E Diel, 1 Nëntor 2026

Tek emërtimet e rrugëve të Shkupit shihet trajtimi i shqiptarëve si qytetarë të kategorisë së dytë

23-06-2011 / Nga Xhabir Ahmeti

Dil, vëlla, nëpër qytetet tona t’i shohësh emrat e rrugëve e të institucioneve të ndryshme. Kahdo që të shkosh do të shohësh emërtime rrugësh me emra  të panjohur për njeriun e rëndomtë, përveç njërës rrugë në Shkup që mban emrin - “Pero Nakov” bb (nuk shkon p.n, se nuk e duron dot politika aktuale shkurtesën në gjuhën shqipe...). Dhe, rruga “Pero Nakov”, jo për shkak të njeriut emrin e të cilin e mban, por u bë e famshme për shkak të aferës ende të pashpjeguar dhe të pashpjegueshme, të ngatërruar si lesh arapi, midis pushtetit dhe pronarëve të mëdhenj. Mos të kishte qenë kjo aferë, emri i Pero Nakovit do të mbetej i panjohur dhe i shënuar vetëm në letrat e mbuluara me pluhur në bodrumet e burokracisë së këtij vendi e ndoshta edhe në listat e ndryshme të verdha të luftëtarëve të Luftës së dytë botërore ose të Lidhjes së dikurshme të komunistëve të Maqedonisë. Vazhdo, shko e ec në çdo qytet të këtij vendi të ngulfatur në mjerim ekonomik e kulturor e do të hasësh plot emra serbë, maqedonas, kroatë, sllovenë e malazezë për të cilët nuk ke ide kush janë e me të cilët janë emërtuar rrugët e rrugicat e institucionet. Ec, por kur të kalosh disa rrugë duke u vënë mendjen emërtimeve të rrugëve do të ndjehesh i huaj në qytetin tënd. Do të ndjehesh i leçitur, i përjashtuar nga vatra jote dhe do ta ndjesh një atmosferë thua se është përmbysur peizazhi i fëmijërisë. Do ta ndjesh një shije hidhëtie, do të pushtojë ndjenja e njeriut të cilin e fyejnë vetëm për shkak të përkatësisë së tij kombëtare, vetëm për shkak të mirësjelljes së tij, vetëm për shkak se është siç është dhe se ashtu siç është e bashkë me të tjerët i jep sharmin qytetit, vendit. Do të ndjehesh keq për shkak se kurrfarë respekti nuk ka pasur nga administrata e këtij vendi për gjuhën e cila është pjesë e rëndësishme e vendit, për gjuhën tonë shqipe, ndonëse ti që e flet këtë gjuhë e ke të garantuar të drejtën që ta përdorësh publikisht. Do të vazhdosh të ecësh me këtë shije hidhëtie dhe vazhdimisht do të sillen nëpër mend shumë pyetje. Do t’ia bësh vetes edhe ndonjë pyetje shumë të thjeshtë: kush kanë qenë vallë Pavle Iliçi dhe Blagoja Toska? Po Gjuro Sallaj? Po Janko Mishiçi? Po Tone Tomshiçi? Çfarë peshe paskan pasur këta për historinë e kulturën e këtij vendi? Si mund të lidhen me trashëgiminë e këtij vendi? Ti s’e ke përgjigjen, por s’e besoj se e di ndonjë fjalë për ta dikush tjetër nga rrethi yt shoqëror. S’e di kush, jo, por këta emra janë pjesë e realitetit tonë që flet për “barabarësinë” midis kombeve e kombësive të dikurshme që vazhdon të jetojë si ideologji e shtetit, sipas të cilës disa janë superiorë e të tjerët të dorës së dytë. Me këta emrat e me kësi emrash janë emërtuar rrugë të rëndësishme në mbarë vendin, pa i anashkaluar hiç vendbanimet ku kryesisht jetojnë shqiptarët. Me këta emra vazhdojnë të mbeten të emërtuara rrugët në Shkup, në Tetovë, në Kumanovë, në Gostivar... Midis një mijë e pesëqind e sa emrave të rrugëve të Shkupit nuk i gjen emrat e Dervish Carës, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Petro Nini Luarasit, Josif Bagerit, Hoxhë Vokës, Hoxhë Tahsinit, Faik Konicës,  Murat Isakut, të Abdylazis Islamit, Mustafa Laçit, Myedin Hadrit, Nexhat Pustinës, Lutfi Rusit e shumë të tjerëve. Figurat e këtilla të njohura e të rëndësishme të kulturës sonë janë përjashtuar nga kjo shumësi emrash që tash e mbajnë të zaptuar  tërësinë e rrugëve. Bashkë me këta emra të panjohur, të largët për ne, na është dërguar sinjali se ku e kemi vendin.
