E Diel, 1 Nëntor 2026

“Akuzat e Martit, riciklim i sulmeve të Del Pontes - nuk kam qenë kurrë tek e ashtuquajtura Shtëpia e Verdhë”

20-12-2010 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i bën apel Këshilli të Evropës, që të mos heshtë as për 1800 shqiptarë të zhdukur nga paramilitarët serbë

Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, e cilësoi raportin e Dik Martit si një sulm direkt të përgatitur më parë për të dëmtuar imazhin e shtetit të ri të Kosovës dhe rrugën e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Basha gjatë një prononcimi për mediat tha se dokumenti i raporterit të Këshillit të Europës Marti, nuk është asgjë më tepër sesa riciklimi i pretendimeve të pabazuara në fakte që publikoi kohë më parë ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte.
Por ministri i Brendshëm komentoi edhe akuzat e bëra nga një ekspert i ekzaminimit të Kombeve të Bashkuara, José Pablo Baraybar, sipas të cilit, Basha e kishte shoqëruar atë në vitin 2004 për në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në Mat si përkthyes.
Sipas Bashës, kjo gënjeshtër e trashë fsheh në vetvete dështimin e punës së Baraibarit, i cili dështoi në punën e tij për të zbuluar viktimat shqiptare të gjenocidit serb gjatë luftës në Kosovë.
Ministri Basha shton më tej se vetëm Këshilli i Evropës nuk mund të heshtë përballë këtij raporti të turpshëm, ashtu siç nuk mund të heshtë shtoi ai as edhe për 1800 të zhdukur shqiptarë të Kosovës, fati i të cilëve ende nuk dihet.
Faktikisht, ajo që bën edhe thyerjen më të madhe si dhe hedh poshtë kategorikisht pa asnjë mëdyshje akuzat e ngritura nga i moçmi tjetër peruan, është se i zoti i shtëpisë së asaj zone të thellë të Matit, ka deklaruar se Lulzim Basha s’ka qenë kurrë në shtëpinë e tij, ndërsa pohon se aty kanë marrë pjesë hetues të ndryshëm ndërkombëtarë. Kësisoj, ajo që e bën të pabesueshëm dhe njëherazi tendencioz jo vetëm raportin e thinjashit Marti, por edhe akuzat e antropologut Baraybar është se bëhet fjalë për një skenar të mirë-organizuar me qëllim njollosjen e imazhit të shqiptarëve si dhe të personaliteteve të tyre përfaqësuese.

Çfarë qëndrimi keni mbi raportin e Dik Martin?
Komenti im sot është i njëjti koment i bërë në kohën kur kam qenë Ministër i Jashtëm dhe kur u publikuan në kujtimet e zonjës Del Ponte të ashtuquajturat akuza për trafik organesh. Bëhet fjalë për pretendime të cilat asnjëherë nuk u vërtetuan nga asnjë fakt, nga asnjë provë, pra bëhet fjalë për pretendime të pabazuara. Raporti i Dik Martin bën një riciklim të këtyre pretendimeve të pabazuara, ta pavërtetuara nga asnjë provë, nga asnjë fakt, e përsëris edhe njëherë, por i shton kësaj historie shpifjesh tentativën për të përlyer lidershipin kosovar, Kryeministrin Thaçi, dhe komenti im këtu është që nuk bëhet fjalë thjesht për të përlyer një person, qoftë ky edhe Kryeministri i Kosovës, por për një plan diabolik për të barazuar viktimën me xhelatin, për të përlyer sakrificën e mijëra fëmijëve, burrave dhe pleqve kosovarë që humbën jetën gjatë represionit gjenocidal serb në Kosovë, si dhe për të dëmtuar imazhin dhe përpjekjet e shtetit të ri të Kosovës në rrugën e këtij shteti drejt aspiratave të qytetarëve të tij për integrim të plotë në Bashkimin Europian.

Sot një e përditshme ka botuar një intervistë me një ekspert mjeko ligjor të OKB sipas të cilit ju keni përkthyer për të në shtëpinë e verdhë gjatë vitit 2004. Si qëndron e vërteta?
Është një shpifje e trashë. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në asnjë shtëpi të verdhë siç pretendohet e aq më pak të kem përkthyer për zotërinë në fjalë. Në vitin 2004 unë nuk kam punuar për Tribunalin. Kam qenë në UNMIK përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë dhe transferimin e kompetencave të UNMIK kësaj ministrie. Mbaj mend që zotëria është marrë në punë për të ndihmuar procesin e identifikimit dhe ekzaminimit të eshtrave të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe se fatkeqësisht në këtë kontekst akoma figurojnë 1800 qytetarë shqiptarë të cilëve nuk u janë gjetur akoma trupat. Ky person siç thashë është marrë në punë me kontratë për të ndihmuar në procesin e identifikimit dhe hetimit të eshtrave të shqiptarëve të ekzekutuar gjatë luftës në Kosovës. Në këtë kontekst kam pasur disa kontakte pune me të dhe në veçanti në procesin e zhvarrimit, ekzaminimit dhe rivarrimit të eshtrave të familjes Jashari. Por pretendimi i tij se paskemi qenë së bashku në Shqipëri është një shpifje e trashë. Siç ju thashë në vitin 2004 përgjegjësia ime ka qenë të përgatit tranzicionin e Departamentit të Drejtësisë tek sistemi kosovar i drejtësisë. Zotëria në fjalë ka pasur një detyrë krejt tjetër ku rezulton se ka 1800 trupa ende të pagjetur, dhe ky është problemi kryesor dhe kjo është edhe arsyeja kryesore për të cilën ngrihen këto akuza. Heqjen e mendjes nga një çështje kaq e ligjshme, siç është asnjë e dhënë për fatin e 1800 viktimave të luftës me gjasë në territor serb dhe zhvendosja e vëmendjes në akuza, pretendime false të pavërtetuara asnjëherë dhe pa u shënuar nga asnjë fakt apo provë e vetme.

Çfarë qëndrimi mendoni se duhet të mbajë Këshilli i Europës mbi këtë raport dhe këto akuza?
Absolutisht këto akuza dëmtojnë kredibilitetin e organeve përkatëse, dëmtojnë edhe kredibilitetin e Këshillit të Europës i cili nuk mund të tolerojë që të hartohen raporte të tilla absurde të pabazuara në fakte dhe prova dhe të heshtë mbi fatin e 1800 të zhdukurve. Akoma kjo është çështje e pazbardhur.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›