E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’kishim dijeni për mbledhjen e Komisionit, do kërkojmë qëndrim kundër projektrezolutës”

20-12-2010 / Gazeta 55

Deputetët shqiptarë në KiE

Komisioni për çështjet ligjore dhe të drejtat e njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar të enjten e kaluar, në një mbledhje në Paris, projektrezolutën e raportorit zviceran Dick Martin, pa praninë e delegacionit shqiptar.
Në këtë komision parlamenti shqiptar përfaqësohet nga deputeti Shpëtim Idrizi dhe si anëtar zëvendësues deputeti socialist Damian Gjiknuri.
Por, as Idrizi dhe as Gjiknuri nuk kanë pasur dijeni në lidhje me këtë mbledhje të komisionit. Edhe deputeti Gjiknuri ka pohuar se nuk ka pasur dijeni për mbledhjen e së enjtes në Paris.
Nga ana tjetër, edhe deputeti Ilir Rusmali, që kryeson delegacionin e deputetëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, tha se nuk ka pasur dijeni për mbledhjen në Paris.
Sipas deputetëve të kontaktuar, njoftimi duhet të kishte ardhur nga Këshilli i Europës. Deputeti Shpëtim Idrizi, përveçse është anëtar i Komisionit të Ligjeve, është edhe anëtar i të njëjtit grup parlamentar ku bën pjesë deputeti zviceran Dick Marty, raporti i të cilit shërbeu si bazë për projekt-rezolutën e komisionit të ligjeve. Idrizi ka konfirmuar se përpara fillimit të sesionit të janarit 2011, ai do të kërkojë në mbledhjen e këtij forumi, në mënyrë që grupi parlamentar i Aleancës së Demokratëve dhe Liberalëve për Europën të dalë me një qëndrim kundër projekt-rezolutës. Deputeti i PDU-së tha, për median se në çdo rast deputetët shqiptarë do të bashkërendohen përpara sesionit plenar të Asamblesë që do të mblidhet më 24 janar 2011.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›