Rrallë, shumë rrallë, do të vëresh këtu ndonjë emër turku, boshnjaku, me të cilin emërtohet ndonjë rrugë, si bie fjala Qemal Sejfullah, Ferid Bajram, Zufer Musiç, Rifat Burxheviç e ndonjë tjetër. Te vetmit emra të shqiptarëve me të cilët janë emërtuar disa rrugica të errëta të Shkupit janë Zef Lush Marku, Emin Duraku, Skenderbeg Kastrioti, Zenel Ajdini, Ibe Palikuqa, Ferid Zairi dhe Bajram Shabani. Gjithsej shtatë. S’ka të tjerë. Shtatë midis 1500 emërtimeve të rrugëve. Edhe në mesin e këtyre shtatë emërtimeve ku e gjetën që emrin e Skënderbeut ta lënë të gjysmuar? Skenderbeg Kastrioti?! Nejse. Shtatë, në krahasim me numrin e rrugëve që ka kryeqyteti i Maqedonisë dhe në krahasim me numrin e shqiptarëve shkupjanë që jetojnë në këto rrugë, janë asgjë, ndërkaq këtu ka edhe një problem. Me këta emra të shqiptarëve janë emërtuar nja shtatë rrugica, u tha, mirëpo i rralli mund të thotë ndonjë fjalë për këta njerëz (përveç heroit tonë kombëtar Skënderbeut) më shumë se sa të tregojë, ndoshta, se kanë qenë partizanë të rreshtuar në aradhet e Titos gjatë Luftës së dytë botërore. Askush s’ta jep dot portretin tyre dhe arsyen pse e paskan merituar ata të jenë më të nderuar se Abdyl Frashëri, ta zëmë? Kur emrat e këtyre shqiptarëve janë të panjohur për shumicën e popullsisë, çka mund të themi për gjithë ata joshqiptarë të panjohur edhe për vetë maqedonasit emrat e të cilëve janë të vendosur në tabelat që tregojnë si quhet rruga. Gjithë ai kallaballëk emrash të ushtarëve ose të luftëtarëve të Titos, por që askush nuk di të thotë një fjalë të vetme për ta! Thua se këto emra duhet të bëjnë roje për ta ruajtur frymën serbe e jugosllave këtu?!
Rrugët, emërtimet e tyre nuk janë aq të pa peshë për asnjë shoqëri. Ato e bëjnë fizionominë e qytetit, identitetin e tij. Janë të rëndësishme. Shumë të rëndësishme. Prandaj dikur janë emërtuar kështu. Prandaj, ndoshta, dikush mundohet ta ruajë këtë fizionomi. Që emërtimet e këtilla ta pasqyrojnë karakterin jugosllav të qytetit, ku shqiptarët duhet të vulosen si pakicë e parëndësishme. E në qoftë ashtu, e ashtu duhet të jetë, atëherë shtrohet pyetja: çfarë kanë bërë gjithë ata politikanë shqiptarë që kanë zënë kolltukë në kuvendet komunale, në kuvendin e qytetit të Shkupit, në institucionet qendrore të Republikës së Maqedonisë për njëzet vjet me radhë, pas pavarësimit të Maqedonisë? Çka kanë bërë vallë në sektorët e urbanizmit në të gjitha nivelet e organizimit institucional të Maqedonisë? Çka kanë bërë atëherë e çka bëjnë sot?
