sekseni 65), Vukmanoviç (R. Hoxha 61), Malakarne, Pashaj, Muçollari, Alikaj, Turdiu, Cetkoviç (Xhihani 73), Inkango. Trajner: R. Ndreu.
Skënderbeu: Shehi, Fagu (Dimo 55), Arapi, Radas, Bici, Orelesi, Muzaka, Bratiç, Allmuça, Plaku, Xhafaj. Trajner: S. Levi.
Kartonë të verdhë: Muzaka

Gjyqtarë: B. Pashaj, E. Barushi (Tiranë), R. Çokaj (Lezhë)

Radiografia

19- Allmuça ka përfituar nga një gabim i Cacës në afërsi të zonës dhe pasi është futur brenda saj, ka gjuajtur fort, por Hoxha e ka ndalur topin aty ku takohen shtylla e djathtë pingule me traversën.

29- Cetkoviç nga goditja e këndit e ka dërguar topin në zonë tek Inkango, i cili gjuan bukur me kokë, por topi përfundon paksa mbi traun e sipërm të Shehit.

32- Pashaj godet bukur me kokë brenda zonës, por Shehi fluturon, duke e grushtuar fare pranë vijës fatale.

39- Muçollari brenda zonës gjuan, por para tij ka rrëshqitur Fagu, i cili u pretendua se e largoi me dorë topin jashtë vijës fundore, por për gjyqtarin Pashai ka qenë vetëm goditje këndi.

68- Xhafaj brenda zonës ka goditur fort me kokë, por grushton Hoxha dhe topi rikthehet te Plaku, që gjuan shpejt, por Malakarne e largon në goditje këndi.

79- Xhafaj ka dalë i vetëm në zonë përballë Hoxhës, por gjuan dobët, duke ia dërguar portierit topin në dorë.

81- Sekseni nga një pozicion i prirët në hyrje të zonës godet fuqishëm, por topi përplaset në traversë e që andej jashtë.

90- Alikaj ka ekzekutuar një goditje dënimi nga 25 metra largësi, por topi tij pasi ka marrë një trajektore ka prekur traun nga ana e sipërme dhe ka përfunduar jashtë.

 

Korçarët mbajnë ritmin e ndeshjeve të fundit. Edhe pse nuk kanë fituar kësaj radhe në Krujë, ata tashmë janë finalistë të Kupës së Shqipërisë, teksa do ta diskutojnë këtë trofe me Tiranën. Është hera e katërt që Skënderbeu arrin të dalë në finale, por kujtojmë që asnjëherë nuk ka mundur dot ta bëjë të vetin. Nëse në fillim të sezonit, kur kampionët në fuqi trumbetonin me të madhe se pretendonin të dy trofetë, pakush besonte, tashmë të gjithë janë bindur që Skënderbeu është faktor në futbollin shqiptar.

Kryeson kampionatin dhe është finalist i kupës, nuk mund të ketë më mirë. Por kjo nuk mjafton. Korçarët kanë edhe dy finale. E para do të jetë në kampionat këtë të diel, me Flamurtarin në Vlorë, që nëse arrin të fitojë, mund të themi pa frikë që është shpallur kampion. Ndërsa finalja tjetër është me Tiranën për kupë. Sa për Kastriotin, ishte një arritje historike edhe dalja në gjysmëfinale, por që nuk mjaftoi të kapte objektivin e vënë në fillim të sezonit, daljen në Europë.

Pjesa e parë Ka qenë një dialog i gjatë mes sulmeve të njëpasnjëshme të Kastriotit dhe mesfushës e mbrojtjes korçare, që ka përveshur mirë mëngët për ti zbrapsur vendësit. Nuk kursejnë asgjë dy trajnerët, me përjashtim të Levit, që ka lënë pushim kapitenin Shkëmbi, i cili ka pasur probleme fizike javët e fundit.

Vendin e tij e zë Bratiç, që përbën një forcë më shumë në misionin shkatërrues të kuqebardhëve, synimi i të cilëve është të mos pësojnë gol dhe të ruajnë kështu epërsinë 3-1 të gjysmëfinales së parë. Në kahun tjetër, duke qenë se mungon Sefa, trajneri Ndreu ka zhvendosur Entonio Pashajn në mesfushë, në rolin e shkatërruesit, duke e spostuar atë nga pozicioni i tij i përhershëm në prapavijë.

