E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i rishikuar, shkurtohen shpenzimet me 16 miliardë lekë

11-06-2011 / Gazeta 55

Ministria e financave ka hartuar draftin e buxheti 2011 të rishikuar

Konkretizohet drafti i rishikuar i buxhetit 2011, me parametrat e tij të rinj. Burime konfidenciale nga ministria e Financave, bëjnë të ditur ky draft është dërguar tashmë në Qeveri. Nga analizat e ekspertëve të ministrisë së Financave, në buxhetin e gjysmës së dytë të vitit do të shpenzohen rreth 16 miliardë lekë më pak krahasuar me parashikimin e fillimit të vitit 2011. Në këtë rishikim, qeveria ka vendosur të ulë të ardhurat dhe shpenzimet.

Uljen më të madhe, pritet ta kenë shpenzimet operarive, të cilat janë harxhime që kalojnë për personelin apo institucionet. Një fakt i tillë rikonfirmon sërish deklarata e kreut të qeverisë për një qeveri në dietë dhe me shpenzime të ulëta.
Por për të gjitha këto shkurtime, bëhet e ditur se nuk është prekur struktura e pagave.

Madje, qeveria ka vendosur rritjen e shpejtë të pagave dhe të pensioneve, e cila mendohet të jetë mesatarisht me 5 për qind, duke indeksuar kështu inflacionin dhe rritjen e çmimeve.

Ndërsa shkurtimet që prekin zërin e investimeve janë shqyrtuar me specialistë të Ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Këto ndryshime pritet të miratohen në Qeveri këtë javë.

Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, Financat kanë analizuar ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte të kalojnë në ato që po ecin më mirë. Një praktikë kjo e ndjekur si për traditë në çdo rishikim të buxhetit vjetor. Po ashtu, disa ditë më parë, Kryeministri Berisha është shprehur se, do të ulen shpenzimet për çdo institucion, duke premtuar se do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Buxheti i rishikuar pritet të miratohet së shpejti në Qeveri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›