E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skërmitjet e Ramës s’prodhojnë kurrë aksion politik

11-06-2011 / Redaksionale

Megalomania është pjesë përbërëse e kreu të opozitës socialiste, Edi Rama. Dje ish-kryebashkiaku i Tiranës në një predikim për gazetarët kërcënoi, i ulur në karrige,  stabilitetin e vendit me një lehtësi të frikshme. “Vendimmarrja e ardhshme e Kolegjit Zgjedhor është një vendimmarrje që ka në vetvete edhe pyetjen se në ç’rrugë do të shkojë ky vend paskëtaj”, tha Rama, duke nënkuptuar se nga vendimi i Kolegjit varen fatet e vendit dhe integrimi Europian.
Mirëpo përkthimi i shkoqur i fjalimit të Ramës është nëse Kolegji për mua, (Edin), që të zgjidhem kryetar bashkie, atëherë Shqipëria do të hyjë në Europë. Ka shumë mundësi që ai është nxituar kur thotë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor varen fatet e vendit. Ai ka dashur të thotë se nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor varet fati i tij, dhe jo i vendit. Prandaj këto janë kërcënime të hapura që i bëhen organeve të drejtësisë. Kreu i PS vuri në dukje se edhe raporti i ODIHR vuri në dukje që problemet nisën në numërimin e votave, proces që sipas tij shkeli Kushtetutën. Mirëpo vetë Rama disa ditë më parë e pranoi se votat e hedhura në kutitë e gabuara ishin të rregullta, por ai nuk ishte dakord me vendimin e KQZ-së, pasi ai ishte miratuar me 4 vota pro dhe sipas Ramës duheshin 5 pasi sipas tij ishte një vendim normativ. Kolegji e sqaroi shumë mirë se nuk ka asnjë shkelje në marrjen e vendimit pasi ai nuk ishte një vendim për gjithë Shqipërinë, por vetëm për Tiranën cka do të thoshte se nuk ishte një vendim Normativ që të kërkonte 5 vota. Kolegji Zgjdhor foli, socialistët llapin formula të pandershme padrejtësie.
Ndërkaq Partia Socialiste nesër, datë 12 qershor, mbush njëzet vjet nga ndarja me PKSH-në, dhe thagma është se deputetët e saj në mungesë të mbledhjes së forumeve drejtuese, kanë gjetur “mejdanin” në rrjetin social “Facebook”, për të shprehur jo vetëm idetë e tyre lidhur me situatën politike, por edhe për të replikuar me njëri-tjetrin, për turp të botës,  nëse është PS-ja kllapi apo jo. Shkurtabiqi i Beratit thotë se Partia po sillet si humbëse, dhe është në kllapi. Kurse Pivoti i Shkodrës thotë shkurt se PS-ja, nuk është në kllapi. Në mungesë të shprehjes së lirë në Parlament, deputetët socialistë kanë filluar të cimbisen virtualisht me njëri tjetrin në rrjetin social Facebook. Kjo gara se cili është më socialist, dhe kush është renegat, në 20 vjetorin e partisë së dytë në vend është për të vënë duart në kokë. Kemi të bëjmë me një ç’organizim të organizuar, të një strukturë që disa vite më parë krenohej pa iu skuqur faqja. Kurse sot është e vështirë të thuash të kundërtën. Shumë deputet që dy vitet e fundit kanë qenë shumë aktivë në protesta dhe greva urie janë tërhequr duke pritur një erë më të favorshme për të bërë politikë. Deputete si Rudina Seseri, Olta Xhacka, Ermelinda Meksi, Velentina Leskaj, Mimi Kodheli apo Shega Ligori papritur  janë zhdukur nga prania publike, duke i lënë hapësirë “bur-rave” të PS-së, Erjon Velia, Erjon Brace dhe Ilir Beqja që janë imazhi kundërthënës i një partie eunuke. 
Sot PS-ja ndodhet në një udhëkryq demokratik. E pakta që mund të thuash është se ka humbur kontaktin me realitetin, sepse edhe aty ku kanë fituar kandidatëve mbështetur nga PS-ja, ata janë është refuzuar në këshillat bashkiakë dhe të komunave në të gjithë vendin. Këtë lexim të rezultateve të 8 majit e kanë të vështirë ta përtypin, sepse kjo do të thoshte një reformë të strukturave, çka në këto momente është e pamundur. PS-ja është një balenë e ngordhur që pret që rrjedha e ngjarjeve ta nxjerrë në breg.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›