Alikaj mundohet ti japë frymëmarrje formacionit krutan, duke shpërndarë topat te dy sulmuesit, Inkango dhe Cetkoviç, ndërsa Turdiu asiston repartin e përparmë vendës nga e majta. Sidoqoftë, diga e ndërtuar nga korçarët është e fortë, zë fill që në mesfushë, ku Allmuça, Orelesi dhe Bratiç angazhohen në dyluftime mjaft të forta me kundërshtarët, duke i prishur që në thurje planet e Kastriotit.

Miqtë nga juglindja aplikojnë në vazhdimësi, në 45 minutat e para, kundërsulmin e shpejtë, teksa kërkohet Plaku dhe Xhafaj. Por ata nuk ia dalin, për faktin se janë të shkëputur nga repatet e tjera të skuadrës, ashtu sikurse mbulohen rreptësisht nga malazezët e Kastriotit, Ognjanoviç dhe Vukmanoviç.

Rasti i parë i diskutueshëm në këtë ndeshje, që është përshkruar nga fair-play, ka qenë ai i minutës së 39-të, kur Alikaj fut një top drejt zonës mike, por mbrojtësi Renato Arapi shtrihet në formë sparkate, duke e larguar sferën me dorë. Krutanët pretendojnë për penallti, por kryesori Pashaj bën shenjë me dorë që loja të vazhdojë.

Fraksioni i parë i sfidës mbyllet me një gjuajtje të përpiktë me kokë nga Inkango, pas një krosimi të ardhur nga këndi, por topi nuk i bindet plotësisht atij, sepse kalon ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të Orges Shehit. Mbyllet në barazim pa gola pjesa e parë, duke ia lënë vendin të dytës, ku krutanët do ta shtonin në maksimum presionin drejt portës së Skënderbeut, për faktin se nuk kanë çfarë të humbasin dhe i luajnë të gjitha kartat për të përmbysur disavantazhin e gjysmëfinalës së parë në Korçë.

Pjesa e dytë Vazhdon të jetë shumë mirë i vendosur në fushë Skënderbeu, që nuk i lëshon aspak terren formacionit të Ndreut. Ky i fundit hedh në fushë edhe sulmuesin Xhihani, me shpresën për të dalë te goli, por asgjë nuk vlen përballë Orges Shehit dhe mbrojtjes së tij, që mbeten të pakalueshëm. Duke u nisur nga ritmi i ndeshjes, të krijohej përshtypja që do të shënohen shumë gola, por në fakt nuk do të ketë asnjë. Me kalimin e minutave, korçarët e shohin veten më afër finales, kjo edhe për arsye se krutanët fillojnë mos besojnë më dhe për pasojë edhe sulmet sikur rrallohen.

Skënderbeu nuk përfiton nga kjo situatë, në mënyrë që të shënojë një gol dhe ta mbyllë ndeshjen para kohe, duke mos rrezikuar fare. Por asnjëra skuadër nuk shënon deri në përfundim të 90 minutave. Kësisoj, mbetet në fuqi suksesi 3-1 i korçarëve në ndeshjen e parë, të luajtur para dy javësh, e cila ka shërbyer e mjaftuar që Skënderbeu të shijojë finalen e Kupës së Shqipërisë. 

Një finale që vjen pas 36 vitesh për korçarët dhe për herë të katërt do të tentojnë të marrin këtë trofe, teksa nuk kanë mundur dot ta marrin tri herët e tjera. Ndërsa Kastrioti edhe me gjysmëfinalen kishte hyrë në histori. Përveç eliminimit, krutanët humbasin kështu edhe Europën. Vetëm ndonjë mrekulli në kampionat mund ti bënte ata të merrnin vendin e katërt, që mbahet nga Flamurtari dhe nuk ka ndër mend të lëshojë në 5 javët e mbetura, kur diferenca është 5 pikë me Kastriotin e vendit pestë.

 

Skënderbeu, për herë të 4-t në finale

Korçarët nuk e kanë fituar asnjëherë trofeun e kupës. Edhe pse kanë dalë tri herë në finale, Skënderbeu nuk ka mundur që ti gëzohet këtij trofeu. Sakaq, ekipi kuqebardhë ka prekur 8 herë gjysmëfinalet në 56 pjesëmarrje në edicionin e kupës. Aktualisht, kjo skuadër renditet në vendin e parë në kampionat dhe, duke qenë se ka mbërritur në finale, tashmë i synon të dy trofetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›