Nuk e besoj se mund të gjendet dikush që të japë përgjigje tjetër përveç se “kanë pasur punë më të rëndësishme”. Si gjithmonë  ata janë marrë “me politikë të lartë”, janë nxjerrë me një të shkuar në xhami ditën e bajramit dhe nxirren tash me një shehadet para turmave në fushatat parazgjedhore ose me ndonjë fjalë të tipit “O vllazën”. Ndoshta zotërinjtë të cilët janë vendosur në ballë të politikës në emrin tonë e kanë hetuar se sa kërkojmë ne, prandaj aq dhe na ofrojnë... Populli thotë: çka t’i lypësh Zotit, Zoti të jep. Prandaj e kemi këtë gjendje, gjendjen e mjerimit, në të gjitha fushat e aktiviteteve politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. E ke përshtypjen se ende je në kohën e ish Jugosllavisë, kur e kishe mbi kokë Lidhjen e Komunistëve. Partia të shkonte si hije atëherë, partia të diferenconte atëherë – por partia të diferencon edhe sot. Thua se është ndalur koha te Gjuro Sallaj. Edhe rrugët “flasin” se nuk i kemi punët ashtu si kemi menduar se do t’i kemi pas shpartallimit të Jugosllavisë. Prandaj mbeten të amshueshme ato emërtime.
As në kohë të Turqisë nuk ka pasur këso hallakame në emërtime të rrugëve. Përkundrazi, këto emërtime kanë qenë për së mbari. Kanë qenë emërtime me të cilat njerëzit janë orientuar lehtë, si bie fjala  Genish sokak (sokaku i gjerë), Egri sokak (sokaku i shtrembër), Saraç sokak, (rruga e saraçëve), Jorganxhi sokak (rruga e jorganxhinjve), Kaçanik jolli (udha e Kaçanikut), Prizren jolli (udha e Prizrenit), Ishkodra jolli (udha e Shkodrës) etj. Sa është përmendur emri i rrugës ose udhës, e ke ditur ku je dhe kah duhet t’ia mbash. Po sot? Si do ta gjejnë njerëzit sot rrugën “Filip Klajiç”? Me çka e bën ky emër rrugën të jetë njohëse? Ose rrugën “Georgi Kazepov”?
Në kohën e ish Jugosllavisë kemi pasur pushtetarë, aty këtu: ndonjë kryetar të Lidhjes socialiste, të Lidhjes së sindikatave socialiste, të kuvendit socialist, ndonjë anëtar kryesie të këtyre lidhjeve, por nuk kemi pasur kryetar komune. Kryetar komune të bëhet shqiptari nuk kishte mundësi. Kishte edhe diçka tjetër: asokohe nuk kishe mundësi të pyesësh se pse një rrugë e gjatë e një lagjeje të dendur shqiptare quhet “Cetinska”, që për njerëzit të cilët gravitojnë aty nuk ka kurrfarë kuptimi, kurrfarë domethënieje, madje është edhe refuzuese për dikë i cili e di se çka është Cetinska. Po të bëje një pyetje të tillë asokohe, përfundoje ku ha pula gur. Atëherë ashtu ka qenë. Kryetari i komunës nuk ka qenë shqiptar, thuajse 90 e sa për qind e administratës komunale ka qenë joshqiptare, politika e shtetit ka qenë e egër,  rigide. Dhe, e ka pasur drejtimin e vet ideologjik dhe nacionalist, pse jo edhe shovinist. Domethënë ka pasur “arsye” pse rruga është quajtur “Cetinska” ose “Skoevska” ose “Stari Novaqina” e plot të tjera të këtilla. Me të është kërkuar që edhe ne të marrim një drejtim joshqiptar në jetën tonë shoqërore. Mirëpo ajo kohë iku, u shporr, është pjesë thuajse e largët e së kaluarës sonë. Po tash? Pse tash të jetë kështu?
Emrat e rrugëve flasin se për njëzet vjet politikanët tanë janë treguar të ngathtë, madje edhe të padijshëm. Çudi është si nuk u ka shkuar ndërmend se edhe në këtë sferë ne duhet të çlirohemi nga këto emërtime ideologjike dhe që s’kanë të bëjnë fare me trashëgiminë tonë. Po kush do ta bëjë këtë punë, se? Sa e hoqën Bit Pazarin prej dyerve të Teatrit, të Allaxha Xhamisë dhe prej hyrjeve të Çarshisë...
Dilni, vëlla, një herë sokakëve të qyteteve tuaja! Dilni e shikoni se çfarë emërtimesh kanë!  Mos na e përmendni vazhdimisht njëzet e pesë përqindëshin. Ai njëzet e pesë përqindësh kërkon fuqi krijuese të zbatohet në çdo pore të jetës. Natyrisht edhe në këtë sferë të emërtimeve të rrugëve.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›